Misioni i pamundur i Agim Bahtirit

Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka dalë me idenë për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativ të Komunave më qëllim ‘bashkimin’ e Mitrovicës.

Pasi mori mbështetjen e Kuvendit Komunal, Bahtiri iu drejtua Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), mirëpo kjo e fundit nuk i dha ‘ditën’ jeshile kësaj iniciative nën arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.

Madje për jetësimin e kësaj iniciative Bahtiri kërkoi edhe ndihmën e qeverisë. Kjo e fundit e konsideroi idenë e tij si vullnet të mirë por nuk i dha mbështetje.

Ndërsa pasi iu mbyllën të gjitha ‘dyert’ institucionale, Kryetari Bahtiri kërkoi ndihmën e qytetareve të cilët me anë të peticionit do të vendosin për këtë bashkim.

Mitrovica e Veriut është themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të propozimit për statusin të emisarit të OKB-së, Martti Ahtisaari por dy komunat, ajo e Jugut dhe e Veriut, ende nuk kanë gjetur zgjidhje për ndarjen e kufijve mes tyre për shkak të mospajtimeve rreth disa fshatrave të banuara me shqiptarë në pjesën veriore.

Qytetarët: Bashkimi i Mitrovicës ‘mision i pamundur’

Agim Bahtiri – 21.12.2018 – foto KALLXO

Besart Peci, aktivist politik nga Komuna e Mitrovicës, për KALLXO.com ka shprehur shqetësimin e tij sesi Komuna e Mitrovicës është përfshirë vazhdimisht në procesin e dialogut.

“Çdo situatë politike që ka rrjedhë nga dialogu dhe mënyra jo e duhur e të bërit marrëveshje ka reflektuar direkt te qytetarët e Mitrovicës, ndonëse dialogu ka mëtuar një normalizim të marrëdhënieve të dy shteteve. Spektri politik lokal ka qenë i përfshirë në këto marrëveshje, nëse iu kujtohet, muri 80 cm dhe tash është përsëri i përfshire, në një mënyre tjetër dhe synime më të mëdha, delegjitimimim e pakos së Ahtisarit, pra’ bashkimin’ e qytetit, fraze e fuqishme elektorale që nga pas lufta”, tha ai.

Sipas Pecit, nuk është vetëm iniciativa për ‘bashkimin’ e Mitrovicës ajo që shkakton amulli tek qytetarët.

“Këtu janë dy gjëra: e para, rreziku nga kompetencat ekzekutive të asociacionit dhe ideja e presidentit për ndarje, nga e cila do të bie pakoja e Ahtisarit përfundimisht. Në tërë këtë amulli, drejtuesit e Komunës së Mitrovicës prodhojnë diskurse politike për ‘bashkim’ të qytetit. Përveç që tejkalon kompetencat e përfaqësimit lokal, kjo u dëshmia edhe nga vendimi i MAPL, ajo edhe prek çështje të ndjeshme, që thellojnë diferencimin etnik, me idenë se një kryetar duhet apostrofuar gjithsesi”, tha ai.

Tutje ai bën të ditur që është kundër politikëbërjes në kurriz të Komunës së Mitrovicës.

“Parimisht, çdo qytetar përfshirë edhe mua, është kundër ndarjes se qytetit dhe situatave politike që kanë prodhuar të gjithë akterët politikë në raport me gjendjen ne Veri, por kjo nuk na jep të drejtë improvizimi dhe diskursin populist në të bërit politike. Qytetaret e veriut dhe jugut, pa dallim etnie ende përballen me kushte jo të mira jetësore, mungesë politikash të mirëfillta institucionale dhe infrastrukture të dobët, pa lënë anash mungesën e vizionit për zhvillim ekonomik. Rezoluta, peticionet dhe manifestimet e tilla, janë përkitazi me frymën elektorale, jo interes direkt qytetar”, theksoi Peci.

Mërgim Memoviç, qytetar nga Komuna e Mitrovicës, ka thënë që ideja e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për ‘bashkimin’ e pjesës veriore me pjesën jugore është e parealizueshme.

“Agim Bahtiri flet me hamendje duke mos e pa ose duke mos dashtë me e pa situatën faktike në të cilën qyteti jone ndodhet. Ideja e tij në koncept është e pranueshme nëse veç kish me qenë e realizueshme. Ne fakt kjo puna e shkrirjes se dy komunave është veç dëshirë edhe kurrgjë ma shumë. Duke mos dashtë me besu në përralla do të kishte qenë ma mirë më i kry punët e jugut ky kryetari jonë e jo me u marrë me mendime që veç munden me nxitë tensione mes komuniteteve”, tha ai.

A është i mundur ‘bashkimi’ i Mitrovicës sipas ekspertëve të Kushtetutës

Topografi nga Mitrovica e Veriut. 09.06.15, Mitrovica. Photo: Atdhe Mulla

Flamur Hyseni, ekspert i çështjeve Kushtetuese thotë për KALLXO.com se kërkesa për ndryshimin e Ligjit për kufijtë administrativë është e mundur, me kusht që të arrihet konsensusi politik.

“Kërkesa e tillë është e mundur, nëse arrihet një konsensus politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që pakica serbe të votojë për ndryshimin e ligjit për kufijtë administrativ të Komunave. Kryetari aktual i Mitrovicës së jugut dhe çdo kryetar tjetër duhet shikuar paraprakisht se çka është kompetencë e tyre ligjore. Kompetencë e tyre nuk është me paraqitë kërkesa “populiste” në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, me shkaktu huti në opinion”, tha ai.

Sipas tij, peticionet janë e drejtë e qytetarëve por në rastin e ‘bashkimit’ të Mitrovicës një gjë e tillë nuk do të kishte sukses.

“Peticioni i qytetarëve është i mundur sepse është e drejtë themelore kushtetuese, por, për rastin konkret, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton zgjidhje tjetër. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, neni 81, paragrafi 1.1, shprehimisht përcaktohet se “Për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve në vijim, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe që votojnë, si dhe të shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e Komuniteteve që nuk janë shumicë”, tha Hyseni.

Në anën tjetër analisti politik dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllun Baraliu ka thënë që nisma e Bahtirit nuk mund të realizohet për shkak të situatës aktuale politike.

“Politikisht në rrethanat në të cilat është iniciuar kjo nismë nuk mund të realizohet për shumë arsye por në radhë të parë qeverisja aktuale që nuk ka pranuar dorëheqjet duke gjetur shkak periferik duke gjetur shkas termin ‘Kosovo i Metohija’, gjë që nuk është relevante sepse ata vazhdimisht kanë komunikuar në këtë mënyrë”, tha ai.

Tutje Baraliu tha se iniciativa e kryetarit të Bahtiri ka bazë ligjore por mungon vullneti politik për ta realizuar.

“Qeveria nuk ka kapacitet vullnet dhe kurajo që të marrë diçka të tillë, iniciativa si e tillë ka bazë ligjore por së pari duhet të trajtohet nga MAPL të përpunohet atje plotësim-ndryshimi i ligjit, të shkojë në qeveri pastaj në parlament dhe pastaj të bëhet kjo, por as kjo qeveri e as qeveritë e kaluara nuk kanë treguar vullnet në këtë drejtim. Juridikisht kjo qeverisje e ka ndarë Mitrovicën. Mbledhja e nënshkrimeve mund të bëjë vetëm ndikim publik por me këtë gjendje të tillë kjo iniciativë nuk mund të ndodhë”, tha ai.

QJQ AKTIV: Iniciativa e Bahtirit e dëmshme për jetën e qytetarëve në Mitrovicë

Miodrag Marinkoviq, Drejtor i Programit në organizatën joqeveritare AKTIV, në një prononcim për KALLXO.com, idenë e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri e ka konsideruar si iniciativë jo reale e cila po bëhet për mbështetje popullore.

“Iniciativa nuk është e vërtetë, reale apo në dobi të përgjithshme për marrëdhëniet etnike në Kosovë. Vëzhgimi i saj në vend, si një kontribut në ligjërimin aktual të ndezur, që udhëheqësit politikë nga të dyja palët vazhdojnë të kënaqin në rritjen e ndjenjave të rivalitetit dhe intolerancës. Unë besoj se qëllimi i vërtetë i iniciativave është të minojë protestat e komunitetit serb në Kosovën veriore dhe të japë dorëheqjen e veriut të Mitrovicës veriore dhe të fitojë mbështetjen popullore pa shanset reale për të realizuar”, tha ai.

Marinkoviq ka cekur arsyet se pse nuk e mbështet një iniciativë të tillë, duke shtuar se ndryshimi i gjendjes aktuale do të kishte pasoja mbi vet qytetarët dhe jetesën e tyre.

“Unë nuk e mbështes këtë iniciativë, për shumë arsye. Para së gjithash nuk është e ligjshme. Së dyti, besoj se modeli aktual i decentralizuar me dy komuna është themeli mbi të cilin qytetarët e Mitrovicës, nga të dyja anët, duhet të ndërtojnë bashkëjetesën e tyre paqësore dhe bashkëpunuese. Çdo ndryshim i këtij modeli do të përkeqësonte seriozisht marrëdhëniet tashmë të brishta të qytetarëve në Mitrovicë. Së fundi, një nismë e tillë e dëmton mënyrën në të cilën serbët dhe shqiptarët duhet të jetojnë së bashku, kjo është marrëveshje e përbashkët dhe dialogu me njohjen e interesave të njëri-tjetrit.

Sipas tij, një iniciativë e tillë rritë kërcënimin për qytetarët serbë dhe rritë neglizhencën e institucioneve ndaj tyre.

“Është vërejtur si një kërcënim që tërheq pasiguri dhe ankth të prekshëm. Kjo iniciativë gjithashtu rrit mbështetjen e njerëzve në Kosovën e veriut për idenë e ndarjes, duke demonstruar se interesat e serbëve të Kosovës do të neglizhohen në Kosovë pavarësisht nga baza ligjore e saj. Aktualisht, duket se të drejtat e dhëna me ligj nga serbët e Kosovës shihen si një pengesë për shqiptarët e Kosovës dhe jo për gardh që mbron të drejtat legjitime të serbëve të Kosovës. Në një mjedis të tillë, udhëheqësit e komuniteteve serbe të Kosovës që flasin kundër idesë së ndarjes qëndrojnë të privuar nga argumentet” theksoi Marinkoviq për KALLXO.com.