Mision i mundur!

Të “lundrosh” në rrjete sociale në këtë kohë, pashmangshëm të bie në sy lloj-lloj “lajmi”, i cili me një titull të ndërtuar mbi kuriozitet, shumëkë “e merr me vete” për ta lexuar. Varësisht nga “përmbajtja e lajmit”, përmes titullit targetohet edhe audienca.

T’i shmangesh, duket shpeshherë mision i pamundur!

Për fatin e keq të medias e rrjedhimisht edhe të shoqërisë, ajo çfarë viteve të fundit është në thelb të mediave është senzacioni!

Sikur gjithçka të mbetej vetëm te senzacioni do ta zbuste paksa dëmin, por ajo çfarë vihet re e që është shumë shqetësuese është dezinformimi.

Dorën në zemër një fenomen i tillë është i shfaqur kryesisht te mediat online dhe shumë i rrallë te mediat tipike në botën mediale të Kosovës.

Edhe më shumë situatën e rëndon fakti se, për të lëshuar një dezinformatë në publik zgjedhet edhe momenti i caktuar. Pra, synohet efekti sa më i madh.

Ilustrative për këtë gjë është rasti kur në mediat online doli informata se Agim Veliu, një eksponent i moçëm i LDK-së, garën për deputet do ta bëjë në listën e AAK-së. Senzacioni mori dhenë! Çfarë lajmi do të thoshe me vetveten, për një moment! Befas, gjithçka filloi të bie në vend të vet.

Agim Veliu demantoi lajmin e dhënë! Tha se ai ‘kurrë nuk do të largohet nga LDK’. Përveç që, gjithçka rreth kësaj situate plotësoi kushtet për ta vlerësuar si dezinformim, patjetër se ishte edhe një lajm i rremë. Apo, thënë në gjuhën që internacionalisht kuptohet, gjithçka doli të jetë një “Fake News”.

Por, kjo nuk mbaron me kaq! Situata e tillë nxjerrë sheshit abuzimin me profesionin e gazetarisë.

Në krye të herës lajmi i publikuar thirrej në burime anonime! Etika gazetareske ishte shkelur fundamentalisht.

Vetë subjekti për të cilin po raportohej, nuk ishte kontaktuar fare! Pra A, B, C-ja e profesionit ishte përdhosur. Çka të shtosh më tutje!

Pra, kishte ndodhur ajo që s’do duhej të ndodhte në media!

Edhe, kë po gënjeni!?

Po e gënjeni një shoqëri të tërë, e cila në masë të madhe ka qasje në internet. Dëmi nuk është llogaritur, është kalkuluar senzacioni! Ndoshta, edhe diçka tjetër.

Kur jemi te kjo situatë, ajo çfarë vihet re shumë shpesh në raportime, sidomos te meidat online, është mungesa e respektimit të Kodit të Etikës.

Mungesa e “përqafimit” të këtij akti vetërregullues, lë pasoja të mëdha në disa aspekte.

  1. MINIMI I BESIMIT NË MEDIA

Kjo është një prej pasojave më të mëdha që bota e medias përjeton dhe një gjë e tillë ndodh edhe për shkak të mungesës së respektimit të standardave etike në raportim.

Respektimi i Kodit Etik, që parasheh standarde të larta të të bërit gazetari, do të duhej të ishte imperative.

 

  1. DEZINFORMIMI

Është një fenomen që në mungesë të respektit të plotë të Kodit Etik nga mediat, lehtësisht mund të rrëshqasin në dezinformim. Si fenomen, dezinformimi hyn në kategorinë e veprimtarive të “luftës hibridie” dhe kjo për shumë arsye.

Por, është jetike që mediat në Repulikën e Kosovës ta respektojnë vetveten së pari. Duke e respektuar vetveten, respektojnë edhe Kodin Etik, që në rast respektimi të përpiktë, dezinformimit si fenomen ia shkatërron çdo strehë ku mund të zë vend.

 

  1. DËMI I PARIKUPERUESHËM I PALËVE

Një gjë shumë e rëndësishme që mediat duhet ta kenë parasysh gjithmonë është edhe çështja e dëmit që mund të shkaktohet për palët. Janë shumë të shpeshta rastet kur në KMSHK e KPM paraqiten ankesa nga palë të ndryshme dhe shpalosin fakte për mënyrën se si janë dëmtuar, nga një medie që ka plasuar një lajm – jo në standardet profesionale të kërkuara.

Dëmet shkojnë nga kategoria e imazhit e reputacionit deri te dëmet shpirtërore, që palëve mund t’ju shkaktohen. Duke pasur parasysh edhe faktin tjetër që Sistemin e Drejtësisë dhe funksionimin e Gjykatave Republika e Kosovës e ka “për mashalla”, obligimi për mediat rëndohet edhe më shumë që t`i respektojnë standardet e kërkuara.

Në fazën në të cilën shoqëria jonë gjendet, duke e pasur parasysh edhe polarizimin e skajshëm në sferën polikte, është e detyrueshme për mediat që të përfillin pikë e presje standardet më të larta të kërkuara të të bërit gazetari.

Kështu, në krye të herës, respektojmë vetveten, ruajmë qytetarin dhe mbrojmë interesin publik, që ne gazetarët e kemi mision.

Pra, është MISION I MUNDUR!

 

 

Autori Dibran Istrefi është gazetar me përvojë disa vjeçare, redaktor, autor, producent emisionesh në Televizionin Dukagjini.
Autori Dibran Istrefi është gazetar me përvojë disavjeçare, redaktor, autor, producent emisionesh në RTV Dukagjini.