Autobuset e Trafikut Urban foto Facebook Komuna e Prishtines

Misioni i dështuar për zgjedhjen e Auditorit të Brendshëm në 'Trafik Urban'

Kanë kaluar gati një vjet që kur Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka mbetur pa Zyrtar për Auditim të Brendshëm. Që nga emërimi i Bordit të ri të “Trafikut Urban” më 30 qershor 2017, janë shpallur katër konkurse për të plotësuar këtë pozitë në ndërmarrje.

Më 27 shkurt 2019 është shpallur konkursi për Zyrtar për Auditim të Brendshëm, duke u bërë konkursi i katërti i hapur brenda një viti. Kandidatët e interesuar për këtë pozitë kanë mundësi të aplikojnë deri më 13 mars 2019.

Më 30 qershor 2017 ishte përzgjedhur Bordi i ri i “Trafikut Urban” i përbërë nga Ruhan Beha, Violeta Hyseni, Genc Broqi dhe Valëza Aliu – Hyseni.  Nën drejtimin e këtij Bordi, konkursi i parë për pozitën Zyrtar për Auditim të Brendshëm ishte shpallur në fillim të vitit 2018. Në muajin mars të vitit 2018, në mbledhjen e Bordit, Mustafë Hyseni ishte përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm për këtë pozitë.

Por për shkak të problemeve shëndetësore, brenda pak kohësh, Mustafë Hyseni kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Zyrtarit për Auditim të Brendshëm në “Trafik Urban”. Largimi i Hysenit kishte detyruar Bordin që të shpallte përsëri konkurs për këtë pozitë.

Anulimi i konkursit të tretë

Më 18 tetor të vitit 2018 “Trafiku Urban” kishte hapur përsëri konkurs për të plotësuar pozitën që Mustafë Hyseni kishte lënë të zbrazët. Më 27 nëntor, Sadri Abazi ishte vlerësuar si kandidati që ka plotësuar më së shumti kriteret për pozitën Zyrtar për Auditim të Brendshëm.

Dokumentet që kërkoheshin me konkurs ishin: aplikacioni i nënshkruar, deklarata nën betim, letra motivuese, vërtetimi nga Gjykata, diploma universitare nga Fakulteti Ekonomik, certifikata e auditorit, përvoja e punës 5 vjeçare në pozita udhëheqëse.

Por ky konkurs ishte anuluar nga Bordi pas ankesave. Kjo për shkak se Abazi nuk e kishte të përfunduar Fakultetin Ekonomik siç kërkohej me konkurs dhe po ashtu nuk ishte i certifikuar për auditim të pasqyrave financiare.

Sadri Abazi posedonte certifikatën e Auditorit, kishte mbi 5 vite përvojë pune në pozita udhëheqëse, kishte diplomë universitare në Shkencat Politike. Ai është zgjedhur si kandidat i suksesshëm për shkak se në CV-në e tij kishte dëshmuar se kishte punuar në auditim dhe kontabilitet në punët e mëhershme, plus që ishte i pajisur me certifikatë të Auditorit.

Por pasi ishte bërë i ditur vendimi se Sadri Abazi ishte përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm për pozitën Zyrtar për Auditim të Brendshëm, kishin filluar të vinin ankesat nga kandidatët e pakënaqur. Kjo kishte bërë që të shqyrtohej certifikimi i Abazit si auditor. Komiteti kishte arritur të vërtetonte se ai ishte i certifikuar për auditim të procedurave e jo për auditim të pasqyrave financiare.

“Krejt kohën kemi pas dyshimin se ky i ka të kryme shkencat politike e nuk e ka ekonominë. Janë ankuar ata që janë me ekonomik, ata që e kanë nivelin e parë kontabilitet edhe të dytin edhe janë të certifikuar për auditor. Mandej kemi hi e kemi shiku certifikimin e tij, ai është i certifikuar për auditor, po ky është i certifikuar për me i auditu procedurat, pasqyrat financiare ky nuk mundet me i auditu”, ka thënë Broqi për Gazetën JnK.

Broqi ka shtuar se konkursi është anuluar me vendim të Bordit. Po ashtu ai ka shpjeguar se Sadri Abazi kishte përvojë në leximin e pasqyrave financiare, për të cilat ai kishte raportuar në një kompani në të kaluarën por ajo kompani nuk e ka nivelin e “Trafikut Urban”.

“Ai e ka pasur përvojën që e kemi kërku, ka pas përvojë në leximin e pasqyrave financiare, kishte raportuar në kompaninë që ka punu, por ajo ishte kompani e vogël e nuk e ka volumin e punës që e ka “Trafiku Urban”, i cili i ka rreth 300 punëtorë”, ka potencuar Broqi.

Më tej, anëtari i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” dhe kryesuesi i Komiteti të Auditimit, Genc Broqi ka theksuar se pasqyrat financiare janë shumë të rëndësishme në ndërmarrje duke e ditur që “Trafiku Urban” ka pasur probleme të mëdha në të kaluarën.

“Dhe është kompani që ende ia ka borxh shtetit 1.2 milionë euro dhe neve na duhet një njeri që i di financat pak më mirë”, ka thënë ai.

BIRN ka monitoruar procesin e rekrutimit në këtë konkurs që nga përzgjedhja e kandidatëve të suksesshëm, thirrja e tyre në intervistë, intervistimi i tyre, vlerësimi nga ana e Komisionit dhe përzgjedhja e kandidatit më të suksesshëm për këtë pozitë.

Nga 15 kandidatët që kishin aplikuar për këtë pozitë vetëm 4 prej tyre e kishin të plotësuar dokumentacionin sipas anëtarëve të këtij Komisioni. Kandidatët e suksesshëm ishin Avdi Gashi, Sadri Abazi, Ymer Salihu dhe Ardiana Morina.

Ardiana Morina, nuk kishte 5 vjet përvojë pune siç kërkohej me konkurs, por 4 vjet e dy muaj. Po ashtu në aplikacionin e saj nuk e kishte qartësuar pozicionin e saj dhe nëse ajo kishte punuar në pozita udhëheqëse. Komiteti vendosi ta ftoj në intervistë për arsye se ishte e vetmja grua që kishte aplikuar dhe kishte certifikatë të Auditorit, kishte gati 5 vjet përvojë pune dhe ata vendosën që në intervistë ta vërtetonin dhe të qartësonin nëse ajo kishte përvojë pune në pozita udhëheqëse.

Më 27 nëntor, 3 kandidatët e suksesshëm, Avdi Gashi, Sadri Abazi dhe Ardiana Morina janë intervistuar ndërsa në intervistë nuk ka ardhur kandidati Ymer Salihu. Për secilin nga kandidatët, Komiteti i Auditimit kishte përgatitur një listë me 14 pyetje.

Pas përfundimit të intervistave të kandidatëve, secili nga anëtarët e Komisionit ka plotësuar nga një formular të vlerësimit për secilin kandidat, ku shuma totale e vlerësimit ishte 50 pikë, secili kriter i vlerësimit matej nga 1 deri në 5 pikë. Sipas vlerësimit, kandidati më i suksesshëm dhe që ka marrë më së shumti pikë nga Komisioni ishte Sadri Abazi me 128 pikë. BIRN e kishte ngritur faktin se Abazi nuk kishte diplomë të fakultetit ekonomikë, siç kërkohej në konkurs. Pas tij ishte Avdi Gashi me 103 pikë dhe Ardiana Morina me 94 pikë.

Pas anulimit të konkursit që ishte shpallur në tetor të vitit 2018, më 8 shkurt të këtij viti, për herë të tretë është hapur konkursi për pozitën Zyrtar për Auditim të Brendshëm. Por kryesuesi i Komitetit për Auditim në “Trafik Urban”, Genc Broqi ka thënë për Gazetën JnK se nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm dhe ky konkurs është shpallur përsëri më 27 shkurt.