‘Mirëdita, dobar dan!’, mes protestave dhe bashkëpunimit ndërkulturor

Kryeqyteti i Serbisë, Beogradi edhe kësaj here ishte nikoqir i festivalit të gjashtë kulturor ‘Mirëdita, dobar dan!’.

Ashtu si herave të tjera edhe ky edicion nuk kaloi pa incidente të vogla, në pikën kufitare në Merdare, gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave nga Kosova u kontrolluan në detaje nga policia serbe, nëse me vete kanë simbole të shtetit të Kosovës.

Ndërsa në kohë kur pritej të fillonte festivali një grup i vogël prej 20 vetash, të cilët në duar mbanin pankarta me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, “Nuk dorëzohemi”, “Nuk i lejojmë festivalet kur serbët në Kosovë maltretohën” si dhe duke kënduar këngë nacionaliste, protestuan për të kundërshtuar mbarëvatjen e këtij festivali në kryeqytetin serb, ndërsa trupa të shumta policore nuk lejuan që protestuesit të depërtonin në vendin ku po mbahet festivali.

Njëra nga organizatoret e protestës Milica Gjurgjeviq, nga grupi politik “Zavetnici”, tha se do të kundërshtojnë këtë festival në të cilin Kosova paraqitet si shtet.

“Mirëdita dobar dan, që disa vite promovon Kosovën si shtet të pavarur, shtet i cili nuk ekziston dhe po falsifikon historinë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Serbia nuk do të lejoj një Shqipëri të madhe siç e paraqesin liderët nga Kosova.

“Ne i dërgojmë mesazh Thaçit dhe Haradinajt që kurrë nuk do të lejojmë një Shqipëri të Madhe dhe pa kufi, ashtu sikurse që kanë deklaruar ata. Poashtu nuk do të lejojmë që në Beograd të manifestohet për një Shqipëri të Madhe”, ka thënë ajo.

Protesta përfundoi pa ndonjë incident, përderisa forca të shumta policore qëndruan për të siguruar pjesëmarrësit si dhe për të mos lënë protestuesit të depërtojnë në vendin ku po mbahet festivali.

‘Mirëdita, dobar dan!’ një hap drejtë stabilitetit mes Kosovës dhe Serbisë!

Ndonëse protesta jashtë vazhdonte dhe dëgjoheshin këngët nacionaliste serbe, hapjen e festivalit e bëri Fiona Jelici nga organizata Nisma e të rinjëve për të drejtat e njeriut (YIHR) në Serbi. Ajo tha se ky festival është një shans për njohjen e kulturës dhe artit mes dy vendeve.

“Misioni i këtij festivali është shkëmbimi kulturor dhe artistik mes Beogradit dhe Prishtinës, është një shans që audienca e Beogradit t`i njohin artistët, muzikantët, aktorët, dhe përfaqësues të artit modern në Kosovë dhe të skenës letrare në Kosovë. Sidoqoftë, Mirëdita Dobar Dan, është më shumë se kaq është një hap drejtë stabilitetit të dialogut dhe bashkëpunimit mes të dy popujve”, tha ajo.

Maja Stojanoviç, drejtoresha e organizatës Iniciativa Qytetare në Serbi, tha se kjo nuk është një ngjarje e zakonshme mes Prishtinës dhe Beogradit.

“ Festivali tani është tani 6 vjet i vjetër dhe jam shumë e lumtur që kjo po ndodhë këtu, sepse kjo nuk është ndonjë ngjarje e zakonshme të cilën e organizon shoqëria civile, kjo nuk është një ngjarje e zakonshme mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo.

Sipas saj festivali ‘Mirëdita, dobar dan, është një shans e mirë për bashkëpunim mes dy vendeve, Kosovës dhe Beogradit.

“Nuk është qeveria ajo që e sjellë stabilitetin, jemi ne përfaqësues të shoqërisë civile nga Beogradi dhe Prishtina, janë të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë, kjo skemë kulturore një shans për të bashkëpunuar që do të sjellë stabilitet, kjo është çfarë stabiliteti nënkupton dhe ky stabilitet është diçka që do të vazhdoj vite me radhë”, theksoi ajo.

Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës Intergra nga Kosova, klimën politike në të cilën po mbahet ky festival e konsideroi ‘toksike’ duke shtuar se besimi i fortë në vlerat e festivalit i ka bërë që të mos ndalen në idenë pavarësisht këtij ambienti.

“Është e shumë e vështirë të organizosh një festival, por është e vështirë të organizosh të natyrës së tillë i cili organizohet në një ambient shumë toksik për shkak marrëdhënieve politike mes të dy vendeve. Do të doja të falënderoja të gjithë që besojnë në festival, besojnë në idenë dhe si mund ta shihni edhe ata që duan të bllokojnë nuk mund të na ndalin neve sepse besojmë në vlerat e festivalit dhe kjo ka rëndësi”, deklaroi ai.

“Nëntor i ftohtë”, ngrohë atmosferën në Beograd

Ekspozita “Le të bëjmë dashuri”, bëri hapjen e këtij festivali. Ky instalacion flet për kujtimet, harresën, dhe emocionet që trazojnë të tashmen dhe na bëjnë të humbim dhe të izolohemi në të ardhmen.

Artisti i kësaj ekspozite  Shkumbin Tafilaj, pavarësisht të kaluarës është mirë që të ardhmen ta jetojmë në paqe dhe dashuri.

“Ideja e kësaj vepre është e bazuar në historinë e vërtetë tonën, realiteti ynë është i tillë, ne nga dy anët si nga serbët ashtu edhe nga shqiptarët jemi në gjendje të prodhojmë histori të cilat nuk janë të këndshme për asnjërën palë. Ajo që është shumë e rëndësishme është që të jetohet në paqe me dashuri dhe respekt, dhe ky ka qenë motivi mbi veprën”, tha ai.

Përveç këtij instalacioni, publiku shqiptar dhe serb, patën mundësinë që të shohin filmin “Nëntor i ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës. Filmi i cili paraqet gjendjen në Kosovë në fillimin e viteve 90-ta kur kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë dhe kur popullata në Kosovë po përballej me një presion të vazhdueshëm të largimit nga puna, institucionet arsimore dhe shtetërore.

Pas përfundimit, filmi u prit me një duartrokitje të madhe nga publiku, ndërsa regjisori, Ismet Sijarina si dhe aktori, Fatmir Spahiu morën lavadata për punën e bërë në këtë film.

Me këtë rast regjisori, Sijarina tha që qëllimisht e ka lënë filmin pa përfundim në mënyrë që publiku të flas për filmin dhe për atë se çfarë ka mundur të ndodhë.

“Filmi jonë siç e patë është për fillimin e viteve të 90-ta. Është një histori e pa treguar të cilën menduan që duhet për ta ndarë edhe me të tjerët. Siç e patë kemi dashur që fundin ta lemë të hapur pasi që filmi nuk përfundon në fund të tij, ai nuk përfundon as kur ne të dalim nga salla pasi që kemi dashur që publiku të flasë për filmin dhe për atë se çfarë ka mundur”, theksoi ai duke falënderuar të gjithë të pranishmit.

Ndërsa sot në ditën e dytë nga ora 18:00 do të mbahet debati dhe promovimi i librit “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, ndërsa në ora 20:00 për të pranishmit do të shfaqet filmi “Ferdonija”.