Ministria e NISMA-s ia merr kompetencën Doganës për verifikim e cilësisë së naftës

Dogana e Kosovës më nuk do të bëjë verifikimin e cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës me rastin e importit. Kjo kompetencë që Dogana e kishte marrë që nga viti 2017 i është marrë me Udhëzimin Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës që ka hyrë në fuqi në fund të vitit 2020.

Tashmë verifikimi i cilësisë së naftës me rastin e importit do të bëhet nga një biznes privat, e cila do të angazhohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Neni 51 i këtij udhëzimi ka paraparë se Trupat për Vlerësim të Konformitetit (TVK) të emëruar nga MTI janë kompetent për të kryer verifikimin adekuat të karakteristikave të karburanteve të lëngëta të naftës që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovë. Kjo kompani do të bëjë verifikimin e dokumenteve të konformitetit të lëshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës në pajtim me Ligjin përkatës.

“Gjatë procesit të miratimit të hyrjes së karburanteve të naftës, Trupat për Vlerësim të Konformitetit verifikon dokumentet e konformitetit, përfshirë, deklaratën e konformitetit apo deklaratën e cilësisë, e cila duhet të ketë të bashkangjitur raportin e testimit, në pajtim me parametrat e parapara me udhëzimin bazë. Dogana e Kosovës lejon hyrjen e karburanteve të naftës në territorin e Kosovës, vetëm nëse certifikata / raporti i lëshuar nga një TVK e emëruar nga MTI, e cila është konform me udhëzimin bazë”, thuhet në udhëzimin e ri Administrativ.

Ndërsa, me udhëzimin e vitit 2017 këtë të drejtë e kishte ekskluzivisht Dogana e Kosovës.

Ky obligim i doganës ishte paraparë me nenin 23 të UA me numër 01-2017 në pikën ku parashihet “verifikimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës në territorin Doganor”.

Tentimi për krijimin e një monopoli të ri në Kosovë

KALLXO.com ka raportuar se në të njëjtin UA, MTI-ja ka paraparë krijimin e monopolit për shenjim/markim të naftës. Biznesi që do të marrë monopolin pritet të fitojë miliona euro brenda një viti. MTI nuk kanë publikuar koston që bizneset duhet të paguajnë për litër të shënjuar, por KALLXO.com ka hulumtuar nëse vendet e rajonit aplikojnë një praktik të tillë.

Shqipëria në të kaluar e ka aplikuar shënjimin e naftës duke i obliguar bizneset që të paguajnë 7.1 lekë për çdo litër të shënjuar, apo 5 centë.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se në vitin 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

Nëse e marrim si bazë çmimin e paguar në Shqipëri, pra 5 cent për litër dhe e kalkulojmë me sasinë e naftës që është importuar në Kosovë gjatë vitit 2020, i bie që kompania që do ta ketë monopolin do të ketë të hyra prej rreth 30 milionë euro.

Nën supozimin që çmimi i shënjimit të karburanteve të lëngëta në Kosovë do të jetë përgjysmë më lirë, pra vetëm 2.5 cent për litër, atëherë i bie që kompania do të ketë të hyra vjetore të garantuara prej 15 milionë euro. Të hyrat ditore nga shënjimi të naftës do të jenë prej rreth 40 mijë euro, nën supozimin se në Kosovë shënjimi për litër do të jetë vetëm 2.5 cent apo 50% më lirë se në Shqipëri.

Me një kosto prej vetëm 2.5 cent për shënjim/markim të litër, kompania që do të sigurojë monopolin për 5 vjet, do të ketë të hyra prej 75 milionë euro.

Në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se do të shikojnë nëse ai udhëzim administrativ bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Kjo politikë ekonomike e zbatuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për t’i monopolizuar tregjet e caktuara, përkon me një politikë recidiviste, të një ekonomie të planifikuar, e që haptas, nëse vërtetohet si e tillë, bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që është ekonomi e tregut me konkurrencë të lirë. Sot kam autorizuar sekretariatin e AKK-së, që urgjentisht të filloj procedurën e hetimit paraprak”, ka thënë Prestreshi.