Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës ndryshon formën e financimit të institucioneve kulturore

Me ligjin 07/L-041, për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për 2021, institucionet kulturore dhe të trashëgimisë në vartësi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë futur si organizata buxhetore, duke i hapur rrugë funksionimit të kodeve buxhetore për këto institucione.

Pajisja me kodet buxhetore e institucioneve të kulturës do t’u mundësojë atyre funksionim më efikas dhe pavarësi financiare.

MKRS premton se me pajisjen e institucioneve kulturore me kode buxhetore do të rrisë edhe transparencën e shpenzimit të parasë publike nga këto institucione.

Zyrtarë të MKRS-së, kanë thënë  se gjatë këtij viti, institucionet që janë në vartësi të ministrisë  do ta kenë buxhetin e tyre në katër faza.

“Buxheti për institucionet do të alokohet në katër faza, siç parashihet me legjislacionin në fuqi për rrjedhjen e parasë publike gjatë vitit fiskal, ashtu siç parasheh edhe ligji për ndarje buxhetoreAktualisht jemi në fazën e hartimit dhe miratimit të planeve vjetore për çdo institucion kulturor dhe të trashëgimisë. Institucionet do të jenë përgjegjëse për shpenzimin e parasë publike në bazë të planit të punës, siç edhe e kanë planifikuar”, ka thënë për KALLXO.com, Iber Alaj, ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS.

Megjithatë, të kontaktuar nga KALLXO, drejtues të institucioneve janë shprehur se ende nuk janë të informuar rreth mënyrës së marrjes së buxheti për  2021.

“Deri më tani ne nuk kemi ndonjë njoftim rreth mënyrës së si do ta marrin buxheti këtë vit, përveç asaj që gojarisht na është thënë viti që shkoi se në 2021 do të kemi kodet buxhetor, gjatë takimeve që ke pasur në ministri”, ka thënë për Kallxo.com, Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Njëjtë është shprehur edhe Kreshnik Musolli, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Jo ende nuk kam marrë asnjë informatë në lidhje me kodin buxhetor. Jemi në pritje të ndonjë lajmërimi zyrtar në mënyrë që të kuptojmë se si do të funksionojë apo kur do të jetë i zbatueshëm”, ka thënë Musolli.

Që nga pas lufta institucionet kulturore buxhetin e tyre e kanë marrë në bazë të projekteve të realizuara gjatë një viti, projekte të cilat paraprakisht i dorëzonin në MKRS.