Miliona euro u paguan në vitin 2019 pas vendimeve të gjykatave dhe përmbaruesve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Thesari i Kosovës ka paguar fatura me vlerë prej 1 milionë e 539 mijë euro, të cilat nuk janë paguar nga institucionet e tjera si dhe janë kryer pagesa në vlerë mbi 25 milionë euro për shkak të vendimeve gjyqësore dhe përmbaruesve.

Secila pagesë që bëhet përmes përmbaruesve ka një shumë të caktuar që paguhet për përmbaruesin apo shpenzimet tjera të gjykatës.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, neni 39, pika 2 e obligon Thesarin që të paguaj të gjitha faturat të cilat nuk janë paguar ndaj operatorëve nga ana e organizatës buxhetore.

Në rast se një institucion nuk e paguan një faturë brenda periudhës 60 ditore, kompania/personi ka të drejtë t’i drejtohet Thesarit të Shtetit për të kërkuar pagesën.

Pas pranimit të faturës nga ana e Thesarit, kjo e fundit, brenda 30 ditësh do të bëjë një hetim të faturës për të parë nëse janë kryer obligimet nga ana e personi/kompanisë, pastaj Thesari ka të drejtë të ekzekutoj pagesën pa pasur nevojë të marrë miratimin parapak të institucionit/organizatës buxhetore.

Për 2019, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur së në këtë formë janë ekzekutuar pagesa me vlerë prej 1 milionë e 539 mijë e 298 euro.

Mirëpo, një vit më parë, në 2018, kjo shumë kishte qenë për gati 5 herë më e madhe. Sipas analizës së auditorit, në 2018, në këtë formë ishin ekzekutuar pagesa me vlerë prej 7 milionë e 145 mijë euro.

“Shkaqet kryesore të pagesës së faturave drejtpërdrejtë nga Thesari janë si rezultat i mos pagesave me kohë të obligimeve nga OB – të për punët dhe shërbimet e përfunduara nga OE, e që kryesisht kanë të bëjnë me: shpenzimet për mirëmbajtje e pastrim, furnizimet për zyrë, derivate, dru e tjera. Hyrja në obligime pa zotim paraprak të mjeteve, neglizhenca si dhe papërgjegjësia e zyrtarëve përgjegjës në pagesën e faturave me kohë, janë disa prej shkaqeve kryesore për ekzekutimin e këtyre pagesave”, thuhet në raportin e auditorit.

Raporti ka gjetur disa institucione, në të cilat është dashur ndërhyrja e Thesarit për të ekzekutuar pagesa.

Sipas të gjeturave të ZKA-së, Komuna e Gjakovës prinë në këtë listë me mbi 500 mijë euro pagesa të cilat u janë paguar nga ana e thesarit.

Pas Gjakovës është Komuna e Prizrenit me 256 mijë euro, pastaj ajo e Rahovecit, Ferizaj, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Shëndetësisë.

  • Komuna e Gjakovës 512,796 €
  • Komuna e Prizrenit 256,269€
  • Komuna e Rahovecit 202,268€
  • Komuna e Ferizajt 80,557€
  • MKRS 45,708€
  • MSH 14,650€

Është edhe një formë tjetër e pagesës, që i ka shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës. Auditori ka gjetur se për shkak të vendimeve të Gjykatave dhe përmbaruesve privat, në 2019, janë bërë pagesa në vlerë prej 25 milionë e 834 euro.

Në raport me vitin 2018, pagesat për shkak të vendimeve gjyqësore dhe përmbaruesve në vitin 2019 janë rritur për më shumë se 5 milionë euro.

Në raport me të dhënat e vitit 2018, vlera e këtyre pagesave është rritur për 5,574,163€ apo rreth për 28%, çka paraqet një tregues se organizatat buxhetore janë gjithnjë e më pak likuide apo vonohen në kryerjen e detyrimeve ndaj operatorëve ekonomik dhe furnitorëve tjerë”, thuhet në raportin e auditorit.

Probleme me vendimet gjyqësore dhe përmbaruesit kanë të dy nivelet, edhe ai qendror edhe ai lokal.

“Pagesat për organizata të nivelit qendrore ishin 10,506,559€, apo 41% e totalit, ndërsa pagesat në nivelin lokal ishin në vlerë prej 15,327,678€ apo 59% e totalit të vendimeve gjyqësore”, thuhet tutje në raport.

Sipas auditorit këto pagesa janë bërë për shkak se institucionet nuk i kanë kryer me kohë detyrimet financiare.

“Moskryerja e detyrimeve me kohë nga ana e organizatave buxhetore, ka shkaktuar procedura gjyqësore të kushtueshme dhe të komplikuara”, thuhet në raport.

Vonesat më të mëdha të pagesave e pastaj dënimet, institucionet i bëjnë në projektet e investimeve kapitale.

Sipas auditorit kjo direkt ndikon në reduktimin e investimeve kapitale, në mënyrë që të gjenden fonde për t’u paguar detyrimet.

Pagesat me vendim të gjykatave dhe përmbarimeve për tri vitet e fundit | Burimi: ZKA

Më poshtë, janë pasqyruar dhjetë (10) organizata buxhetore tek të cilat janë ekzekutuar pagesa në vlera më të mëdha, të cilat e përbëjnë gjysmën e shumës së pagesave të kryera me vendime gjyqësore (rreth 13 milionë euro).

Pagesat të kryera me vendime gjyqësore | Burimi: ZKA