Mesazhet e delegacionit amerikan, rrisin presionin ndaj taksës

Vizita dy ditore e delegacionit të lartë nga Amerika, ishte shumë i qartë, pezullimi i taksës 100 përqind për produktet serbe dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë.

Këtë kërkesë delegacioni i përbërë prej drejtorit kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Erath, si dhe drejtorit për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së ShBA-së, Brad Berkley u siguruan që ta përcillnin gjatë takimeve që zhvilluan me liderët shtetëror dhe ekipin negociator.

Kjo vizitë vlerësohet të jetë përpjekje e ShBA-së për ta bindur qeverinë Haradinaj për ta pezulluar taksën.

Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo përpjekje është duke u bërë nga Amerika, pasi e shohin si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë Serbi.

“Vizita e delegacionit amerikan është në kuadër të përpjekjeve të SHBA-ve për të bindur qeverinë, më saktësisht kryeministrin Haradinaj, për të pezulluar taksën 100% ndaj Serbisë. Mendoj se presioni amerikan është në rritje pasi që në Kosovë po mungon qëndrimi unik rreth mbajtjes së taksës”, tha Haxholli duke shtuar se ka qëndrime të ndryshme sa i përket mbajtjes apo pezullimit të taksës nga institucionet qendrore si presidenca dhe qeveria, si dhe partitë tjera politike.

Haxholli tha se në komunikim me partnerët amerikanë, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës po prezantojnë qëndrime të ndryshme, gjë që sipas saj është negative për Kosovën.

“Kosova duhet të ketë parasysh kërkesat e SHBA-ve duke qenë se janë partneri kryesor i Kosovës,  por duhet gjithashtu të ketë parasysh edhe atë se cilat janë efektet nëse pezullohet taksa në këtë moment. Do të ishte mirë qe qeveria të ketë një pasqyrë të qartë me efektet pozitive dhe negative të pezullimit apo vazhdimit të mbajtjes së taksës, në mënyrë që të ketë një strategji të qartë për qasjen e duhur”, u shpreh ajo për JnK.

Komentet pas vizitës së delegacionit amerikan

Në lidhje me vizitën e John Erath dhe Brad Berkley në Kosovë kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili nuk kishte marrë pjesë në asnjë takim me këtë delegacion tha të premten (01.03.2019) se duhet të dëgjohen kërkesat e tyre pasi që Kosova e ka partner të përjetshëm ShBA-në.

Veseli pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit tha se qëndrimet e tyre janë qëndrime të Shtëpisë së Bardhë.

“E kam takuar këtë delegacion në Shtëpinë e Bardhë, janë njerëz të afërt të Trumpit, çdo mesazh, çdo përgjigje dhe çdo qëndrim i ShBA-së duhet të jetë qëndrim edhe i Kosovës. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë bashkë është mos ta dramatizojmë situatën për konsum të brendshëm, qoftë me situatën për dialog por edhe me tarifën, ato duhet t’i shërbejnë ballafaqimit me Serbinë”, tha Veseli.

Ai shtoi se taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe nuk duhet të përdoret për interesa personale.

“Ne se kemi përballë Amerikën, por duhet të jemi në krahë me ta dhe një qëndrim dhe një veprim”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha se është hera e parë që liderishipi i Kosovës ka vënë në pikëpyetje relacionet miqësore dhe partneritetin strategjik që i ka me ShBA-në.

“Nuk kemi pas një degradim më të madh institucional gjatë gjithë këtyre viteve dhe humbje e plotë e besueshmërisë së qytetarëve ndaj lidershipit të vendit. Është vënë në pikëpyetje përkrahja e partnerit tonë kryesor SHBA karshi shtetit të Kosovës. Për herë të parë pas 30 viteve ndodh që kryeministrit të vendit i mohohet e drejta për të udhëtuar në ShBA”, tha Hoti në një konferencë për media të premtën.

Edhe deputetja e PSD-së Shqipe Pantina gjatë ditës së sotme, tha se mesazhet Amerikës duhet të shqyrtohen me shumë kujdes.

“Gjithë klasa politike duhet të ulen dhe të marrin vendim të përbashkët se si duhet të veprohet më tutje nëse ka arsye për tu pezulluar, ndoshta jo për tu hequr fare, por për tu pezulluar nëse ajo tashmë e ka arrit efektin e saj ose jo. Është vendim në radhë të parë që i takon qeverisë”, tha Pantina pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Takimet e realizuara të delegacionit amerikan në Kosovë

Delegacioni amerikan takimin e parë e zhvilloi me 27 shkurt me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

Në këtë takim, presidenti Thaçi i kishte siguruar zyrtarët e lartë amerikanë se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me ShBA-në.

Ndërsa më 28 shkurt, delegatët zhvilluan takime me ekipin negociator dhe me presidentin Hashim Thaçi.

KALLXO.com ka shkruar se ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka mbajtur dy takime me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.

Njëri takim është mbajtur me prezencën e presidentit Hashim Thaçi dhe njëri vetëm ndërmjet ekipit negociator dhe amerikanëve.

Zyra e presidencës kishte lëshuar deklaratë me 28 shkurt se ekipi negociator ka shprehur gatishmëri për suspendimin e taksës.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, thuhej ndër të tjerash në komunikatën e Zyrës së Presidentit Hashim Thaçi.

E për këtë ka reaguar bashkë kryesuesi i Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedimet me Serbinë, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se disa media po informojnë se Delegacioni Shtetëror “kinse qenka deklaruar për suspendimin e taksës”.

E për këtë deklaratë Ahmeti tha se nuk ishte deklaruar fare.

“Delegacioni Shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës. Ka qëndrime te subjekteve të ndryshme dhe ato janë tashmë të njohura për publikun. Për më shumë, as unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Edhe bashkë kryesuesi tjetër Fatmir Limaj përmes një publikimi në Facebook ka treguar se përfaqësuesit amerikanë kanë kërkuar pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

“Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve”, shkroi Limaj në Facebook.

Gjatë ditës së djeshme edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, përmes një njoftimi për media ka dhënë versionin e saj për vizitën e delegacionit amerikan.

“Mysafirët përsëritën mesazhin e tyre nga letra ndërinstitucionale e 11 shkurtit se taksat në prodhimet e Serbisë dhe Bosnies janë pengesë në rrugën drejtë progresit, e minojnë partneritetin tonë, dhe duhet të pezullohen në mënyrë që Dialogu me Serbinë të lëvizë përpara. Ata theksuan urgjencën që Kosova të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, dhe rreshtimin SHBA-Kosovë për këtë interes të përbashkët strategjik”, thuhet në njoftim të ambasadës.

Pa u njoftuar nuk ka mbetur as lideri i partisë më të madhe opozitare Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për këtë ishte kujdesur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i kishte shkuar në shtpi për ta informuar për vizitën e delegatëve.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Sipas zëdhënësit të LDK-së, gjatë takimit, presidenti Thaçi e ka njoftuar Isa Mustafën rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe për kërkesat e tyre drejtuar koalicionit qeveritar.

Ndryshe, që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet serbe, ShBA ka qenë kundër këtij vendimi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në dhjetor të vitit të kaluar i kishte dërguar një letër homologt kosovar Thaçit, në të cilën ka kërkuar nga ai dhe liderët e Kosovës që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Ndërsa në shkurt kë këtij viti ShBA-të paralajmëruan se nëse nuk pezullohet taksa, raportet Kosovë – Amerikë nuk do të jenë të njëjta.