Mërgimtarëve iu 'plaçkitën' mbi 169 milionë euro për makinat e tyre

Përpara familjarëve të tyre në Kosovë, në kufi mërgimtarët i pret polica kufitare për sigurim. Mërgata përmes saj, pagoi mbi 169 milionë euro në kufi.

Republika e Kosovës nuk është pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, pasi një gjë të tillë ua pamundëson Kushtetuta e Këshillit të Byrove e cila thotë se për të qenë anëtar i këtij Këshilli, duhet që shteti i njohur ndërkombëtarisht, të jetë i anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), për kalimin e kufijve në Kosovë duhet të pajiseni me policë sigurimi.

“Motoristët e mjeteve kosovare të cilët dëshirojnë t’i kalojnë kufijtë, si dhe motoristët të cilët dëshirojnë të hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me sigurim kufitar”, thuhet në ueb-faqen BKS-së.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, në tubimin zgjedhor në Vushtri kishte premtuar se do ta heq ‘haraçin në kufi’ mërgimtarëve.

“Kjo mërgatë na mbanë gjallë familjet tona e paqen tonë sociale. Para mërgatës tonë zotohemi se do të heqim haraçin në kufi e do të ua sjellim kutitë e votimit në vendet ku jetoni. E gjithashtu do të sigurojmë arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe për fëmijët tuaj, në mënyrë që t’u garantojmë integrim pa asimilim”, citohet të ketë thënë Kurti.

Çka është sigurimi i auto përgjegjësisë dhe çka mbulon?

Lidhur me sigurimin kufitar, në ueb-faqen e saj, BKS ka dhënë sqarime sa i përket sigurimit të autopërgjegjësisë dhe çka mbulon ajo.

“Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë është sigurim, i cili është i obliguar me ligj për të gjitha mjetet motorike me tabela të huaja, të cilat hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Arsyet për blerjen e këtij sigurimi janë se Republika e Kosovës nuk është anëtare e Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër, dhe si rrjedhojë, asnjë karton i gjelbër i cilitdo shtet në botë nuk vlen në Republikën e Kosovës, përveç Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, shtete me të cilat Kosova ka nënshkruar memorandum të mirëkuptimit për njohje reciproke të sigurimeve”, thotë BKS.

Më tej BKS thotë se sigurimi kufitar i mbulon të gjitha dëmet ndaj palëve të treta, të cilat shkaktohen nga pronarët e mjeteve motorike me tabela të huaja që kanë sigurim të vlefshëm kufitar. Ky sigurim nuk i mbulon dëmet e shkaktuara në automjetin e shkaktarit të dëmit, dëmet e shkaktuara nga personat e panjohur (N/N ose godit dhe ik), dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, si dhe dëmet e shkaktuara nga vetë poseduesi i këtij sigurimi, vetërrokullisja, kafshët në rrugë etj.

Lidhur me këtë çështje, në sajtin e saj zyrtarë, BKS sqaron se në rast të aksidentit, poseduesi i policës së sigurimit i cili nuk është shkaktarë udhëzohet si duhet të veproj, kush do të paguaj dëmin deri në çfarë vlere do të kompensohet.

Mesatarisht 9.4 milionë euro në vit paguhen nga mërgata

Bazuar në të dhënat e Bankë Qendrore të Kosovës (BQK), që nga viti 2002 deri në muajin n shtator të 2019-ës, mërgimtarët në kufi kanë paguar hiq më pak se 169.4 milionë euro për polica kufitare.

Që i bie mesatarisht çdo vit nga 9.4 milionë euro.

Shuma më e ulët më e paguar në vjet nga mërgimtarët ishte në vitin 2002 që kishte vlerën e 3.7 milionë euro ndërsa ajo më e larta është evidentuar në vitin 2012 në vlerën e 14.7 milionë euro.

Në anën tjetër për të njëjtën periudhë, shuma e dëmeve të paguara është në vlerën e 17.7 milionë euro me një mesatare vjetore prej një milionë euro.

Dëmet e paguara prej 17.7 milionë euro nga kjo policë sigurimit për gati 18 vite përbën 10 përqind të shumës së paguar për këtë qëllim.

Gjatë viteve, shuma më e lartë e dëmeve të paguara përmes kësaj police sigurimi është 1.9 milionë euro në vitin 2018 ndërsa në vitin 2002 evidentohet se nuk ka vlerë për ndonjë dëm të paguar.