Më shumë investime të huaja në pandemi se para saj

Ndonëse në luhatjen e investimeve të huaja në viteve mëparshme vlerësohej se ndikonte burokracia në institucione por edhe situata politike, në 2020-ën u shfaq edhe pandemia e virusi COVID-19. Përkundër efeteve tjera në ekonomi, duket se nuk ndikoi te ky sektor financiar, madje pati rritje. Të dhënat e BQK-së për nëntë muajt të 2020-ës, tregojnë se investimet e huaja ishin më të lartë rreth 16 për qind.

Të dhënat e fundit të vlerësuara nga BQK-së, për nëntë muajt e vitit 2020, tregojnë se investimet e huaja direkte në Kosovë janë më të larta. Në nëntë muaj e vitit që shkoi, arritën vlerën prej 250.6 milionë euro.

Në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ato janë më të larta për 15.8 për qind. Në periudhën e njëjtë janar-shtator investimet kishin vlerën e 216.4 milionë euro.

Raporti i BQK-së tregon se rritje e niveli të IHD-ve është shënuar në  tremujorin e parë dhe të dytë. Në tremujorin e tretë është shënuar nivel më  i ulët i IHD-ve prej 27.0 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Të dhënat e raportit të BQK-së, tregojnë se investimet e huaja direkte në tre muajt korrik-shtator ishin në vlerën e 77.1 milionë euro ku 70.2 milionë euro ishin në formë të kapitalit dhe fondit të investimeve në aksione ndërsa vetëm 6.9 milionë euro ishin në formë të instrumenteve të borxhit.

Për nga origjina se prej nga vijnë këto investime, Gjermania është prijëse.

“Gjermania paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD në TM3 2020 (24.9 milionë euro), pasuar nga Zvicra (16.6 milionë euro), SHBA (9.4 milionë euro), Turqia (8.6 milionë euro), etj”, thuhet në raport.

Sipas sektorit, për tre muaj korrik-shtator, sektorët e shërbimeve financiare, tregtare e të ndërtimtarisë ishin me rritje ndërsa në sektorët e tjerë pati rënie

“Rritja e IHD-ve në TM3 2020 u evidentua tek sektori i shërbimeve financiare, sektori i ndërtimtarisë dhe ai i tregtisë, ndërsa sektorët tjerë shënuan rënie. Vetëm nё sektorin e patundshmërive niveli i IHD-ve ishte 52.4 milionë euro, apo 32.9 për qind më pak krahasuar me TM3 2020.”, bën të ditur raporti.

Lëkundjet në investimet e huaja të Kosovës

Lëkundjen e investimeve të huaja në Kosovë, në vitet e mëparshme ekspertët e çështjeve ekonomike e lidhin me burokracinë e tepërt në institucionet e Kosovës si dhe situatës politike në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2018, Shpend Balija, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë në Kosovë, për Radion Evropa e Lirë, kishte thënë se stabiliteti politik dhe veprimet aty për aty karshi investitorëve ndërkombëtar janë faktorët kryesorë të rënies së investimeve të huaja.

“Nëse i mirëpret investitorët, ata vijnë, por nëse i trajton mirë ata rrinë. Nuk mjafton vetëm ti ftojmë dhe të themi se Kosova është vendi bukur dhe eja investoni. Por, nevojitet që bizneset që kanë ardhur dhe kanë shtri kapitalin e tyre në Kosovë të kenë lehtësi të te bërit biznes, eliminim të barrierave. Të bëhet kjo e gjitha me një dinamikë më të përshpejtuar dhe në koordinim me të gjitha institucionet kompetente”,  citohet të ketë thënë Balija.

Ndërsa në muajin e parë të vitit 2019, ishte realizuar një takim në mes të ish ministrit të Diasporës Dardan Gashi dhe Artan Llabjanit i zgjedhur atë kohë në funksionin e kryetarit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare për gjithë Evropën.

Në këtë takim u diskutuan modalitetet e bashkëpunimit të këtij rrejti dhe dikasteri të diasporës në Kosovë, me qëllim të rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve dhe krijimin e kushteve të diasporës për të investuar në  Kosovë.

Ligje vendore për investime të huaja

Investimet e huaja në Kosovë janë të rregulluara me ligj por jo vetëm.

Ligji Nr. 04/L-220 për investimet e huaja, i cili hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2013, me dekretim nga ish presidentja Atifete Jahjaga ka për qëllim të rregulloj mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja, t’u ofroj investitorëve të huaj të drejta dhe garanci themelore, që u japin siguri investitorëve të huaj se investimet e tyre të mbrohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Ky ligj, i cili përbëhet prej 26 neneve, rregullon trajtimi i përgjithshëm, mos diskriminimi, pajtueshmëria dhe detyrimet si dhe çështjet tjera.

Vlen të përmendet gjithashtu edhe Ligji 05/L-079 për Investimet Strategjike, i cili u dekretua nga Presidenti Thaçi në muajin shkurt të vitit 2017. Ky ligj deri në formën përfundimtare të tij kishte kaluara nëpër duar të deputetëve e komisioneve parlamentare ku ishin shprehur edhe pakënaqësi të ndryshme ku edhe ‘lëkundte’ edhe koalicion qeverisës të asaj kohe.

Që një investitorë të konsiderohet strategjik, kuota minimale e mjeteve financiare të cilat duhet të investohen duhet të jetë së paku 10 milionë euro.

Kjo thuhet në paragrafin përkatës të nenit 2 të këtij ligji ku fletë për fushëveprimin. Në këtë nen përmenden sektorët si: energji me infrastrukturë dhe miniera, transport dhe telekomunikacion, turizëm, industri përpunuese, bujqësi dhe industri ushqimore shëndetësi, parqe industriale dhe teknologjike, administrim i ujërave të zeza dhe mbeturinave.

Ligji  përcakton përcakton se si mund të fitohet statusi i investimi strategjik

“Statusi i investimit strategjik ose projektit investues strategjik mund të fitohet sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligj, për projektet nga sektorët prioritar të zhvillimit ekonomik e social të cilët i kontribuojnë rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja, rritjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës, rritjes së eksportit dhe zvogëlimit të deficitit tregtar dhe që përgjithësisht ndikojnë në rritjen e mirëqenies dhe të kushteve të jetesës së qytetarëve…”, thuhet në mes tjerash në Ligj

Ndërsa ka edhe ligje të tjera të cilat në njërën formë ose në tjetrën lidhen me investimet e huaja.

Remitancat, buxheti tjetër i shtetit

Dashuria dhe malli për vendin dhe familjen në Kosovë, assesi nuk u ‘karantinua’ për mërgatën e Kosovës, madje të dhënat tregojnë se ajo sa vjen e rritet dhe po kapitalizohet. Djersa e tyre e derdhur në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe më gjerë, po kthehet në “infuzion” për imunitetin e dobët të vendit si nga pandemia ashtu edhe nga aspekti ekonomik si pasojë e pandemisë.

Viti 2020, do të mbahet mend gjatë në historinë e njerëzimit, pasi këtë vit shpërtheu pandemia e virusit corona COVID-19, e cila ende po vazhdon të infektoj njerëz në mbarë botën, ku shifrat e infektimeve kalojnë 55.5 milionë njerëz. Nga kjo pandemi që arriti të përhapej edhe në Kosovë, përveç se kërcënoi shëndetin, ndikoi edhe në ekonomi.

Së fundmi, kreu i Bankës Qendrorë të Kosovës (BQK), në një intervistë për media tha se sa një buxhet i Kosovës vije në vit nga diaspora

“Mos ardhja e diasporës i ka ulur të hyrat jo-rezidente për 60% në krahasim me vitin e kaluar që kanë  qenë 1.1 miliardë të cilat realizohen nga diaspora. Ndërsa  deri në tetor të 2020, kemi regjistruar 470 milionë euro të hyra jo-rezidente. Remintencat kanë ndikuar në zbutjen e krizës që ka shkaktuar pandemia, të cilat kanë shënuar në të dhënat e nëntor 830 milionë euro janë të hyrat prej remitencat. Kemi një rritje të remitencave me një rritje prej 14% krahasim me një vit më herët. Një buxhet komplet i Kosovës na vie nga diaspora gjatë një viti”, citohet të ketë thënë Fehmi Mehmeti.

Bazuar në të dhënat BQK-së, analizuar prej KALLXO.com, që nga viti 2008, deri në viti 2018, diaspora dërgoi hiq më pak se 7.7 miliardë euro, që i bie më shumë se tri herë buxheti i Kosovës për vitin 2021, që ka vlerën e 2.4 miliardë euro.