Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Më pak se 10% e padive për shpifje me përgjigje nga gjykata

Në kohën kur e gjithë bota flet për luftën ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformatave, Kosova vazhdon të dështojë në mbrojtjen ligjore të viktimave të shpifjeve e fyerjeve.

Të dhënat na tregojnë se më pak se 10 % e padive për shpifje dhe fyerje arrijnë të zgjidhen në Kosovë ndërsa sistemi i drejtësisë ende nuk ka një strategji të qartë për daljen nga kriza.

Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës është jetësuar parimi bazë në drejtësi ‘E drejta për gjykim të dejtë dhe të paanshëm’.

E drejta për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, në anën tjetër, paraqet detyrim të gjykatave në kuadër të sistemit gjyqësor për trajtim në kohë e brenda afateve të lëndëve që procedohen para tyre.

Legjislacioni i Kosovës nuk ka të përcaktuar decidivisht afatin brenda të cilit duhet përfunduar lëndët e natyrës civile, e këtu përfshihen ato të shpifjes dhe fyerjes. Mirëpo, Ligji i procedurës kontestimore si ligj që zbatohet në aspektin procedural të trajtimit të këtyre rasteve ka paraparë që ‘Gjykata ka për detyrë të përpiqet që procedura të zhvillohet pa zvarritje dhe me sa më pak shpenzime, si dhe të bëjë të pamundur çdo shpërdorim të të drejtave procedurale që u takojnë palëve sipas këtij Ligji’.

Ky obligim i inkorporuar në këtë Ligj nuk lë hapësirë për interpretim që lëndët në procedurë civile të zvarriten më vite të tëra, siç edhe ndodh në praktikë.

Në parimet e punës KGJK ka paraparë që për periudhën kohore 2020-2022 të ulet numri i lëndëve që janë në pritje. Por, te lëndët e shpifjes dhe fyerjeve të dhënat flasin se ky mision strategjik nuk është duke u zbatuar.

Të dhënat e KGJK-së tregojnë se gjykatat nuk kanë arritur t’u japin zgjidhje as 10% të lëndëve në këto raste për vitin 2020. Situata është e ngjashme edhe në vitin 2021.

Në këtë vit janë pranuar mbi 150 lëndë të kësaj natyre, ndërsa prej tyre janë zgjidhur vetëm 21, duke i lënë edhe 130 të tjera të pazgjidhura.

Për njohësit e të drejtës këto të dhëna janë shqetësuese,

“Trajtimi i një lënde në një procedurë të rregullt në shkallë të parë, jo rrallëherë zgjat deri në pesë apo gjashtë vite, nga momenti i parashtrimit të padisë. Ndërkaq – koha që Gjykata e Apelit vendos lidhur me ankesat e palëve të pakënaqura – është mesatarisht dy vite”, thotë Arlind Fetahu, avokat.

Ai e vlerësoi se kjo kohë kaq e gjatë e trajtimit të lëndëve që rëndom nuk përbëhen nga shumë prova personale dhe materiale, pa dyshim se zbeh edhe besueshmërinë e palëve në procedurë për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

I pyetur për arsyet që po dërgojnë në zvarritje të këtyre lëndëve, Fetahu tha se ndër tjera është edhe legjislacioni që rregullon procedurën kontestimore në këto çështje, kjo pasi ligji nuk parasheh një afat kohor brenda të cilit duhet përfunduar lëndët e natyrës se tillë.

Fetahu tha se faktet e tjera që po dërgojnë te mosefikasiteti i gjykatave në trajtimin e rasteve janë edhe numri i madh i lëndëve në trajtim, dështimi i seancave si rezultat i mungesave të paarsyeshme të palëve në procedurë, etj.

“Sidoqoftë, në dy-tre vitet e fundit, me shtimin e numrit të gjyqtarëve të rinj, vërehen shenja përmirësimi, ndonëse ka ende shumë punë, jo vetëm në këtë drejtim”, tha tutje.

Kastriot Berisha, jurist dhe anëtar i Këshillit të Mediave të Shkruara, rekomandon që për zgjidhjen e situatës sistemi i drejtësisë duhet të marrë vendim që këto çështje të përcaktohen si prioritete.

“Një arsye tjetër po aq e fuqishme e që ndikon në zvarritjen e këtyre lëndëve është edhe mungesa e caktimit taksativ të kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore në lëndët civile”, tregoi tutje.

Sipas Berishës, ajo çka mbetet edhe më shqetësuese te këto raste është edhe zvarritja e vendosjes për masat e sigurisë pasi të njëjtat sipas Ligjit janë procedura të natyrës emergjente e të cilat në rast se nuk ndërmerren me kohë mund të shkaktojnë dëme të mëdha për palën paditëse.

“Moscaktimi paraprak i masave emergjente nga gjykata përpos që ndikon në keqinformimin e publikut ndikon edhe në kufizimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave pasi i mban gazetarët në periudha të gjata kohore nën kërcënimin e padive të cilat mund të paraqiten me qëllim të “kërcënimit” të gazetarëve”, shtoi Berisha.

Kosova është në mesin e zonave të rrezikuara nga përhapja e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe propagandës.

Të dhënat e deritanishme tregojnë që mbi 90% e qytetarëve kanë qasje në internet ndërsa vendi po vazhdon të përballet me diskutimin se cilat masa duhet të ndërmerren për të sanuar problemet që i shkaktojnë lajmet e rreme.