Me mendje te ligjet e me shpresë te Kodi

Pakoja e projektligjeve që prekin të drejtat e grave në pronë, ishte parë dhe shpresuar si një nga faktorët kryesorë që do t’i japin shtytje të drejtave të grave në pronë, mirëpo pas më shumë se 3 viteve procedurë, këto ndryshime duken të pamjaftueshme, ndërsa shpresa e vetme mbetet që ndryshimet e synuara të ndodhin me Kodin Civil.

Përkundër shumë diskutimeve, brenda dhe jashtë Kuvendit, shumë debateve e tryezave, fjalimeve e analizave, ndryshimet në tre projektligjet që prekin të drejtat e grave në pronë përkundër se përbejnë progres assesi nuk garantojnë se gratë dhe vajzat e përfshira në procedura trashëgimore nuk do të kenë probleme në realizimin e të drejtave të tyre.

23 nëntori i vitit të kaluar shënoi miratimin e disa projektligjeve shumë të rëndësishme për sistemin e drejtësisë në Kosovë, ndër të tjera edhe miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi trashëgiminë dhe gjithashtu projektligjin për miratimin e projektligjit për plotësim/ndryshimin e projektligjit për Procedurë Jokontestimore dhe Ligjin e ri të Noterisë në Kosovë.

Kësisoj, pas më shumë se tri vjet procedurë nga propozuesi, Ministria e Drejtësisë, projektligjet bazike që rregullojnë të drejtat e grave në pronë, u miratuan në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Kosovës dhe tanimë kanë hyrë në fuqi edhe pse disa pjesë të tyre po kontestohen nga noterët.

Përderisa Projektligji i ri i Noterisë është tërësisht i ri dhe ka ndryshime që në mënyrë rrethanore prekin të drejtat e grave në pronë, Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë dhe Projektligji për ndryshim plotësimin e Ligjit për Procedurën jokontestimore, sollën risi dhe progres por  lanë të pazgjidhura edhe shumë çështje.

Në projektligjin për ndryshim plotësimin e Ligjit për Procedurën Jokontesimore nga propozuesi u sollën 39 nene me plotësim/ndryshime ndërsa si rrjedhojë e punës së grupit punues në Komisionin për Legjislacion, amendamenteve të ardhura nga jashtë Komisionit dhe ndër të tjera edhe nga rekomandimet e BIRN dhe Internews janë aprovuar 43 amendamente në nenet e propozuara.

Për dallim nga Projektligji për procedurën jokontestimore, në projektligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë ishin të propozuara vetëm 10 nene që ndryshojnë dhe plotësojnë ligjin aktual, ndërsa u miratuan edhe 4 amendamente të bëra gjatë punës në Komisionin për Legjislacion si komision funksional për këtë projektligj.

Çka u ndryshua e çka mbeti pa u zgjidhur?

Ligji për trashëgiminë

Projektligji bazik dhe me i rëndësishëm i pakos që synonte përmirësimin e të drejtave të grave në pronë është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë. Ky projektligj është projektligji edhe pse më i rëndësishmi, ka pësuar ndryshimet më të pakta.

Jo më shume se 10 nene të Ligjit bazik për Trashëgiminë janë plotësuar/ndryshuar,  vetëm dy prej këtyre ndryshimeve janë më përmbajtjesore ndërsa pjesa tjetër janë ndryshime krejt teknike.

Ndryshimi më i rëndësishëm është ndryshimi i paraparë në nenin 3 i ligjit me të cilin modifikohet neni 12 i ligjit bazik.

“12.3. Nëse bashkëshorti pasjetues nuk ka objekt për banim ai mban të drejtën e tij të përdorë objektin banesor- martesor, në të cilin ka jetuar gjatë martesës, deri në vdekjen ose rimartesën e tij. Nëse objekti banesor shitet apo në ndonjë formë tjetër tjetërsohet, bashkëshortit pasjetues i sigurohet objekti i domosdoshëm i banimit”, përcaktohet në nenin 3 të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë.

Ky ndryshim edhe pse duket se synon që bashkëshortit pasjetues t’i sigurojë të drejtën të përdorë objektin që kanë jetuar gjatë martesës në rastet kur nuk ka objekt tjetër për banim deri në vdekje ose në rimartesën e tij, megjithatë nuk mund të thuhet se ofron një zgjidhje permanente e aq më shumë zbatim në praktikë.

Jo pak raste që dalin nga monitorimi i BIRN dhe Internews Kosova dëshmojnë se jeta e bashkëshortit pasjetues, në veçanti e grave pas vdekjes së bashkëshortit ka qenë pothuajse e pamundur në objektin ku kanë jetuar gjatë martesës.

Po ashtu, përcaktimi që një e drejtë e tillë të gëzohet deri në vdekje apo në rimartesën e bashkëshortit pasjestues nuk ofron një zgjidhje permanente po vetëm e zhvendosë problemin në kohë.

Megjithatë, një ndryshim i tillë është një hap i domosdoshëm me qëllim që bashkëshorti pasjetues, në veçanti gruaja të mos mbetet pa objekt banimi pas vdekjes së bashkëshortit.

Ndryshim tjetër mjaft pozitiv me këtë projektligj është edhe shkurtimi i periudhës kohore për njohjen e bashkësisë jashtëmartesore.

“a. bashkëshorti jashtëmartesor deri në momentin e vdekjes së trashëgimlënësit ka zgjatur të paktën pesë (5) vjet, e nëse nga kjo marrëdhënie kanë lindur fëmijë – të paktën tri ( 3) vjet dhe”, përcaktohet në nenin 4 të ligjit për plotësim ndryshim që modifikon nenin 28 të ligjit bazik për trashëgiminë.

Këto janë ndryshimet kryesore  në ligjin aktual për Trashëgiminë por çështjet më problematike nuk u adresuan fare.

Rastet më problematike, sikur ai i Shyhrete Berishës, ku bashkëshorti vdes para se të shqyrtohet trashëgimia, pasuria është në emër të prindit të bashkëshortit e nuk ka fëmijë për të përfaqësuar/trashëguar atë që do të trashëgonte prindi, mbetën pa zgjidhje.

Në këto raste, grave të cilat u vdesin burrat para se të shqyrtohet trashëgimia e pasuria është në emër të babait të burrit, do të vazhdojnë të përballen me kërkesa të procese që zgjasin me dekada duke kërkuar pjesën e tyre të trashëgimisë në bazë të kontributit.

Përveç kësaj, Ligji bazik për trashëgiminë mbeti pa u ndryshuar edhe në pjesët tjera që përmbajnë gjuhë të papërshtatshme dhe abstrakte që lë hapësirë dhe mund të interpretohet në dëm të grave dhe vajzave.

“Në qoftë se është plangprishës, nuk do të punojë ose është dhënë pas jetës së pandershme”, përcaktohet në pikën c) të nenit 114 të Ligjit për Trashëgiminë  si një nga shkaqet që mund të përjashtohet nga trashëgimia një trashëgimtar.

Nga praktika e monitorimit të BIRN dhe Internews dëshmohet se  një gjuhë e tillë e papërcaktuar, lë hapësirë që të kërkohet përjashtimi i trashëgimtarëve sepse ‘janë dhënë pas jetës së pandershme’, pa pasur një përcaktim më të qartë se çka do të duhej të përmbushej që dikush të konsiderohej ‘i pandershëm’ dhe kjo thënie kaq e papërcaktuar  të keqpërdorej për përjashtimin e trashëgimtarëve.

Ligji për procedurën jokontestimore

Ky është ligji që ndër të tjera rregullon procedurën, hapat që duhet të ndërmerren nga gjykatat dhe noterët në shqyrtimin e trashëgimive dhe përcaktimin e trashëgimtarëve dhe masës trashëgimore që ata trashëgojnë.

Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Procedurën Jokontestimore ishte pjesë e pakos që synonte përmirësimin e pozitës së grave dhe vajzave në procedurat e trashëgimisë dhe krijimin e mekanizmave që do të siguronin se vullneti i pjesëmarrësve në procedurën e trashëgimisë do të shprehet lirshëm, duke u siguruar po kuptohen drejtë të drejtat dhe obligimet.

Synimi fillestar i këtij projektligji, ishte gjithashtu që rastet e trashëgimisë kur nuk ka kontest  të zhvendosen nga procedura jokontestimore që zhvillohet në gjykatë dhe te noteri, vetëm tek noteri ekskluzivisht.

Përmes kësaj synohej që të ngritej efikasiteti në trajtimin e këtyre lëndëve dhe gjithashtu të përmirësohej cilësia.

Pas gati 3 vjet procedurë, kjo ide nuk gjeti  mbështetje dhe në fund çështjet e trashëgimisë ku nuk ka kontest u vendos që përsëri të mund të trajtohen edhe tek noteri edhe në gjykatë, duke lënë kështu një paralelizëm  ta pashëndetshëm.

Megjithëkëtë vendnumërim, Ligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Procedurën Jo-kontestimore solli disa risi shumë të rëndësishme siç është audio dhe video incizimi i seanca për heqje dorë nga trashëgimia, seancën informuese, trajtimin e trashëgimive të vonuara, periudhën e reflektimit dhe disa ndryshime tjera që padyshim se në veçanti do të përforcojnë pozitën e grave dhe vajzave në procedurat trashëgimore.

Neni 8 i këtij projektligji që riformulon nenin 131 të ligjit bazik obligon noterët që marrjen e deklaratave për heqje dorë nga trashëgimia ta video dhe audio incizojnë e jo vetëm përmes procesverbalit siç ka qenë deri më tani.

“Marrja e provave dhe të deklaratave për heqjen dorë nga trashëgimia e bën noteri me procesverbal dhe me audio dhe video-incizim”, përcaktohet në nenin 8 të ligjit.

Me këtë ndryshim gratë dhe vajzat që heqin dorë nga trashëgimia do të kenë një mekanizëm shtesë sigurie se janë udhëzuar drejtë me të drejtat dhe obligimet e tyre e në veçanti me pasojat e heqjes nga trashëgimia.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm është edhe ndryshimi që tani e tutje kur vdes një person, Zyra e Gjendjes Civile në mënyrë të pavarur dëshminë e vdekjes dhe e dërgon atë tek Oda e Noterëve dhe Oda e dërgon tek noteri kompetent sipas radhës.

Në rastet kur dëshmia e vdekjes është dërguar jo e plotë, noteri kërkon informacione shtesë nga Zyra e Gjendjes Civile.

Ndryshim tjetër shumë i rëndësishëm në Ligjin për Procedurën Jo-kontestimore është edhe obligimi për mbajtjen e seancës informuese para deklaratës për heqje dorë nga trashëgimia.

“Pas hapjes së procedurës trashëgimore, por para se të bëhet heqja dorë nga trashëgimia ose ndarja e trashëgimisë, noteri është përgjegjës për mbajtjen e seancave informuese në të cilën do t’i ftojë të gjithë trashëgimtarët e mundshëm të

marrin pjesë në seancë informuese në të cilën do t’i njoftojë me të drejtat dhe detyrimet e tyre si trashëgimtarë”, përcaktohet në nenin 33 të ligjit që plotëson dhe ndryshon ligjin bazik.

Shpresa te Kodi Civil

Pas më shumë se 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe 12 vjet nga pavarësia e vendit, Republika e Kosovës gjatë vitit 2019 mund të bëhet me Kod Civil, një projekt ky milionësh me iniciator Ministrinë e Drejtësisë dhe me përkrahje të BE-se.

Ky dokument që në vete ngërthen pesë libra, atë të pjesës civile, të drejtës sendore, marrëdhënieve të detyrimeve, familjes dhe trashëgimisë do të jetë dokumenti bazik i së drejtës materiale që rregullon marrëdhëniet shoqërore në fushën civile në vend.

Aktualisht, Kodi Civil është në fazën finale në Ministrit të Drejtësisë dhe shumë shpejt pritet të dërgohet për procedim në Kuvendin e Kosovës.

BIRN dhe Internews Kosova, duke evidentuar disa çështje shumë të rëndësishme që kanë mbetur pa u trajtuar në Ligjin për Trashëgiminë,  ka dërguar në Ministri të Drejtësisë rekomandime për evitimin e situatave sikur ai i Shyhrete Berishës.

Kodi Civil është mundësia e fundit dhe më e rëndësishme për të përparuar dhe përforcuar legjislacionin ashtu gratë dhe vajzat të mos kenë asnjë pengesë për të shprehur vullnetin e tyre për të trashëguar dhe realizuar të drejtën e tyre në pronë.

BIRN dhe Internews Kosova në vazhdimësi kanë avokuar në ndryshimin dhe përshtatjen e legjislacionit, duke ofruar rekomandime dhe duke marrë pjesë në grupet punuese të Kuvendit të Kosovës me qëllim të përmirësimit të shifrave të grave që trashëgojnë dhe grave që kanë pronë të paluajtshme në emër të tyre.

Po ashtu vëmendje shume e veçantë nga BIRN dhe Internews Kosova i është kushtuar monitorimit të drejtpërdrejtë të rasteve gjyqësore ku gratë dhe vajzat janë palë në procedura për realizimin e të drejtën pronësore duke raportuar në KALLXO.com në lidhje me këto raste në KALLXO.com dhe në emisionet Jeta në Kosovë e Drejtësia në Kosovë.