Me Kodin e ri Penal deri 10 vjet burgim për veprat penale të korrupsionit

Nga 5 vite sa ka qenë maksimumi i dënimit me burgim për personat zyrtarë që kryejnë vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoriteti zyrtar, tashmë me Kodin e Ri Penal ky dënim është dyfishuar nga pesë në dhjetë vite burgim.

Parlamenti i Kosovës në seancën e mbajtur të premten e kaluar, ka shqyrtuar ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës.

Neni 422 i Kodit Penal që është në fuqi thotë ”Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.

Ndërsa me plotësimet dhe ndryshimet që priten të ndodhin, neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal do të riformulohet në tërësi si më tutje ”Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vite burgim, nëse dëmi ose dobia pasurore tejkalon vlerën prej pesë mijë (5,000) euro, kryesi dënohet me dënimi prej tri (3) deri në dhjetë (10) vite burgim”.

Nëse bëhet krahasimi atëherë dallohen dy veçori.

Fillimisht nga plotësimi dhe ndryshimi i paragrafit 1 të nenit 422, minimumi i dënimit të paraparë që është 6 muaj burgim, ky minimum i dënimit do të rritet dhe dënimi më i ulët që mund t`i shqiptohet peronit zyrtar që kryen këtë vepër penale është dënim me 1 vit burgim.

Ndryshimi tjetër dallohet në pjesën e dytë të paragrafit, ku ligjvënësi ka paraparë edhe dëmin e shkaktuar apo dobinë pasurore të fituar me kryerjen e kësaj vepre penale, karakteristikë kjo që nuk është e paraparë në Kodin Penal në fuqi.

Kur dëmi që i shkaktohet tjetrit apo dobia pasurore e fituar me vepër penale nga personi zyrtar, kur kjo vlerë tejkalon shumën prej 5.000 Euro, atëherë personi zyrtar që kryen këtë vepër penale dënohet me minimum 3 vite burgim, ndërsa dënimi më i lartë që mund t`i shqiptohet personit zyrtar me kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar është dënimi me 10 vite burgim.

Më tuje tek veprat penale që ndërlidhen me pozitën zyrtare në kapitullin ”korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, respektivisht neni 437 ka një plotësim ndryshim sa i përket paragrafit 1.

Neni 437 apo vepra penale “Mosraportimit ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare, në paragrafin 1 thotë se ” Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës”.

Në rreshtin e fundit të paragrafit 1 parashihet që vepra penale nga ky nen konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitje.

Sipas plotësim-ndryshimit, pas fjalës “kur deklarata” shtohen fjalët “ose korrigjimi i deklaratës”, dhe vazhdon nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.

Pra tashmë edhe deklarata e korrigjuar e cila paraqitet pas afatit të paraparë, do të konsiderohet se është kryer kjo vepër penale, veprim ky pra korrigjimi i deklaratës në Kodin Penal në fuqi nuk është i paraparë.