Me çfarë parime po hyn Kosova në dialog me Serbinë?

Një dokument prej nëntë faqesh sot është dorëzuar nga Ekipi Negociator në Kuvendin e Kosovës. Delegacioni shtetëror ka prezantuar një tekst i cili përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar tё Republikës sё Kosovës në procesin e dialogut.

Platforma për Dialogun mbi Marrëveshjen Përfundimtare, Gjithëpërfshirëse dhe Ligjërisht të Detyrueshme për Normalizimin e Marrëdhënie mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, siç është emëruar edhe zyrtarisht, parasheh dhjetë parimet mbi të cilat do të punojë Delegacioni shtetëror që bashkëkryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

KALLXO.com ju sjell në detaje përmbajtjen e Platformës për Dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Parimi i parë i Platformës parasheh njohjen dhe pranimin e sovranitetit të Kosovës nga ana e shtetit serb.

“Të ndërpres të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran; të respektoj sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës; të heqё dorё nga kundërshtimi, ose ndikimi mbi palёt e treta që të kundërshtojnë, çfarëdo aplikimi nga Republika e Kosovës për 3 anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, dhe agjencitë e tyre; dhe  të heq dorё nga të gjitha format e ndërhyrjes në çështjet e brendshme apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.” thuhet në parimin e parë të kësaj Platforme.

Sipas parimit të dytë të dokumentit të Platformës, nuk do të ketë asnjë marrëveshje, për asgjë pa pasur marrëveshje për gjithçka.

“Njohja e ndërsjellë duhet tё jetё rezultati primar” thuhet në parimin e dytë të saj. 

Parimi i tretë i Platformës për Dialog përjashton hapjen dhe negocimin e Planit të Ahtisarit. 

“Kushtetuta e Kosovёs e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim. Ky Plan shënoi pёrmbylljen e njё procesi tё negociatave tё autorizuara nga Kombet e Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës dhe morri përkrahjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhja përfundimtare” thuhet në parimin e tretë të dokumentit.

Kosova synon t’i zgjidhë disa pika politike në raport me Serbinë, siç janë edhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Heqjen e të gjitha pengesave të mbetura ndaj ushtrimit të pavarur të kompetencave sovrane të qeverisjes, në përputhje me parimet e mos intervenimit dhe mos ndërhyrjes; avancimin e të drejtave të komunitetit shqiptar që jetojnë në Republikën e Serbisë, në reciprocitet tё plotё me komunitetin serb në Republikën e Kosovës; promovimin e respektimit nga të gjitha palët e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe refugjatët, së bashku me standardet përkatëse ndërkombëtare të qeverisjes demokratike, llogaridhënëse dhe transparente; dhe krijimin e mekanizmave të përshtatshëm për të adresuar krimet e luftës, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe drejtës humanitare, përfshirë zbardhjen e fatit tё tё pagjeturve, reparacionin” thuhet në Parimin e katërt.

Dokumenti që sot u dorëzua në Kuvendin e Kosovës nga ekipi negociator ka paraparë që të diskutohen edhe disa pika teknike gjatë dialogut.

“Bashkëpunimin ndërkufitar; lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit; doganat dhe tregtinë; politikat dhe furnizimin e energjisë, transportin, telekomunikacionin dhe transmetimin; bashkëpunimin në nismat edukative, si dhe shkëmbimet akademike dhe kulturore” thuhet tutje në Platformën për Dialog.

Parimi i gjashtë iu kushtua kuptimit të marrëveshjes eventuale, përkatësisht përjashtohet që një marrëveshje të këtë dykuptimësi.

“Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetё e qartё dhe pa dy kuptimёsi. Pёrvoja tregon se qasja e dy kuptimёsisё konstruktive ka rezultuar nё zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Kjo praktikë mund të rezultojë me stagnim dhe mosmarrëveshje eventuale. Dialogu duhet të vazhdoj derisa të dyja palët të ndajnë një kuptim dhe interpretim të përbashkët të asaj se çfarë është rënë dakord” parasheh pika e gjatë e parimeve.

Çdo cenim i integritetit territorial të Kosovës, është i përjashtuar dhe i papranueshëm për shtetin kosovar.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj” (Neni 2(2)). Integriteti territorial i Kosovës garantohet gjithashtu nga e drejta ndërkombëtare” thuhet në pikën e shtatë të parimeve në Platformë.

Marrëveshja e mundshme që mund të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Platformës për Dialog mund të jetësohet vetëm pas plotësimit të disa kritereve. 

“Pёr Republikёn e Kosovёs marrëveshja përfundimtare, ligjërisht e obligueshme hyn nё fuqi, vetёm pas plotёsimit tё kushteve nё vijim a) Serbia ka njohur Kosovёn si shtet i pavarur dhe sovran, b) referendumi pёr marrёveshjen ёshtё mbajtur nё Kosovё, dhe c) marrёveshja ёshtё ratifikuar nga Kuvendet e tё dyja shteteve” thuhet në tekst.

E para se të fillojë dialogu në mes dy shteteve, Kosova do të kërkojë nga Serbia që përmes disa masave të ndërtoj besimin e ndërsjellët.

“Zotimin që, në kuadër të marrëveshjes për të gjitha çështjet e tjera, delegacioni serb e ka autoritetin që të bie dakord për Parimin 1; Zotimin nga Republika e Serbisë se do t’i ndërpresë menjëherë të gjitha aktivitetet diplomatike apo aktivitetet tjera që synojnë të pengojnë ose minojnë njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera gjatë kohës sa dialogu është duke vazhduar, dhe se do të përmbahet nga kundërshtimi, ose nga inkurajimi i shteteve të tjera për të kundërshtuar, i aplikimeve të vazhdueshme të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare” parasheh pika e parafundit e Platformës.

Në pikën e fundit të parimeve, Delegacioni ka paraparë transparencë të plotë, gjithë përfshirje, qasje të lehtë për grupet e interesit dhe konsensusin politik.

Platforma e Dialogut ka paraparë edhe gjykimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë nga shteti serb. Kështu, sipas Platformës duhet të formohet një Tribunal “special për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve tё luftës tё kryera nga Serbia nё Kosovë nё vitet 1998 dhe 1999”.

Përveç kësaj, dokumenti parasheh edhe mekanizmin për kompensimin e viktimave të luftës, zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe kthimin e pronës duke nënkuptuar se shteti serb duhet t’i kthej Kosovës të gjitha arkivat dhe dokumenteve zyrtare të marra gjatë kohës së luftës.

Ky dokument që përmban tetë faqe përmbajtje mbi premisat e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ka paraparë edhe shfuqizimin e Rezolutës 1244.

“Kosova nuk është më një shtet i sapo dalë nga lufta. Pavarësia e mbikëqyrur ndërkombëtarisht u përmbyll me sukses në vitin 2012. Ky fakt duhet të rezultojë me shfuqizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së (1999)” thuhet tutje në tekst.

Në fund, Platforma për Dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë ka paraparë edhe zbatimin e marrëveshjes së arritur, kështu aty kërkohet që marrëveshja do të arrihet nën ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e ShBA-së, të cilat gjithashtu duhet tё shërbejnë si garantues të zbatimit të obligimeve të arritura.