Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Mbyllja e Programeve Tregon Gjendjen e Rëndë të UP-së

Mosakreditimi i 23 programeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nga Agjencia e Kosovës për Akreditimit po vlerësohet si dëshmi për situatën e rëndë në të cilën ndodhet institucioni më i lartë i arsimit në Kosovë.

Kështu po e vlerësojnë situatën e fundit në Universitet, njohës të çështjeve të arsimit në vend si dhe organizata joqeveritare që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë.

Njëri ndër ta, është Blerim Saqipi i cili për KALLXO.com tha se zhvillime rreth procesit të akreditimit në arsimin e lartë në Kosovë duhet parë nga një perspektivë më komplekse, zhvillimore dhe historike.

“Hapja e universiteteve të reja publike pa ndonjë parapërgatitje të duhur dhe pa plotësuar parakushtet bazë ka vendosur arsimin e lartë e sidomos procesin e akreditimit para një sfide të madhe për të vendosur kritere minimale të cilësisë. Kjo për arsye se vetë shteti ishte sponzorizues i hapjes së këtyre universiteteve duke ngritur dyshime rreth motivit të vërtetë prapa një iniciative të tillë”, tha Saqipi.

Sipas tij, procesi i fundit i Agjencisë së Akreditimit ka shënuar progres në raport me shqyrtimin e kritereve të akreditimit e cila ka dobi në rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

“Ky moment shënon fazën e re në të cilën procesi i akreditimit është duke hyrë, e që me fjalë të tjera do të nënkuptojë shqyrtimin e përmbajtjeve programore, relevancës së programeve dhe cilësisë së ofrimit të atyre programeve nga perspektiva e të diplomuarve dhe tregut të punës”, deklaroi Saqipi.

Njohësi i çështjeve të arsimit tha për KALLXO.com se me vendimet e Agjencisë së Akreditimit nuk është se ka rënë cilësia e institucioneve të arsimit të lartë, por ka avancuar procesi i akreditimit.

“Mbyllja apo suspendimi i një numri të konsiderueshëm të programeve nuk duhet parë me ndonjë shqetësim të madh. Shoqërisë sonë i nevojiten kuadro të përgatitura mirë, e jo të shumtë në numër. Sa më parë që të kuptojmë këtë aq më parë arsimi i lartë do të kryejë misionin e vet karshi zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë”, pohoi Saqipi.

Agjencia e Kosovës për Akreditim, me vendimet e publikuara këto ditë, ka pezulluar edhe tri programe të doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Dy nga këto programe i takojnë Fakultetit Ekonomik, ndërsa njëra Fakultetit të Filologjisë.

Blerim Saqipi tha se më i dëmshëm është realizimi jocilësor i programeve të doktoratës sesa pezullimi i programit për një vit apo më shumë.

“Fundja, studimet cilësore të doktoratës duhet të shihen edhe si mundësi transformimi dhe rigjenerimi i vetë universiteteve dhe sektorit të arsimit të lartë në përgjithësi. Universiteti i Prishtinës në veçanti, si institucion më i madh dhe i parë, ka një obligim më të madh drejt përmbushjes së këtij obligimi”, tha ai.

Saqipi tha për KALLXO.com se institucionet e arsimit të lartë bartin përgjegjësinë kryesore në plotësimin e standardeve minimale të kërkuara nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

“Sigurimi i cilësisë është përgjegjësi e brendshme dhe vlerësimi i jashtëm që bën Agjencia e Akreditimit duhet të shihet si mundësi e mirë e referencimit të gjendjes aktuale, monitorimit të progresit dhe caktimit të synimeve zhvillimore për të ardhmen përmes ofrimit të perspektivës së ekspertëve të jashtëm karshi standardeve të zbatueshme të cilësisë”, deklaroi njohësi i arsimit.

Ai tha se institucionet e arsimit të lartë duhet të bëhen partnere në këtë proces duke instaluar një kulturë të tillë të shqyrtimit të cilësisë si pjesë e misionit të tyre dhe praktikave rutinore.

Edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka folur rreth situatës së Universitetit të Prishtinës pas publikimit të vendimeve të Agjencisë së Akreditimit.

“Vendimi i AKA-s është demaskim institucional i punës së dobët dhe papërgjegjësisë të një pjese të konsiderueshme të stafit akademik të universitetit. Ky demaskim vjen pasi ORCA në bashkëpunim me akterë të tjerë të shoqërisë civile dhe mediave, pamundësoi avancimet jomeritore që kanë qenë praktikë në UP. Pasi u bë i pamundshëm avancimi ilegal, doli në shesh situata reale, me ç‘rast 23 programe humbin akreditimin”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Sipas kësaj organizate, kritikat ndaj UP-së vijnë për shkak se një pjesë e madhe e profesorëve të UP-së, neglizhojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Shpërfillja e detyrave dhe përgjegjësive të parapara me kontrata si dhe rehatimi në një praktikë të dëmshme institucionale për sa i përket avancimeve, të cilat janë luftuar dhe po luftohen efektivisht nga ORCA, kanë sjellë te situata që 23 programeve të UP-së t’u pezullohet akreditimi deri në një vendim tjetër”, thuhet në reagimin e organizatës ORCA.

Kjo organizatë pret nga institucionet relevante dhe nga menaxhmenti i UP-së që të fillojë zbatimin e masave ndëshkuese, aplikim të kontrollit rigoroz për mbarëvajtjen e mësimit në UP dhe parandalimin e menjëhershëm të praktikave abuzuese nga stafi akademik.

Në 23 programet e pezulluara të UP-së nga Agjencia e Akreditimit nuk do të mund të regjistrohen studentë në vitin e ardhshëm akademik 2017/2018.

Në Emisionin Jeta në Kosovë në mars të këtij viti dy ekspertë europianë konstatuan se në “Universitetin e Prishtinës ka korrupsion vulgar”.

http://kallxo.com/korrupsioni-vulgar-ne-universitetin-e-prishtines/

Edhe Gazeta Jeta në Kosovë vazhdimisht ka shkruar për avancime të dyshimta të profesorëve në UP dhe konkurse që janë shoqëruar me shkelje.

Profesori i Mjekësisë, Dyshime për Avancim me Plagjiaturë e Falsifikim

Shkeljet e Shumta në Konkursin për Profesor Asistent në FShMN

Fuqia e Enver Hasanit dhe Tre Ministrave