Dërgimi në gjykatë i njërit nga të akuzuarit e Rastit Badovci | Foto: KALLXO.com

‘Mbjellja’ e Radikalizmit Fetar në Shtetin e Ri

Flamurin kaltër e verdhë me gjashtë yje, mbi 130 kosovarë që janë në Siri nuk do ta nderojnë.

Ata, duke qëndruar pjesë e organizatave terroriste edhe këtë vit do t’i përulen flamurit të zi, që deri më tash është përlyer me gjakun e 76 shtetasve të Republikës së Kosovës, e së fundmi me Kastriot Ademin e Betim Ibrahimaj ndërsa vendlindjen e kanë futur për të keq në ballinat e gazetave më të njohura botërore.

Kur vitin e kaluar “The New York Times” e kishte cilësuar Kosovën si “tokë të plleshme për ISIS-in”, reagimet nga vendi ishin të ashpra.

Fenomeni i radikalizimit në Kosovarë mori përmasa të mëdha në 10 vjetët e fundit, pasi shumë kosovarë shkuan në Siri për të luftuar përkrah formacioneve ushtarake, e disa prej tyre për të mos u kthyer më.

Disa prej tyre humbën jetën nëpër sulmet terroriste apo kamikaze, e disa prej tyre u kthyen në Kosovë për tu përballur me akuzat për terrorizëm.

Shumë prej tyre morën rrugën drejt Sirisë për të luftuar kundër të “këqijve”, por që rezultoi se luftuan në krah të tyre, ndonëse pa marrë parasysh qëllimit, ligji e ndalon pjesëmarrjen në formacionet e huaja ushtarake.

Rruga që shfrytëzuan për të udhëtuar drejt Sirisë, ishte kryesisht nga aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës, për në aeroportin e Stambollit, e prej aty për në Siri.

Bazuar në statistikat e fundit të dhëna nga Stacioni Policor i Kosovës, 58 fëmijë janë në zonat e luftërave në Siri, janë kthyer apo janë vrarë atje, ndërsa 41 fëmijë kanë lindur në këto zona.

Më tej, këto statistika tregojnë se si gjithsej 255 meshkuj dhe 49 femra të moshës madhore janë momentalisht në ato zona, apo janë kthyer e vrarë atje.

Në total, bazuar në këto statistika numri i personave të përfshirë në Siri është 403.

E të rinjtë që u kthyen nga “toka e shenjtë që fitohet Xhehneti”, nuk kishin jetën e njëjtë si më parë.

Hulumtimi ekskluziv që ka bërë “Drejtësia në Kosovë”, ka vënë në pah se si të miturve të dënuar për terrorizëm u është pamundësuar vazhdimi i shkollimit të tyre, duke i mbyllur rrugën kështu risocializimit të tyre.

Në këtë hulumtim, është treguar për jetën e dy 16 vjeçarëve, njëri nga Vitia e tjetri nga Gjilani, të cilët ishin nisur për në Siri të motivuar që të jenë pjesë e luftës atje, veçanërisht në qytetin Sirian të Alepos. Fatmirësisht tentativa e tyre nuk kishte shkuar përtej Aeroportit të Prishtinës ku ishin ndaluar, ndërsa më pas, një varg institucionesh ishte dashur të merren me risocializimin dhe ri integrimin e tyre.

Dy të rinjtë u dënuan me nga 1 vit në Qendrën Korrektuese të Lipjanit nga ku supozohej se ata do të dilnin të shkolluar dhe më një profesion që do t’u mundësonte një jetë të re.

“Drejtësia në Kosovë” zbuloi se si rrjedhojë e një mosmarrëveshje mes të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe MASHT-it, këtyre të rinjve u është pamundësuar vazhdimi i shkollimit.

Pasi të dy kishin mbajtur nga 9 muaj në Qendrën Korrektuese të Lipjanit dhe ishin liruar me vendim të Gjykatës, asnjëri nga 16 vjeçarët nuk janë pajisur me certifikata për arsimimin e tyre.

Krejt ky pështjellim u pranuar edhe nga zyrtarët e Qendrës Korrektuese të Lipjanit, madje aty tregohet se problemi është edhe më i madh se që duket në terren.

Heset Loku nga SHKK thotë se arsimimi i personave të dënuar është kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Arsimit ndërsa thotë se për këtë problem qysh para dy vjetëve e ka njoftuar Ministrinë.

“Të miturit po vijojnë mësimin, po përfundojnë mësimin dhe në fund nuk arrijnë të marrin certifikata dhe shkak i kësaj janë mosmarrëveshjet apo mos sqarimi i kompetencave në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Arsimit në Lipjan”, tha Loku.

Ky nuk është problemi i vetëm që ka vënë në dritë hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”. Gjithashtu është zbuluar se të miturit që kanë ndjekur trajnim profesional gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese nuk janë pajisur me certifikata sepse nuk u ka mjaftuar kohëzgjatja e dënimit.

“Në njërën prej këtyre grupeve kanë qenë edhe dy të miturit e dënuar për terrorizëm dhe pasi që kanë pasur sjellje të mirë janë liruar para kohe dhe nuk kanë arritur t’i përfundojnë modulet e programeve trajnuese dhe kanë mbetur pa certifikate”, tha Loku.

Loku më tej tha se problemi i dy të miturve të dënuar për terrorizëm është dashur të trajtohet me kujdes të veçantë ndërsa thotë se për këtë problem ka njoftuar disa herë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë e Arsimit në Lipjan.

DnK kishte zbuluar se problemin e njëjtë me të miturit e dënuar për terrorizëm e kanë edhe rreth 30 të mitur të tjerë të dënuar ndërsa dështimi i organeve shtetërore për tu mundësuar shkollimin të dënuarve për terrorizëm që donin të ishin pjesë e organizatave terroriste  tregon se strategjia kundër terrorizmit nuk ka shkuar përtej të qenit një dokument i mbetur në letër.

Aktualisht në organet e drejtësisë të Kosovës, janë disa procese gjyqësore të cilat po zhvillohen për veprat penale lidhur me terrorizëm, si organizimi dhe pjesëmarrja në to dhe përgatitja e veprave të tilla.

Pjesë e procesit gjyqësor është edhe imami i xhamisë së madhe “Mehmet Faith” në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, ndaj të cilit u ngritë aktakuzë nga Prokuroria Speciale pas 2 vite e 6 muajve hetim ndaj tij.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon Krasniqin me veprën penale për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar, si dhe për shmangie nga tatimi.

Sipas kësaj aktakuze, Krasniqin akuzohet se në intervalin kohor 2013-2014 me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për në Siri.

Për të mbështetur fajësinë e Krasniqit lidhur me këtë pikë të akuzës Prokuroria ka propozuar tre dëshmitarë, familjarë të tre personave që Prokuroria pretendon se shkuan në Siri si rezultat i ndikimeve nga Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tre të rinj kosovarë që kishin dëgjuar ligjëratat e Krasniqit morën rrugën për në Siri, ku njëri prej tyre humbi jetën, një tjetër e gjinisë femërore vazhdon të mbetet në Siri ndërsa për personin e tretë nuk jepen detaje në aktakuzë për fatin e tij.

Më tutje, panikë për ngjarjet që po zhvillohen në Siri, nuk pati vetëm atje, apo në Francë, Turqi e Angli, por pati edhe brenda territorit të Kosovës.

Në mëngjesin e 11 korrikut të vitit 2015, Policia e Kosovës njoftoi se në afërsi të Liqenit të Badovcit kishte arrestuar disa persona të dyshuar për terrorizëm.

Arrestimi i tyre ngriti dyshime për helmimin e ujit në njërin nga basenët kryesorë prej nga Prishtina furnizohet me ujë të pijshëm.

Pak orë pas këtyre informacioneve, Kompania e Ujësjellësit kishte njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për kryeqytetin nga liqeni i Badovcit deri në përfundimin e analizave nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Pas kërcënimeve për sulme terroriste liqeni ishte vënë  nënë mbikëqyrjen 24 orësh të policisë e cila nisi të patrullojë edhe me varkë në këtë liqe.

Gati gjashtë muaj pas kësaj ngjarje, Prokuroria Speciale e ka dorëzuar aktakuzën ndaj gjashtë të arrestuarve.

Në dokumentin prej 26 faqesh ndër të tjera sqarohen pretendimet e prokurorisë se të pandehurit Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Betim Ibërdemaj, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi kanë kryer veprën penale të përgatitjes së veprës penale terroriste.

Aktakuza sqaron se pesë të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit me qëllim që të incizojnë një video propaganduese në të cilën kanë pasur për qëllim ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.

Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojnë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit Shtetit Islamik në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.

Për ta realizuar videon, sipas aktakuzës, të pandehurit ishin pajisur me një kallashnikov dhe pesë karikatorë, uniforma ushtarake, maska si dhe një flamur të organizatës ISIS.

Në korrik të vitit 2017, të akuzuarit e këtij rasti u dënuan nga Gjykata Themelore e Prishtinës me dënim me burgim, ashtu që Besnik Latifi u dënua me 4 vjet e 6 muaj burg, ndërsa Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj e Enis Latifi me nga 3 vjet e 6 muaj. Fehmi Musën gjykata e ka dënuar me 3 vjet burg. Këto dënime i aprovoi edhe Gjykata e Apelit në dhjetor të po atij viti.

Një person tjetër, i cili është cilësuar si “luftëtari më i njohur dhe më radikal shqiptar” në Siri është Lavdim Muhaxheri.

Zëdhënësi i forcave të koalicionit, kolonel Ryan Dillon bëri të ditur se Muhaxheri është vrarë më 7 qershor të 2017- ës në sulmin ajror te Majadin, jo larg Deir Ezor në lindje të Sirisë.

“Ai ishte shqiptar nga Kosova dhe lider i vetë proklamuar i luftëtarëve të huaj të Shtetit Islam nga Kosova”, ka thënë Dillon për media përmes një video-thirrjeje nga Bagdadi.

Ai ka thënë se Muhaxheri ishte “luftëtari më i njohur dhe më radikal shqiptar” në Siri, përgjegjës për planifikim sulmesh të shumta terroriste, përfshirë edhe planin e pasuksesshëm për sulm ndaj futbollistëve izraelitë në ndeshjen Shqipëri-Izrael, të zhvilluar vitin e kaluar në Shqipëri.

Në Kosovë në qershor ishte konfirmuar lajmi për vdekjen e Lavdim Muhaxherit. Familja e tij kishte hapur të pame në Kaçanik ndërsa emisioni Jeta në Kosovë kishte zbuluar që ministra të qeverisë së Kosovës kishin ngushëlluar familjen.

Parandalimi i ekstremizmit në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë temë e diskutimeve të shumta në takimet e krerëve të organeve shtetërore.

Më 28 qershor të vitit 2016, në një seminar të organizuar nga Policia e Kosovës dhe OSBE, Fatos Makolli, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, vlerësoi se organet e sigurisë merren me luftimin e shkeljeve të ligjit nga radikalizmi i çfarëdo lloji, por nuk mund ta luftojnë ekstremizmin si fenomen.

Ndërkaq, në të njëjtin seminar, Naim Hoxha, nga Këshilli Nacional Kundër Krimit të Organizuar në kuadër të OSBE-së në Kosovë, konstatoi se masat parandaluese janë përgjegjësi e pjesëve të ndryshme të shoqërisë.

“Masat reaktive duhet gjithsesi të jenë të shoqëruara me përpjekjet parandaluese të fokusuara në adresimin e disa prej kushteve të favorshme për përhapjen e terrorizmit të dhunshëm. Organizatat joqeveritare, mediat, komunitetet lokale dhe çdo qytetar, individ, familjar dhe të afërm mund të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e depërtimit të mëtejmë të këtij fenomeni në shoqërinë kosovare”, tha Hoxha.

Në vitin 2015, Zyra e Kryeministrit prezantoi Strategjinë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpien në Terrorizëm 2015-2020, strategji kjo e përmbledhur në 33 faqe.