Mbi 50 punonjës të larguar nga BKS, në mesin e tyre edhe gra që ishin në pushim të lehonisë

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) në dhjetor të vitit të kaluar ka vendosur të mos u vazhdoj kontratën e punës mbi 50 punëtorëve të saj. Në mesin e tyre, edhe grave që ndodheshin brenda afateve ligjore të pushimit të lehonisë. Shumë nga të larguarit, kanë deponuar ankesa në Inspektoratin e Punës, por edhe në gjykata. Rastet mbeten ende të pa trajtuara, ndërsa menaxhmenti i ri, që këtë e kishte bërë në emër të reformave, ka paralajmëruar reformatim të mëtejmë. Në vend të të larguarëve, shumica nga ta me pervojë të gjatë, për të cilët nga BKS thonë se janë mosvazhdime të kontratave, janë angazhuar punonjës të ri, disa prej të cilëve sipas burimeve të KALLXO.com brenda këtij institucioni, nuk kanë përvojë pune.

Rifat Kelmendi i cili deri në dhjetor kishte mbajtur pozitën e përfaqësuesit juridik në Byronë Kosovare të Sigurimeve, pretendon se padrejtësisht nuk i është vazhduar kontrata e punës.

Kelmendi i cili kishte punuar në BKS që nga viti 2012 fillimisht në pozitën e drejtorit të Departamentit Juridik dhe Administratës, në vitin 2016 ishte shkarkuar nga kjo pozitë për të vazhduar si përfaqësues juridik.

Kelmendi pas mosvazhdimit të kontratës, kishte paditur Byronë në Gjykatën Themelore të Prishtinës e cila kishte vendosur që i njëjti të kthehej në vendin e punës.

Ai ka thënë për KALLXO.com se i është kërkuar që të heq dorë nga ky aktgjykim në mënyrë që t’i vazhdohet kontrata e pozitës që mbante së fundmi.

“Në mënyrë tinëzare jam njoftuar për shkëputje të kontratës. Gjatë muajit janar jam kushtëzuar në kundërshtim me dispozitat ligjore, që unë duhet të heq dorë nga aktgjykimi dhe pozita e drejtorit, e që të më vazhdohet kontrata e punës në pozitën që mbaja si përfaqësues në gjykatë”, ka thënë ai.

Kelmendi ka thënë për KALLXO.com se njoftimi i datës 31 dhjetor 2020 për mosvazhdim të kontratës së tij të punës, nuk përmban asnjë arsyetim se përse nuk i vazhdohet marrëdhënia e punës.

“Ka qenë praktikë që të vazhdohen kontratat e punës pas skadimit të tyre dhe kjo praktikë është vazhduar që 9 vjet në BKS dhe atë për të gjithë punësuarit. Nuk është bërë as vlerësimi i performancës as asgjë”, ka shtuar tutje ai.

Në mesin e punëtorëve që nuk u është vazhduar kontrata e punës është edhe Auditori i Brendshëm i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Kujtim Graiqevci.

Sipas tij, mos vazhdimi i kontratës së punës për pozitën që kishte i është bërë me njoftim nga ana e Ushtruesit të Detyrës së asaj kohe të drejtorit ekzekutiv, Sami Mazreku është e kundërligjshme. Mazreku është konfirmuar ditë më parë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit ekzekutiv edhe nga Banka Qendrore e Kosovës, e cila është mbikëqyrëse e BKS-së.

“Njoftimi nga menaxheri i lartë në cilësinë e U.D nuk ka asnjë bazë ligjore dhe si i tillë paraqet shkelje të vrazhdë dhe presion direkt në pavarësinë e Auditorit të Brendshëm pasi që është në kundërshtim me statutin e Byrosë Kosovare të Sigurimit ku është e përcaktuar mënyra e emërimit dhe shkarkimit eventual për funksionin e Auditimit të Brendshëm në BKS”, ka thënë Graiqevci.

Graiqevci ka deponuar ankesë edhe në Inspektoratin e Punës, për të cilën ende nuk ka marrë përgjigje ndërsa padinë ndaj BKS e ka dorëzuar më 5 shkurt në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Byroja Kosovare e Sigurimeve ka thënë se “në rastin konkret njoftimi i lëshuar nga atëherë U.D i drejtorit Mazreku e tash drejtor ekzekutiv, nuk paraqet emërim apo shkarkim nga detyra e Auditorit të Brendshëm të Institucionit”.

“Sipas statutit në fuqi, është kompetencë dhe përgjegjësi të drejtorit ekzekutiv që të kujdeset për ligjshmërinë e punëve në institucion, për çka i njëjti duke qenë organi më i lartë i institucionit, nuk kishte marrë vendim për vazhdimin e marrëdhënies së punës pas skadimit të kontratës së punës me datë 31.12.2020, ka njoftuar zyrtarin përkatës se kontrata e punës nuk do të vazhdohet”, thonë nga Zyra për Media në BKS.

Gjithashtu nga Byroja Kosovare e Sigurimit kanë thënë se “ata nuk kanë larguar asnjë person nga puna, vetëm se disa nga punëtorëve nuk u janë vazhduar kontratat sipas ligjeve në fuqi”.

Nga BKS për KALLXO.com kanë theksuar se në bazë të ligjit të gjithë punëtorët janë njoftuar me kohë për mosvazhdim kontrate, por edhe atyre që u është dërguar njoftimi me vonesë, është respektuar Ligji i Punës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Agim Elshanin, kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë, i njëjti ka thënë shkurt se “besoj se ata i kanë njoftuar se u skadon kontrata”.

Edhe Dren Hotit i cili në BKS kishte mbajtur pozitën e Përfaqësuesit në Gjykata nuk i ishte vazhduar kontrata e punës për vitin 2021 dhe për këtë ka dërguar ankesë në Inspektoratin e Punës, për të cilën pret përgjigje ende.

Hoti për KALLXO.com ka thënë se e sheh si shkelje të rëndë faktin se në njoftimin për mosvazhdim të kontratës, nuk është dhënë asnjë arsyetim përse nuk i vazhdohet kontrata e punës.

“Njoftimi për mosvazhdimin e marrëdhënies së punës është në kundërshtim flagrant me dispozitat ligjore, kjo pasi ai është nxjerr na u dhënë mundësia e njoftimit e performancën e punës e as që i na është dhënë mundësia të deklarohemi apo të sqarohet diçka”, ka thënë ai.

Hoti gjithashtu pretendon se edhe atij i është kërkuar që të tërheq një padi aktive ndaj Byrosë Kosovare në mënyrë që t’i vazhdohet kontrata e punës për pozitën e Përfaqësuesit në Gjykata.

“Më është kërkuar që të tërheq një padi aktive kinse është vendim i Këshillit Administrativ, pa ma e prezantuar fare vendimin, për paditë që i kemi pasur ndaj BKS për shkarkim të mëhershëm nga pozitat në mënyrë të paligjshme, nga ajo e Shefit të Dëmeve unë, ku nuk kam pranuar tërheqjen e padive”, tha ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Këshillit Administrativ të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Besarb Blakaj nëse kanë pasur një vendim të tillë, por që i njëjti nuk është përgjigjur.

Në Nenin 69 të Ligjit të Punës së Republikës së Kosovës parashihet që ndërprerja e marrëdhënies së punës nga i punësuari, mund të ndodh duke informuar paraprakisht të punësuarin 15-30 ditë para përfundimit të kontratës.

Ndërsa pa njoftim paraprak mund të ndodh vetëm atëherë, kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së pakënaqshme, një afat të përcaktuar kohor brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën e vet, si dhe një deklaratë e dështimi për përmirësimin e performancës – do të rezultojë me largim nga puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.

Ndërkaq pjesë e personave që nuk u është vazhduar KALLXO.com mëson se kanë qenë edhe gratë që ishin në pushim të lehonisë, gjë e cila sipas Ligjit është e ndaluar.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës duke qenë se është institucion mbikëqyrës i BKS-së.

Kushtrim Ahmeti zëdhënës i BQK-së ka thënë për KALLXO.com se çështja e organizimit dhe menaxhimit të brendshëm të institucioneve financiare, është kompetencë e organeve menaxhuese.

“BQK-ja nuk ka të drejtë ligjore të përzihet në çështjet e organizimit të brendshëm të institucioneve financiare, në këtë rast të BKS-së, përveç nëse kërkohet me kornizën ligjore në fuqi”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com

Byroja Kosovare e Sigurimeve është themeluar në vitin 2011 bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia për qëllime jofitimprurëse nën mbikëqyrjen e Bankës Qendrore të Kosovës.

BKS ka statutin e saj i cili është miratuar në qershor të vitit të kaluar.

Sipas këtij Statuti, organet kryesore të BKS-së janë Asambleja e Përgjithshme, Këshilli Administrativ dhe Drejtori Ekzekutiv i Byrosë.

Gjatë një konferencë për media pas vizitës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti në Byronë Kosovare të Sigurimeve, në atë kohë Ushtrues Detyre i drejtorit ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku tani kryshef ekzekutiv, kishte paralajmëruar reforma në këtë institucion.