"Matje pulsi" për përfshirjen e PDK-së në Qeverinë Hoti

Mundësia e përfshirjes së Partisë Demokratike të Kosovës në koalicionin aktual qeverisës me kryeministër Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është bërë temë diskutimi gjatë javëve të fundit në Kosovë.

Situata e krijuar me pandeminë, telashet e shpërfaqura në publik të LDK-së me partnerin qeverisës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt për dialogun me Serbinë dhe jo vetëm, e sidomos situata e krijuar pas publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, kanë nxitur deklarimet e një përfshirje të mundshme të partisë së Kadri Veselit ne ekzekutiv.

Në anën tjetër, vet Veseli në vazhdimësi ishte deklaruar se subjekti i tij politik do të vazhdojë të mbetet në opozitë, deri në zgjedhjet e reja sado që ka zëra brenda partisë që janë në favor të përfshirjes në qeveri tani kur Hoti ka hyrë në muajin e tretë punës si kryeministër.

KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga dy nënkryetarët e PDK-së, Shaqir Totaj e Agim Aliu, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm përmes telefonit.

Kurse, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka thënë për KALLXO.com se përfshirja e këtij subjekti politik në qeveri nuk është diskutuar në organet drejtuese të partisë.

Ai ka shtuar se këto deklarime janë vetëm dëshira të partive në pushtet.

“Përgjgjja ime zyrtare është që në asnjë nivel, prej kryetarit të partisë deri të Këshilli drejtues ndërmjet tyre dhe te kryesia nuk është diskutuar kjo çështje. Këto janë veç dëshira të shprehura nga partitë që janë në pushtet”, u shpreh Bytyçi.

Por, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë për KALLXO.com se PDK-ja duhet të përfshihet në një koalicion të gjerë politik.

Sipas tij, për t’u përballur me të gjitha këto probleme, Kosova duhet të ketë një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë.

“Unë besoj në fuqinë e PDK dhe ekspertët e politikanët e sajë dhe duke u bashkuar (sipas një marrëveshje) së pari me LDK e edhe me partitë tjera për të qeverisur vendin duke u përballur me çështjet që duhet t’i zgjidhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Halitit, Kosova është në udhëkryq të madh për shumë arsye.

“E para është, Pandemia e Covid-19, e dyta është dialogu me Serbinë, e treta ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës, e katërta tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës, e pesta Gjykata Speciale, ekonomia e dobët, arsimimi që lë për të dëshiruar, shëndetësia, punësimi, korrupsioni, nepotizmi, organet e sigurisë, integrimin në institucione ndërkombëtare, aleancat strategjike me SHBA, BE, Britaninë e madhe etj, politika e jashtme … që mos t’i numëroj të gjitha. Kërkojnë politikbërje të përgjegjëshme shtetërore dhe jo individi apo koalicioni të brishtë si ky që kemi”, theksoi ai për KALLXO.com.

Ish-nënkryetari i Kuvendit shtoi tutje se mendimi i lirë i individit është pjesë e rëndësishme e demokracisë dhe se siç u shpreh ai, në PDK askush se penalizon askënd për mendimin e shfaqur publikisht.

“Unë s’kam hy në politikë si ministër prandaj edhe se kam problem përse i prishet dikujt matematika. Mendimi im është i hapur edhe në organet e partisë por asnjëherë i porositur. Demokracia s’është anarki, por është diktaturë e ligjit, rregullave, statutit, e Kushtetutës. PDK, pas debatit në organet e saj, të gjitha vendimet e saja i merr me konsensus ose me shumicën e votave”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, por se deri tani nuk ka arritur të sigurojë më shumë nënshkrime përveç atyre të deputetëve të saj.

PDK-ja ndërkaq nuk ka dhënë qëndrim të qartë nëse do të përkrahë LVV-në në këtë drejtim.

Megjithkëtë, për njohës të çështjeve politike në vend, njoftimi i Dhomave të Specializuara për ekzistencën e aktakuzave ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veselit, do të mund të krijojë një situatë të re politike, në rast se këto aktakuza konfirmohen.

Një muaj më parë, ishte vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili deklaroi se Kosovës i duhet një stabilitet politik, duke lënë të hapur mundësinë e zgjerimit të koalicionit qeverisës, edhe me PDK-në, ndonëse kishte premtuar se me këtë qeveri nuk do të qeveriste më, pas rrëzimit të qeverisë së tij në vitin 2017.

“Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës”, ishte shprehur mes tjerash Mustafa.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Artan Muhaxhiri thotë për KALLXO.com se Qeveria Hoti është ndërtuar në rrethana të veçanta dhe po vazhdon të funksionojë kësisoj.

“Të pasuarit e Qeverisë Kurti, e cila kishte përkrahje të jashtëzakonshme publike, problemet fundamentale brendapartiake me Vjosa Osmanin, njoftimi i Dhomave të Specializuara për ekzistencën e aktakuzave ndaj Presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, si dhe ndryshimi për të keq i dinamikës së pandemisë me COVID-19 – të gjitha këto ndodhi e kanë tronditur thellësisht potencialin e kësaj qeverie për punë normale”, shprehet ai.

Sipas Muhaxhirit, rikonfigurimi i Qeverisë Hoti mund të planifikohet vetëm pas vendimit për vërtetimin apo refuzimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit. “Nëse vërtetohen, situata do të imponojë ndryshime tejet të mëdha, posaçërisht në Kuvend, ndërsa refuzimi ofron hapësirë për vazhdimësi të patrazuar”.

Ai tutje vlerëson se riformësimi i tillë do ta komplikojë vendimmarrjen e Qeverisë Hoti, sepse balancat e pushteteve do të bëhen edhe më fragjile.

“Nëse ajo do të mund t’i sigurojë 80 vota në Kuvend atëherë do të merret në konsideratë edhe për etapën përfundimtare të dialogut – në të kundërtën, mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve është e vetëkuptueshme”, shprehet analisti.

Sa i përket pozicionimit aktual politik të PDK-së, Muhaxhiri thotë se synimi aktual i kësaj partie është që – pas shumë viteve të të shpenzuarit pushtetar – tash ta luajë rolin e një partie opozitare të baraslarguar si ndaj qeverisë, ashtu edhe në raport me kundërshtaren më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kjo do t’ia lejojë ndryshimin e qasjeve që në të kaluarën janë dëshmuar si të gabuara, tentimin për freskimin me kuadro të reja, dhe përgjithësisht, përplotësimin e metodologjisë organizative dhe rifokusimin e caqeve ideologjike”, thekson ai për KALLXO.com.

Mirëpo, siç shprehet analisti politik, vërtetimi eventual i aktakuzës ndaj Kadri Veselit do të rezultojë me shtyrje të këtyre planeve për shkak të ndryshimit të lidershipit dhe fuqizimit të disa strukturave të reja partiake. “Këto akte do të mund të shfrytëzohen si alibi për largim nga opozita dhe përfshirje në një format të qeverisë së gjerë, ndërkaq që mendohen konturat e ofertës së ardhshme zgjedhore”.

Ndërkaq, lidhur me sinjalet e LDK-së për një bashkëpunim të radhës me PDK-në në qeveri, analisti Muhaxhiri vlerëson se nëse Gjykata Speciale vendos për ngritje të aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit ky momentum do të krijojë “tërmet” në spektrin politik dhe domosdoshmëri për një realitet të ri partiak në Kosovë.

“Interesat, mobilizimet dhe aleancat do të ndryshojnë, me to edhe shpjegimet arsyetuese”, thotë ai për KALLXO.com.

Sipas Muhaxhirit, jo vetëm LDK-ja, por asnjë parti kosovare nuk do të mund ta mbajë e vetme mbi supe peshën historike të vendimeve madhore që priten të merren në periudhën e ardhshme.

“Prandaj, është realizëm politik që – në koordinim me aleatët ndërkombëtarë – të kontribuohet për një formulë të bashkëpunimit e cila do t’i ruante veçantitë identitare të partive, ndërkohë që do t’i mundësonte veprimet konstruktive brenda këtij konteksti delikat”, përfundoi ai.