Masat ndaj coronavirusit - Komunat nuk kanë kapacitete për dezinfektimin e rrugëve nëpër fshatra

Pas përhapjes së coronavirusit edhe në Kosovë, pothuajse të gjitha komunat kanë bërë pastrimin, dezinfektimin e rrugëve, trotuareve dhe objekteve institucionale.

Deri më tani vendet që kanë shënuar rastet me të konfirmuar me coronavirus janë Vitia, Malisheva, Podujeva, Klina dhe së fundmi Gjakova, duke shkuar numri në 20 me të identifikuar pozitiv. Përderisa, katër ditë më parë Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

Tashmë e katër ditë në karantinë është Malisheva, pas rastit të rezultuar pozitiv të një 37 vjeçare nga fshati Bubavec. Por që, drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Malishevës, Milazim Morina deklaroi për KALLXO.com se kanë bërë dezinfektimin dhe pastrimin e rrugëve, por që për në fshatra, thotë se nuk kanë kapacitet.

Përveç kësaj, Morina thekson së po përballen edhe me ndezjen e zjarreve e që po ju shkakton problem duke pamundësuar që njësiti i zjarrfikësve të angazhohet për pastrim dhe dezinfektim.

“Të gjitha masat janë marrë. Është bërë dezinfektimi i komunës, ambulantëve, shkollave, çerdheve. Dje kemi bërë edhe pastrimin e rrugëve. Presim që të angazhojmë edhe zjarrfikëset por kemi pasur disa raste të zjarreve dhe nuk i kemi mundur të angazhojmë, po presim t’i angazhojmë tash për pastrim dhe dezinfektimin e rrugëve. Nëpër fshatra nuk kemi mujtë, nuk kemi kapacitet por ndoshta do të fillojmë në ndonjë fshat ku janë lajmëruar me virus”, ka thënë Morina.

Ndërkaq, Suhareka e cila nuk ka të shënuar ende ndonjë rast me coronavirus, zyrtarët komunal thonë se përveç rrugëve të qytetit, kanë bërë dezinfektimin edhe të 42 fshatrave me ndihmën e tri kompanive.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë, Enver Shabani thotë se kanë shpërndarë mbi 60 mijë litra ujë më preparate për dezinfektim.

“Dezinfektimin e objekteve institucionale, komunave, shkollave, ambulanteve dhe të tjera i kemi bërë më një firmë të licencuar dhe objektet për rreth. Si aksion të dytë kemi bë dezinfektimin e të gjithave rrugëve të qytetit të Suharekës dhe të 42 fshatrave në rrugët kryesore dhe lokale. I kemi shpërndarë mbi 60 mijë litra solucion d.m.th. ujë më preparate për dezinfektim”, tha ai.

Shabani deklaroi gjithashtu se kanë ndarë një fond prej 20 mijë euro për familjet me nevojë për paketa ushqimore dhe higjienë.

“Sot është dita e tretë qe jemi t`u vazhdu me dezinfektim dhe kemi bërë larjen e rrugëve të qytetit. Janë tri kompani që na kanë ndihmu për dezinfektim; Frutex që na ka qu pajiset traktorin dhe automizerin, AgroKosova Holding që na kanë pajisje dhe kompania Solid që na preparatin falas. Për të gjithë këtë dezinfektim dhe larje të qytetit dhe fshatrave i kemi bërë më donacione. Po na ndihmojnë edhe ekipet e zjarrfikësve edhe pse kohëve të fundit po përballemi edhe më ndezjen e zjarreve është dashur që të intervenojnë në to. Kemi ndarë një fond prej 20 mijë euro për familjet me nevojë për paketa ushqimore dhe higjienë. Nuk ka mungesë të asnjë produkti në Suharekë, duke përjashtu mielli”, u shpreh Shabani.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike të Mitrovicës, Naser Muja për KALLXO.com ka thënë se vazhdimisht po bëhet pastrimi i rrugëve, ndërsa dezinfektimi po bëhet çdo mbrëmje në sheshet e qytetit.

“Qyteti i Mitrovicës është duke u pastru, sheshet kryesore janë dezinfektuar. Të gjitha janë dezinfektu, me shkolla me komunë. Nuk ka asnjë ditë të vetme që kompania që e bënë pastrimit nuk e bënë pastrimin edhe natën edhe për mbeturina edhe për pastrim edhe për gjitha. Për momentin të Tuneli dje kemi arrit por në fshatra nuk mundemi me arrit hala”, u shpreh Muja.

Por, për në fshatrat e Mitrovicës, ka thënë se nuk e kanë planifikuar.

“Qëllimi kryesor është të vendet që ka popullsi më të madhe ku ka përqindje më të madhe të popullsisë. Për fshatra nuk kemi ndonjë planifikim njëherë se distanca mes shtëpive është e madhe nëse kemi mundësi. Në mëngjes është bërë pastrimi i rrugëve me ujë. Dezinfektimin e shesheve po e bëjmë çdo mbrëmje, ku ka d.m.th. frekuentim më të madh edhe pse qytetarët janë vetdijesu nuk kemi tollovi”, ka thënë Muja.

Klina si qyteti i parë me të konfirmuar një rast me coronavirus ka hyrë në karantinë që nga e shtuna.

Ndërkaq, sa i përket dezinfektimi të rrugëve, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Iber Elezaj për KALLXO.com u shpreh se do të bëhet të enjten.

“Dezinfektimi të gjitha objekteve publike është kry të mërkurën, janë kry edhe dezinfektimi i QKMF-së në Klinë, të enjten vazhdojmë me dezinfektim të rrugëve”, tha Elezaj.

Si masë shtesë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, Komuna e Drenasit ka bërë pastrimin e rrugëve në Drenas që dy ditë.

Drejtoresha e Shërbimeve Publike në këtë Komunë, Lumnije Krapi, bëri të ditur për KALLXO.com se sot do të bëjnë dezinfektimin në Komoran.

“Të gjitha masat sipas vendimit të qeverisë jemi duke i zbatuar. Kemi bërë dezinfektimin e rrugëve dhe objekteve, sot do të bëjmë dezinfektimin në Koroman. Pastrimi dhe dezinfektimi shkon sipas planit, por që këtë herë si pasojë e situatës së krijuar duhet që të fillojmë më shpejtë”, tha ajo.

Ndërsa, sipas drejtorit të Shërbimeve Publike në Rahovec, Perparim Krasniqi, tashmë e dy ditë kanë filluar me pastrim dhe dezinfektim që përfshinë gjithë territorin e Rahovecit.

“Kemi filluar para dy ditëve në gjithë territorin e Komunës. Kemi bërë dezinfektimin e 35 vendbanimeve prej tyre në katër fshatra është duke u bërë sot”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Arben Halili, drejtor i Shërbimeve Publike të Ferizajt, në prononcim për KALLXO.com u shpreh se dezinfektimin e kanë bërë të hënën dhe po vazhdojnë edhe sot.

Ndërsa për pastrimin e rrugëve, Halili thotë se po e bëjnë çdo ditë.

“Vazhdimisht është duke u pastru dhe tu u dezinfektu varësisht nga kërkesat e inspektorit përmes kompanisë dhe zjarrfikëseve, me masa kimike dhe dezinfektues. Kemi fillu qe kur është shpallur gjendja emergjente. Janë dezinfektuar edhe ndërmarrjet publike, stacioni i zjarrfikësve, i pastërtisë, Kompania Regjionale e Ujit dhe Kanalizimit “Bifurkacioni, i autobusëve”, tha Halili.

“Çdo ditë i bëjmë, sidomos sheshi si ma i frekuentuar dhe kështu do të vazhdojmë deri të stabilizohet gjendja dhe nga udhëzimet që nga vinë. Dezinfektimin e kemi bërë të hënën, edhe sot jemi duke bërë. Ndërsa nëpër fshatra vetëm institucionet arsimore”, u shpreh tutje ai.

Drejtori i Shërbime Publike në Deçan, Izet Zenuni, u shpreh se së shpejti do të vazhdojnë me dezinfektimin nëpër fshtra, pasi që në qytetin e Deçanit veçse ka përfunduar.

“Komuna e ka bërë dezinfektimin komplet të objekteve publike. Të gjitha rrugët janë pastru dhe dezinfektu që nga 17 marsi, ka vazhdu edhe dje. Fazën e parë e kemi kry të rrugëve kryesore dhe qendrave, dhe në fazën e dytë mbetet të vazhdojmë në fshatrat dhe në vendet tjera të ndjeshme”, tha Zenuni.

Më 13 mars, Komuna e Kamenicës ka bërë dezinfektimin e institucioneve publike në kuadër të masave parandaluese për mbrojtjen nga coronavirusi. Ndërsa një ditë më parë kishte dezinfektuar lokalet, restorantet dhe kompanitë transportuese të udhëtarëve.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ambientit dhe Inspektoratit të Kamenicës, Ramadan Basha në një prononcim për KALLXO.com deklaroi se në kuadër të shtabit që kanë formuar janë duke vazhduar me pastrimin.

“Në kuadër të komunës janë themeluar edhe stafi emergjent në përputhje me planin për parandalim dhe reagim ndaj coronavirusit. Është bërë dezinfektimi i objekteve të institucioneve publike, pastrimi i QKMF-së. Qysh në njoftimin për mbylljen e shkollave, bizneset kemi kërkuar për një pastrim të tyre. Të mërkurën kemi bërë dezinfektimin e rrugëve. Po koncentrohemi më shumë në QKMF që me e infektu të paktën një herë në javë ndërsa rrugët me i pastru”, theksoi ai.

Kurse, drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Maliq Berisha bëri të ditur se sot kanë filluar me pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve.

“Bashkë me shtabin emergjent kemi marrë vendim dje që të fillojmë më dezinfektimin dhe pastrimin e objekteve kolektive dhe institucionale. Sot fillojmë me pastrimin e rrugëve”, u shpreh ai.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi edhe për dezinfektimin e rrugëve dhe pastrimin e tyre në këto Komuna; Prishtina, Vitia, Vushtrria, Gjilani, Gjakovë, etj.

Kujtojmë se në Kosovë, nga 13 marsi deri më sot janë shënuar 20 persona të prekur me coronavirus.

Ndërsa në botë ky numër ka arritur në 219,565 persona. Sipas të dhënave të fundit, deri më tani 84,006 persona janë shëruar dhe 8,941 kanë vdekur.

Vendi me më së shumti të prekur me coronavirus në botë është Kina, me 81,118 të prekur, prej tyre 70,506 janë shëruar dhe 3,249 kanë vdekur. Vendi i dytë me më së shumti të prekur është Italia, me 35,713 persona të prekur me coronavirus, 4,025 persona të shëruar dhe 2,978 të vdekur.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).