Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"

Masat e reja anti COVID-19, çrregullohet orari i shfaqjeve për publikun

Nga dita e sotme (e premte 13.11.2020) shumica e institucioneve kulturore në vend do të detyrohen të ndërpresin apo të ndryshojnë orarin e shfaqjeve për publikun.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, për masa të reja për parandalimin e Coronavirusit, e lejon mbajtjen e aktivitetet kulturore deri në ora 20:00, në disa komuna, e në disa tjera aktivitetet duhet të përfundojë në ora 18:00. Ky kufizim pamundëson mbajtjen e shumicës së aktiviteteve të parapara nga institucionet.

Shfaqjet për publikun, zakonisht shfaqen në orët e mbrëmjes.

Vendimi i qeverisë për masat e reja anti COVID-19 që hyjnë sot në fuqi nga ora 18:00, i ndanë më tri kategori komunat e Kosovës, sipas numrit të të infektuarve. Në komunat në zonë e gjelbër aktivitetet kulturore mund të zhvillohen deri në ora 20:00, në ato në zonë e verdhë deri në 18:00. Kurse në komunat në zonën e kuqe, ku hyn edhe Prishtina, aktivitete duhet të përfundojnë para orës 19:00, për shkak se nga kjo orë fillon ora policore.

“Lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, thuhet në vendin e Qeverisë së 12.11.2020.

Këto masa, sipas vendimit të qeverisë do të rishikohen pas dy javës.

Vendimi më i ri i qeverisë pë parandalimin e pandemisë, sipas drejtuesve të institucioneve kulturore do të ndikojnë direkt në repertorin institucioneve.

Naser Shatrolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës ka thënë për Kallxo.com se që nga e premtja e javës së kaluar teatri ka ndërprerë orari e shfaqjesve dhe aktualisht po vazhdojnë vetëm provat.

Ai ka thënë se Këshilli Drejtues i TKK-së, mblidhet të hënën për të diskutuar për situatën e krijuar.

“Do të vazhdojmë punën me prova. Ndërsa orari i shfaqjeve bie. Të hënën kemi mbledhje me Këshillin Drejtues enkas këtë tematikë do ta trajtojmë. Nuk jemi duke vazhduar me repertorin meqë janë dy aktorë janë me COVID-19, njëra luan në dy shfaqje dhe tjetri na shfaqjen e skenës së vogël. Nga e hëna mund të dimë më shumë se si duhet të funksionojmë”, ka thënë Shatrolli

Ndërkaq, Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar ka thënë për Kallxo.com se ky institucion nuk do të keë shfaqje për publikun deri më 3 dhetor 2020.

“Puna do të vazhdojë normalisht me ushtrime dhe prova për shfaqjen e re, gjithmonë duke respektuar masat e qeverisë për parandalimin e COVID-19. Shpresojmë që deri më 3 dhjetor do të ketë lirim të  masave, që premierën ta realizojmë normalisht nga ora 20:00, me publik në salle. Nëse jo, do të gjejmë ndonjë alternative si p.sh orar tjetër ose Livestream”, ka thënë Musolli.

Agron Gërguri, drejtor i Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë, ka thënë se do të veprojnë sipas masave të qeverisë.

“Ende nuk i kemi studiuar masat dhe te shohim mundësitë. Ne po vazhdojmë me prova në projektin e ri ‘Enigma’, sipas novelës ‘Kush e solli Doruntinën’ të Kadaresë”, ka thënë ai, për Kallxo.com.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së  Galerisë Kombëtare të Kosovës, Dhurata Ramosaj ka thënë se do të ky institucion do të heq dorë nga hapje solemne te ekspozitave.

“Pas masave të fundit të qeverisë ne planifikojmë që të mos kemi hapje solemne të ekspozitave me që do të rrezikonim përhapjen e infektimit me COVID-19. Ne do t’ i përmbahemi manualit të Ministrisë së  Shëndetësisë përgjatë punës në të ardhmen, deri në ndonjë vendim tjetër”, ka thënë ajo, për Kallxo.com.

Ndërkaq, kinematë do të detyrohen të ndryshojnë orarin e shfaqjes së filmave, dhe reduktuar dukshëm repertorin.

Avni Dobraj, menaxher në Kino ABC në Prishtinë ka thënë për Kallxo.com se pas masave anti COVID- 19 të miratuara nga Qeveria e Kosovës, të cilat hyjnë në sot, (13 nëntor 2020), programi i shfaqjes se filmave në Kino ABC ndryshon.

“Nga kjo datë liria e lëvizjes është e ndaluar nga ora 19:00, ku edhe Kino ABC nga kjo kohe do të jetë e mbyllur deri të nesermën në mëngjes në ora 08:00. Kuptohet sipas udhëzimeve për kapacitet në sallë prej 30 %, mbajtja e distance, maskës dhe higjienes. Poashtu, në hyrje të Kinemasë ABC do të behet matja e temperaturës për secilin shikues të mundshëm”, ka thënë Dobraj.

Sipas tij orari i shfaqjeve tani e tutje në Kino ABC ëhstë: “Trolls world tour”, shfaqet në ora 12:00,  “Lassie come home”, shfaqet në ora 14:00 dhe “Wasp network”, shfaqet nq ora 16:00.

Orari i shfaqjes së filmave do të ndryshojë edhe në kinemanë Cineplexx.

Dëfrim Puka, menaxher i marketingut dhe i komunikimit në Cineplexx, ka potencuar për Kallxo.com se kjo kinema do të punojë vetëm vikendit.

“Kinemaja do të punojë vetëm në vikend, prej 11:00 deri në 16:00, me 30% kapacitet, sipas vendimit të qeverisë”, ka thënë Puka.