Marrëveshja e Uashingtonit mban ‘peng’ anëtarësimin e Kosovës në ‘Eurimages’

Gati një vit më parë, Qeveria e Kosovës e drejtuar atëherë nga kryeministri Albin Kurti kishte aprovuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Evropian për Mbështetjen e Kinemasë,  “Eurimages”.

Nisma për anëtarësim, ishte bërë me kërkesë të ish-ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi.

“Ne kemi plotësuar të gjitha procedurat administrative e ligjore për të arritur deri te nisma për anëtarësim, që ishte edhe pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje”, pat deklaruar ish-ministrja Dumoshi, pas aprovimit të kërkesës për anëtarësim, në fillim të prillit 2020.

Por, që nga aprovimi i kësaj nisme, MKRS nuk ka treguar nëse ka bërë diçka për të shtyrë nismën për anëtarësim. Sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit në shtator të vitit të kaluar në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e SHBA-ve, ministria është ‘heshtur’ për këtë çështje.

Një nga pikat e marrëveshjes kërkon që Kosovë të ndalojë për një vit anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njërën nga pika e marrëveshjes.

Zyrtarë të MKRS-së nuk janë përgjigjur në pyetjen e KALLXO.com nëse çështja e anëtarësimin në “Eurimages” ka lidhje me marrëveshjen e 4 shtatorit të 2020-ës.

“Ju lus që këtë pyetje ta adresoni tek drejtori i QKK”, thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) nuk ka komentuar çështjen e mosanëtarësimit, por ka thënë se pavarësisht kësaj, kineastët kosovarë kanë arritur të marrin fonde në “Eurimages” për projektet e tyre.

“Ne nuk jemi anëtar, por kjo nuk na ka ndal të gjejmë mënyra tjera për aplikim në këtë fond. P.sh. e kemi pas filmin e regjisorit Isa Qosja, me të cilin kemi aplikuar (në Eurimages) përmes Malit të Zi. Por kuptohet aplikimi kur bahet përmes Malit të Zi, duhet më pas dakordimin e fondit të filmit (malazias). Ka filma tjerë në co-produksion që kanë marrë mbështetje nga fondi, sikurse ‘Exil’ i Visar Morinës, për të cilin ka aplikuar nga Gjermania”, ka thënë Zharku.

Në anën tjetre për filmbërësit kosovarë, anëtarësimi në “Eurimage” do të ndihmonte zhvillimin e filmit në Kosovë.

“Anëtarësimi i Kosovës në ‘Euroimages’ do të ishte shumë i dobishëm për kinematografinë e Kosovës pasi krijuesit e filmit do të mund të aplikonin për fonde dhe do të mund të fitonin. E derisa nuk anëtarësohemi, nuk mund as të fitojmë. Anëtarësimi në ‘Euroimages’ do të shtonte mundësinë për të zhvilluar kinematografinë tonë”, ka thënë për KALLXO.com regjisori Ben Apolloni.

“Eurimages” është Fondi i Mbështetjes Kulturore i Këshillit të Evropës, i themeluar në 1989.

Ky fond numëron 39 nga 47 shtetet anëtare të organizatës me bazë në Strasburg, plus Kanada si anëtare e asociiuar.

Fondi ka një buxhet vjetor prej rreth 27.5 milion eurove, si kontribut nga shteteve anëtare si dhe kthimet e huave të dhëna.

Të drejtë përfitimi nga ky fond kanë vetëm kineastët e vendeve anëtare.

“’Eurimages’ promovon krijim të pavarur të filmave duke siguruar mbështetje financiare për filma me metrazh të gjatë, animacion dhe filma dokumentar. Duke vepruar kështu inkurajon bashkëpunimin midis profesionistëve të vendosur në vende të ndryshme”, thuhet në webfaqen e këtij fondi.