Mandati i EULEX-it në Zgrip Ndërsa BE Shpërfill Thaçin

Mandati në Kosovë i misioni të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, ka mbërritur në një fazë të paqartë pasi qeveria pranoi që BE nuk u ishte përgjigjur ftesave për të vazhduar praninë e misionit në vend.

Diçka e tillë u bë e qartë pasi qeveria fillimisht dorëzoi të premten dy projektligje në Kuvend, por në mbledhjen e kryesisë të hënën paradite, kryesia nuk caktoi një kohë për votimin e vazhdimit të mandatit të misionit, i cili skadon në 14 qershor, sot në mesnatë.

Dy projektligjet kishin të bënin, një me ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së për misionin e EULEX-it dhe i dyti, me një sërë ndryshimet për fushën e veprimit të këtij misioni.

Megjithatë, në një mbledhje të jashtëzakonshme pasditen e të hënës, qeveria njoftoi se gjerat kishin ndryshuar dhe se ratifikimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zgjatjen e mandatit të EULEX-it nuk ishte e mundur për momentin.

Një letër dërguar nga Hashim Thaçi, për zgjatjen e mandatit të EULEX-it nuk kishte marrë përgjigje nga Federica Mogherini

Një letër dërguar nga Presidenti Hashim Thaçi, për zgjatjen e mandatit nuk kishte marrë përgjigje nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha gjatë mbledhjes se kjo rrethanë kishte ndryshuar aspektet procedurale të çështjes, dhe një projektligj i tretë ishte përgatitur, ndërsa dy të parët, praktikisht, kanë mbetur pezull.

“Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet ‘Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë’”, tha Kuçi në mbledhjen urgjente të qeverisë.

Qeveria tërhoqi dy projekligjet ekzistuese dhe dorëzoi një projektligj të ri për ‘mos-skadimin’ e mandatit të EULEX-it

Gjithashtu, u njoftua se legjislacioni i ri pritet të votohet në Kuvend pas aprovimit fillestar në Komisionin për Ligj dhe Mandate.

Votimi i të martës për ligjin e rishikuar do të kërkojë një shumicë të thjeshtë, përkundër 2 të tretave nga totali prej 120 vendesh në Kuvend që kërkohet për marrëveshjet ndërkombëtare.

Por, ndërsa ligji i ri e lë derën të hapur që mandati i EULEX-it të mos skadojë, ai nuk e riaktivizon misionin e BE-së në Kosovë, duke qenë se Bashkimi Evropian duhet të japë pëlqimin e tij për vazhdimin e operacioneve.

Si rrjedhojë, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së mbetet një hap i pashmangshëm për vazhdimin e punës së EULEX-it në Kosovë.

Letra pa përgjigje

Përveç se përbënte një ftesë konvencionale që EULEX-i ta vazhdonte mandatin e tij në Kosovë, letra e Thaçit ndaj Mogherini-t ishte kushtëzuese në disa aspekte.

Menjëherë pas frazave hapëse përshëndetëse, letra mirëpret vijimin e mbështetjes së BE-së në sektorin e drejtësisë, “në veçanti përmes monitorimit të proceseve gjyqësore dhe këshillimin e ofruar për institucionet tona”.

“Institucionet e Kosovës shprehin gatishmërinë për të marrë kompetencat në fushën e sundimit të ligjit për momentin të ushtruara Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (“EULEX KOSOVA”), përjashtimisht fushat kur transferi i kompetencave konsiderohet si i parealizueshëm”, shkroi Thaçi.

Ai thekson se “si parim, të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të kryhet nga institucionet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbëra nga gjyqtarë të Kosovës”.

Presidenti gjithashtu thotë se gjyqtarët e EULEX-it do të caktohen në raste sensitive vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe me kërkesa dhe marrëveshje të veçanta nga hierarkia e lartë e gjyqësorit kosovar.

Letra e Thaçit parashikon një zvogëlim serioz të kompetencave të EULEX

“Si rezultat i tranzicionit të mandatit të EULEX KOSOVA, duke përfshirë politikën tonë të mos kërkohet përfshirje e EULEX-it në raste të reja përveç në rrethana të jashtëzakonshme të dakorduara, unë e mbështes mandatin e EULEX-it dhe inkuadrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistem”, tha Thaçi.

Letra përmban edhe një sërë zvogëlimesh të tjera thelbësore të fushës së veprimit të EULEX-it, kërkesë kjo që vjen pasi misioni i BE-së ka transferuar tashmë një pjesë të kompetencave në sistemin vendor të drejtësisë sa i takon edhe rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Kryeministri Isa Mustafa, gjithashtu, tha gjatë mbledhjes së qeverisë të premten, se EULEX-i tani duhej të fokusohej në monitorim, mentorim dhe këshillim, dhe se duhej të transferonte më shumë përgjegjësi ndaj institucioneve gjyqësore të Kosovës.

Megjithatë, edhe pse misioni i BE-së ka dorëzuar përherë e më shumë përgjegjësi ndaj prokurorisë dhe gjykatave vendore, disa raste kyçe të krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë mbetur në duart e zyrtarëve të EULEX-it.

Disa raste kyçe të krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë mbetur në duart e zyrtarëve të EULEX-it

Në një ndërhyrje nga më të fundit në prill, policë dhe prokurorë të EULEX së bashku me homologët e tyre kosovarë realizuan një valë të gjerë bastisjesh dhe arrestuan 6 persona si pjesë e një hetimi për një mashtrim me pronat publike që i kishte kushtuar shtetit rreth 30 milionë euro.

Azem Syla tani është në gjyq për këtë rast, i akuzuar si koka e një organizate kriminale të pëfshirë në mashtrim me pronat shoqërore, pastrim parash dhe krime të tjera.

Syla është një ish-komandant i UÇK-së dhe një ish-deputet i rëndësishëm nga PDK, e njëjta parti që Thaçi e ka udhëhequr që nga krijimi i saj në vitin 1999 pas luftës e derisa u zgjodh President.

Shumëkush ka dyshime nëse institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të kryejnë hetime të pavarura ndaj zyrtarëve të lartë që dyshohen se janë përfshirë në korrupsion, për shkak të lidhjeve të tyre me qeverinë e Kosovës.

Garë kundër datës së skadencës

Qeveria e Kosovës vendosi të premten që ta zgjaste mandatin e EULEX-it, i cili skadon sot më 14 qershor, duke propozuar që Kuvendi t’i votonte dy projektligjet e përgatitura sa më shpejt të ishte e mundur në mënyrë që të arrihej afati.

Por, pavarësisht faktit që letra e Thaçit nuk mori asnjë përgjigje nga Mogherini, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së për zgjatjen e mandatit të EULEX – të cilin BIRN e ka siguruar – pretendon se korrespondenca është kryer siç duhet.

“Ky ligj ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare të arritur nëpërmjet shkëmbimit të instrumenteve mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (“EULEX”)”, thuhet në nenin 1 të projektligjit të dorëzuar të premten në Kuvend.

Në mënyrë të papritur dy projektligjet për mandatin e EULEX-it u lanë në heshtje nga të dyja palët: Qeveria dhe Kuvendi

Por, kur të hënën paradite, Kryesia e Kuvendit diskutoi pikat e rendit të ditës të seancës së radhës të parashikuar të enjten, EULEX-i nuk ishte në axhendë.

Kryetari i Kryesisë, Kadri Veseli, për më tepër, pretendoi se qeveria nuk e kishte kërkuar zyrtarisht një seancë për këtë çështje. “Nëse e kërkon Qeveria mund të mbahet një seancë e veçantë për EULEX-in”, tha Veseli.

Nga kjo pikë e deri në mbledhjen urgjente të qeverisë në orët e para të mbrëmjes, një sërë rrethanash dhe deklaratash kundërthënëse ndodhën, ndërsa çështja e mandatit bëhej gjithmonë e më e paqartë.

Në fakt, ende nuk dihet nëse qeveria kishte bërë ndonjë kërkesë formale për një seancë të dedikuar, ndërsa Zyra e Kryeministrit dhe këshilltarët e tij ishin të paarritshëm pavarësisht orvatjeve të përsëritura për koment.

Zyrtarët e shumicës u prirën të thonë se nuk ishin në dijeni të ardhjes së projektligjeve, ndërsa ata të opozitës pranuan ekzistencën e tyre

Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit, gjithashtu refuzoi të sqaronte nëse dy projektligjet për EULEX-in kishin mbërritur në parlament. “Duhet t’ia drejtoni këtë pyetje qeverisë”, tha ai.

Agim Demaj, anëtar i Komisionit për Ligj dhe Mandate, nga radhët e LDK-së, i tha BIRN se ndërsa komisioni ishte parashikuar të mblidhet të martën, projektligjet në fjalë nuk u ishin dhënë deputetëve.

“Këto dy projektligje ende nuk kanë ardhur në komision”, tha Ademaj.

Por, kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje i tha BIRN të hënën, se projektligjet në fakt, kishin mbërritur.

“Të dyja projektligjet kanë mbërritur në komision të premten dhe jam informuar nga koordinatori se të gjithë deputetët i kanë marrë”, tha Haxhiu.

Ajo tha se propozimet nuk ishin pjesë e axhendës së komisionit për ditën e martë.

“Si kryetare nuk do të propozoj që projektligjet të përfshihen në pikat e rendit të ditës, por çdo anëtar i komisioni mund t’i propozojë”, tha ajo.

EULEX-i ka pasur një rol vendimtar në rastet sensitive kriminale në Kosovë

EULEX-i filloi veprimin në Kosovë në dhjetor 2008, duke ndihmuar gjyqësorin dhe institucionet e zbatimit të ligjit në sferën e sundimit të ligjit.

Mandati i tij është përtërirë çdo dy vjet deri më sot, dhe misioni mban kompetenca ekzekutive sa i takon hetimit dhe ndjekjes së rasteve serioze dhe sensitive.

Megjithatë, në vazhdimin e mandatit në 2012, ndodhi një shkurtim i konsiderueshëm i stafit dhe një proces ristrukturimi, por diçka e tillë nuk e ka ndalur EULEX-in që të vazhdojë të marrë përsipër një sërë çështjesh sensitive.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike tha se mos-vazhdimi i mandatit të misionit të BE-së nuk ishte e mundur duke pasur parasysh brishtësinë e institucioneve vendore të drejtësisë.

“Kjo nuk mund të ndodhë… mandati i EULEX-it duhet të vazhdojë, dhe në çastin e fundit një modalitet do të gjendet që kjo të ndodhë”, parashikoi ai të hënën paradite.

Ekspertët thonë se vazhdimi i mandatit të EULEX-it është i padiskutueshëm

Pasditen e djeshme, në fakt, qeveria shpalosi një ‘modalitet të çastit të fundit’, sipas parashikimit të Mushkolaj.

Edhe Gjyljeta Mushkolaj, profesore e ligjit në Universitetin e Prishtinës (e cila nuk ka lidhje me Imerin pavarësisht të njëjtin mbiemër) pajtohet me këtë qasje.

Ajo i tha BIRN se edhe në rastin e pagjasë që mandati i EULEX-it nuk zgjatet brenda afatit, diçka e tillë do të ndodhë në një mënyrë apo në një tjetër.

“Nëse gjatë javës i vazhdohet [mandati], atëherë Misioni do të jetë në pritje dhe nuk do të marrë ndonjë vendim deri në ratifikimin e marrëveshjes. Një vend që ka nevojë për EULEX-in, mundet edhe të bëjë harrnime të këtilla. Gjithmonë gjendet një arsyetim në vendet ku nuk ekziston asnjë koncept për sundim të ligjit”, tha ajo.