Lokacioni i ri për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit, njohësit e fushës me mendime të ndryshme

Mendime të ndryshme janë dhënë nga njerëzit e kulturës lidhur me caktimin e lokacionit të ri për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Javën e kaluar Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi propozimin që prona prapa Pallati të Rinisë në Prishtinë të jetë vendi ku do të ndërtohet shtëpia e Operës dhe Baletit (TOB).

Për njohësit e zhvillimeve kulturore,  ndërtimi i këtij objekti do të duhet të bëhet në një vend ku do të kishte hapësirë dhe shkëlqimin që duhet të ketë objekti i Teatrit Operës dhe Baletit.

Arkitekti Visar Geci e konsideron gabim caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit e Teatrit Operës dhe Baletit afër Pallati të Rinisë.

Sipas tij, ndërtimi afër këtij pallati do ta zbeh vlerën e shtëpisë së Operës dhe Baletit, por edhe të vetë Pallatit të Rinisë.

“Pallati i Rinisë dhe Sportit është objekt dominant dhe ‘referent’  në ’qytet. Një prej objekteve ma të bukura në rajon! Duhet ditur që afër këtyre objekteve, nëse ndërton diçka voluminoze dhe të bukur, siç duhet të jetë një Teatër i Operës dhe Baletit, ku këtu hyn ‘elementi krahasues’, dhe dyjave u bie vlera, duke i bërë  ‘konkurrencë’ njëra tjetrës”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Ai thotë se objekti i Teatrit Operës dhe Baletit do të duhet të pozicionohet në periferi  aty ku ka hapësira më të madhe, e jo në vendet të ngulfatur siç është lokacioni i caktuar.

Vlora Dumoshi, ish -ministre e Kulturës, thotë objekti i Teatrit Operës dhe Baletit do të dukej më mirë o të ndërtohej afër Fakultetit Teknik.

Por, ajo thotë se gjithsesi ky objekt duhet të ndërtohet dhe ka vlerësuar vendimin e Asamblesë së Prishtinës.

“Vendimi për caktimi e lokacionit është lajm i mirë, por me thënë të drejtën, si ish-ministre dhe qytetare e Prishtinës, them se ky objekt do të dukej më mirë po të ndërtohej ku ishte caktuar më parë”, ka thënë Dumoshi, për KALLXO.com

Por, për drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovë, më me rëndësi është ndërtimi i objektit.

S’ ka rëndësi ku ndërtohet, kryesorja t’ i plotësojë nevoja e baletit për punë. Uroj që kësaj radhe të mos dëshpërohemi, por ta kemi objektin meritor për artistët tanë që punojnë pa pushim për çdo dite”, tha Kajtazi, për KALLXO.com.

Ndërkaq, Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës ka thënë për KALLXO.com se lokacioni i caktuar ishte i vetmi opsion i ofruar në perimetrin e qendrës për ndërtimin e objektit.

“Qysh moti është propozuar ai lokacion si i përshtatshëm dhe gjithashtu salla e madhe e sportit e cila është e djegur, por më në fund u vendos për parkingun si vendi të themi i vetmi në lokacionin qendër, pasi që nuk është gjetur ndonjë vend me hapësire më të madhe në perimetrin e qendrës, pas dështimit të lokacionit te Fakulteti Teknik”, ka thënë Ferizi.

Ndërkaq,  MKRS përmes një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se aktualisht janë duke u zhvilluar procedurat e brendshme për hapje të konkursit për projektin e objektit të Teatrit Operës dhe Baletit. MKRS nuk ka treguar kohë e hapjes së konkursi e as hollësi tjera lidhur me këtë konkurs.

Sipas të dhënave të pasqyruara në buxhetin e këtij viti, MKRS ka ndarë 200 mijë euro për ndërtimin e këtij objekti.

Vendimi për ndërtimin e objektit të Teatrit Operës dhe Baletit ishte marrë në vitin 2006, kur edhe ishte caktuar lokacioni për ndërtimin e objektit te Fakulteti Teknik.

Më 2009 ishte vënë guri i themelit, por, pas pak kohe gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe te lokacioni i caktuar për ndërtim, e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.

Në nëntor 2019, gjatë prezantimit të projekt- propozimit të planit rregullues për zonën te Fakulteti Teknik, ish-kreu i Komunës, Shpend Ahmeti, pat deklaruar se ishte shfuqizuar vendimi që te Tekniku të ndërtohet ndërtesa e operës.

Pavarësisht disa përpjekjeve, MKRS u detyrua të pranojë vendimin e Komunës dhe gjithçka nisi nga fillimi për ndërtimin e objektit.

Për ndërtimin e Teatrit Operës dhe Baletit afër Fakultetit Teknik u  harxhuar mbi 800 mijë euro.

Duke u bazuar edhe në Ligjin për filarmoninë, operën dhe baletin, Kuvendi i Kosovës votoi më 2021 për themelimin e Operës së Kosovës.

Pak kohë më pas, Meriton Ferizi u emërua ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës.