Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Loja politike e Thaçit me KQZ-në

Presidenti i Kosovës është duke injoruar një vendim të Gjykatës në lidhje me faktin se kush ka të drejtë të ulet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa partitë në pushtet anojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

 

Zgjedhjet e parakohshme mund të duken zgjidhje e mundshme për tensionet në rritje midis partive qeverisëse të Kosovës, por një mosmarrëveshje që ka bllokuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve teknikisht e bën këtë të vështirë dhe analistët për këtë po e hedhin fajin te presidenti Hashim Thaçi.

Ndërsa mandatet e 11 anëtarëve të KQZ-së kanë skaduar në mars të vitit 2018, Thaçi ende nuk ka caktuar zëvendësimet e tyre në një mosmarrëveshje të rrënjosur në shpërbërjen e grupit parlamentar të koalicionit qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës, PDK, e udhëhequr më parë nga Thaçi, hyri në zgjedhjet e fundit në vitin 2017 në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri aktual Ramush Haradinaj dhe Partia Social Demokratike, NISMA, por secila parti ka formuar që atëherë grupin e vet në Kuvend pavarësisht se ka mbetur në qeveri.

Sipas një vendimi gjyqësor të vitit 2014, vetëm grupimet parlamentare që garuan në zgjedhje kanë të drejtë të ulen në KQZ dhe jo ato që formohen pas krijimit të parlamentit.

Por Thaçi po e sfidon këtë rregull mes tensioneve në koalicionin qeverisës mbi ndikimin në komision, i cili organizon zgjedhjet, vendos për ankesat dhe verifikon rezultatet.

Mosmarrëveshje politike, jo procedurale

Në qershor të vitit të kaluar, Thaçi kërkoi sqarime nga Gjykata Kushtetuese, e cila u përgjigj se nuk kishte juridiksion.

Sipas vendimit të 2014, koalicioni PDK-AAK-NISMA që garoi në zgjedhjet 2017 ka të drejtën për dy vende në KQZ.

Megjithatë, Thaçi ka bërë thirrje që çdo grup partiak të emërojë një anëtar, duke siguruar që PDK, AAK dhe NISMA të kenë secili anëtarin e vet. Thaçi dha dorëheqjen si kryetar i PDK-së për t’u zgjedhur president në vitin 2016, por besohet gjerësisht se ka ende kontrollin de facto të saj.

Ai gjithashtu i kërkoi opozitës LDK dhe Vetëvendosjes që të emërojnë secila nga një anëtar, pavarësisht faktit se sipas vendimit të vitit 2014 çdo parti, e cila ka grupin e saj të posaçëm në parlament, ka të drejtë për dy të tillë.

Mosmarrëveshja mund të duket procedurale, por në fakt është “e një natyre politike”, tha Eugen Cakolli, një studiues në Institutin Demokratik të Kosovës, një degë e ‘Transparency International’ dhe që monitoron punën e Kuvendit.

“Ekziston tashmë një vendim i tillë nga 2014,” tha ai për BIRN, “ku përcaktohet se grupet parlamentare janë ato grupe politike që garuan në zgjedhje.”

“Pas përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese, ne kemi një situatë absurde nga ana e presidentit, i cili, duke u kërkuar të gjitha grupeve parlamentare të dërgojnë kandidatët, nuk po respekton vendimin e vitit 2014.”

Marrëdhëniet mes kryeministrit Haradinaj dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli janë përkeqësuar në mënyrë dramatike që kur Haradinaj vitin e kaluar vendosi një taksë 100 për qind importi për produktet nga Serbia dhe Kosova, duke u kritikuar ashpër nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës.

Por, ndërsa një zgjedhje e menjëhershme duket e vetmja rrugëdalje, kjo mund të jetë e vështirë pasi KQZ-ja duhet t’i kërkojë qeverisë që të ndajë fonde për të organizuar votimin.

“Nga ana procedurale, zgjedhjet e menjëhershme nuk janë të mundshme për shkak të mënyrës se si bëhen zgjedhjet,” tha Cakolli.

“Nuk e di ç’do të ndodhë”

Ajo që i ndërlikon më tej gjërat është fakti se mandati i kreut ekzekutiv të KQZ-së, Enis Halimi pritet të skadojë më 2 prill. Për të rinovuar mandatin ose që të emërohet një kandidat i ri nga KE duhen votat e anëtarëve të KQZ-së, të cilët Thaçi ende nuk i ka caktuar.

“Teknikisht, nuk ka njeri që mund ta bëjë këtë,” tha Halimi për BIRN. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 2 prillit.”

Të martën, Vetëvendosja bllokoi hyrjen në zyrën e KQZ-së në Prishtinë në një protestë simbolike.

Të hënën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa shkroi në profilin e tij në Facebook se ishte “me rëndësi vendimtare” që Thaçi të veprojë në përputhje me kushtetutën.

Në parlament javën e kaluar, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu akuzoi Thaçin për shkelje të parimit që presidenti i vendit duhet të qëndrojë mbi politikën partiake.

“Pse vazhdon ta mbajë të bllokuar KQZ-në presidenti?” pyeti Haxhiu. “Sepse PDK-ja ka nevojë për këtë, për shkak të interesave të PDK-së në KQZ, një parti që deri dje drejtohej nga Thaçi.”