Lidhjet e drejtoreve te ATK-së, me bizneset 2

Drejtorët rajonal të Administratës Tatimore të Kosovës kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në kuadër të këtij deklarimi ata kanë shpalosur edhe lidhjet me biznese të ndryshme që operojnë në Kosovë.

Menaxheri Rajonal i ATK-së, në Prizren Shaqir Totaj, i ka deklaruar Agjencisë Kundër Korrupsionit pasuri milionëshe. Krahas kësaj Totaj ka shfaqur edhe lidhjet me tatimpagues.

Ai në AKK e ka deklaruar objektin për banim dhe biznes në vlerë prej 1 milion euro si dhe dy vetura në vlerë 13 mijë euro.

Lidhjet e Totajt me biznese janë të shprehura në dhënien me qira të objektit të tij për Bankën Ekonomike si dhe me punësimin e fëmijëve të tij në Agjencionin “Republika”.

Totaj ka deklaruar se nga Banka Ekonomike merr 25 mijë euro në vit në emër të qirasë.

Lidhje me biznese ka deklaruar edhe menaxheri Rajonal i Drejtorisë Prishtina 1, Isen Lipovica.

Lipovica në AKK, ka deklaruar pasuri mbi gjysmë milion euro.

Ai ka deklaruar se ka një shtëpi në vlerë prej 50 mijë euro, një lokal në vlerë 15 mijë euro, tokë bujqësore në vlerë 280 mijë euro, pemishte dhe oborr në vlerë 180 mijë euro, si dhe dy vetura në vlerë prej 19 mijë euro.

Lidhjet e tij me biznese shfaqen në borxhin prej 1350 euro të cilin ia ka biznesit NTP “Product Market”, si dhe në bizneset në të cilat janë të punësuar fëmijët e tij si NTP “Bavaria”, “KAF Gruop JSC” dhe “KAF Global L.L.C.”, në të cilin figuron pronar edhe Armir Lipovica.

Drejtori i ATK-së në Mitrovicë, Besim Halili ka deklaruar se ka pasuri në mbi 100 mijë euro vlerë. Në ketë vlerë Halili ka deklaruar një shtëpi, tokë dhe një truall.
Ai poashtu ka deklaruar se është i punësuar tek tatimpaguesi “Kolegji Biznesi”, si ligjërues.

Pasuri mbi 600 mijë euro vlerë ka deklaruar drejtori i ATK-së, në Gjakovë Lazër Ramaja.

Ramaja ka deklaruar tokë në vlerë 500 mijë euro, shtëpi në vlerë 120 mijë euro si dhe stalla dhe objekte përcjellëse në vlerë prej 20 mijë euro si dhe katër vetura në vlerë prej 11 mijë euro.

Ai ka deklaruar të hyra edhe nga punësimi i gruas në shkollën private QAKP “Gjon Nikollë Kazazi”.

Drejtori  i ATK-së në Ferizaj Avdi Jakupi, në AKK, deklaroi mbi 100 mijë euro pasuri. Ai ka deklaruar se ka shtëpi dhe oborr në vlerë prej 130 mijë euro.

Jakupi ka deklaruar se përpos punës si drejtor në ATK, është i angazhuar edhe si profesor tek tatimpaguesi Kolegji “Universum”.

Rreth 1 milion euro pasuri në AKK, ka deklaruar edhe drejtori i ATK-së, në Pejë, Shefqet Dervishaj.

Dervishaj ka deklaruar se pasuria është e përbashkët me vëllezër.

Ai ka deklaruar tokë në vlerë mbi 500 mijë euro, dy shtëpi në vlerë rreth 400 mijë euro si dhe një banesë në vlerë 42 mijë euro. Drejtori i Pejës ka deklaruar se ka edhe dy vetura një Passat dhe një Touran në vlerë rreth 20 mijë euro.

Lidhja e tij me tatimpagues shfaqet me tatimpaguesin Kolegji “Dukagjini”, në të është ligjërues.

Drejtori i drejtorisë Prishtina 3, Jeton Mushkolaj ka deklaruar se ka pasuri në vlerë mbi 250 mijë euro.

Ai ka deklaruar se një shtëpi në vlerë prej 100 mijë euro, tokë në vlerë 150 mijë euro dhe një banesë në vlerë 25 mijë euro.

Lidhja e tij me biznese shfaqet tek borxhi të cilin ia ka biznesit “Alko Group”. Sipas të dhënave që Mushkolaj i ka deklaruar në AKK, ai ka detyrime financiare ndaj “Alko Group” në vlerë 12.500 euro.

Mbi 400 mijë euro pasuri ka deklaruar drejtori i Drejtorisë Prishtina 2, Xhemajl Hertica.

Hertica ka deklaruar se ka një shtëpi në vlerë 30 mijë euro, tokë në vlerë 366 mijë euro dhe mal në vlerë 21 mijë euro. Hertica ka deklaruar 2 mijë euro të hyra vjetore nga vëllai i cili gjendet në botën e jashtme.

Flurim Kurtishaj drejtori i lojërave të fatit ka deklaruar se ka dy lokale dhe tokë bujqësore për të cilat nuk e ka deklaruar vlerën në para si dhe një banesë në vlerë prej 65 mijë euro.

Kurtishaj ka deklaruar edhe se ka aksione në dy biznese: Edita Sok dhe A…& Kurtishaj SH.P.K, vlerën e të cilave nuk e ka deklaruar fare.

Alban Qerimi drejtor i ATK-së, në Gjilan ka deklaruar pasuri në vlerë mbi 200 mijë euro.

Qerimi ka deklaruar Banesë në vlerë 75 mijë euro, truall në vlerë 140 mijë euro si dhe një veturë golf 4 në vlerë 7 mijë euro.

Ai ka deklaruar edhe se i ka borxh 8300 euro një personi Fizik të cilin nuk e ka bëre të ditur.

Drejtori i IT-së, në ATK, Rifat Hyseni ka deklaruar se ka mbi 300 mijë euro pasuri.

Ai ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë 160 mijë euro, truall në vlerë 150 mijë euro, arë në vlerë mbi 20 mijë euro si dhe dy vetura në vlerë 17 mijë euro.

Hyseni ka deklaruar edhe se ka lidhje me tatim pagues. Sipas deklarimeve të tij ai i ka borxh mbi 20 mijë euro kompanisë “Arditi Group”, si dhe borxhe mbi 50 mijë euro ndaj tre personave fizik.

Drejtori i IT-së, ka deklaruar se përpos punës si drejtor në ATK, është i angazhuar edhe në Universitetin “UBT”, si dhe në GIZ/AMBERO, në Tanzani.

Sikurse tani, muaj më parë KALLXO.com, shfaqi lidhjet e drejtorëve të përgjithshëm të ATK-së, me biznese.

Lidhjet e drejtoreve të ATK-së me bizneset

.