Letrat e presidentit - politike dhe pa bazë kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, janë përfshirë në “replika politike” përmes shkëmbimit të disa letrave lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë së re të vendit pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar.

Afatizimi kohor i presidentit kundrejt partisë fituese të zgjedhjeve për të dërguar një emër në zyrën e tij, nga njohës të çështjeve politike në vend po konsiderohet të jetë presion politik dhe pa ndonjë bazë kushtetuese apo juridike.

Shtatë letra kanë shkëmbyer mes vete Thaçi dhe Kurti, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës me 26 dhjetor 2019, ndërsa Vetëvendosje ende nuk e ka propozuar mandatarin për kryeministër në Zyrën e Presidentit, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar koalicionin qeverisës.

Pas takimit historik të 6 janarit mes kundërshtarëve të kahershëm politikë, e cila përballje u vlerësua të jetë pa efekte juridike, i pari i shtetit e përmendi afatin kohor prej 48 orësh dhënë Kurtit për të propozuar mandatarin për shef të ekzekutivit.

Pas disa ditësh, Thaçi i shkroi sërish letër Kurtit, duke i thënë se është duke pritur nga ai emrin  e mandatarit për formimin e qeverisë, ose refuzimin për një gjë të tillë.

Në anën tjetër, i pari i VV-së në letrën e fundit i ka thënë Thaçit se nuk mund t’i bëhet presion për formimin e ekzekutivit të ri kosovar, duke shtuar se negociatat për koalicion me LDK-në janë në fazën e fundit.

Lidhur me këto zhvillime, analisti politik Imer Mushkolaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se letrat e presidentit Thaçit drejt kryetarit të VV-së Kurti, janë politike dhe se nuk kanë bazë juridike e as  kushtetuese.

“Në anën tjetër, LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk po arrijnë ende ta krijojnë koalicionin qeveritar, kështu që thjesht nuk kuptoj se pse në një situatë të tillë, ai dërgon letra të tilla duke e pasur parasysh gjendjen faktike në terren”, është shprehur ai.

Mushkolaj nuk beson që letra e fundit e presidentit drejtuar Kurtit do ta shtyjë atë që të përshpejtojë arritjen e koalicionit.

“Kjo për shkak se nuk varet nga njëra palë por varet nga të dyja palët. Edhe këtë letrën e Kurtit për presidentin e pash si të kotë, në kuptimin që nuk ka pse Kurti ose kushdo qoftë tjetër t’ia kujtojë presidentit përgjegjësitë e tij kushtetuese, ato janë saktë të përcaktuara në Kushtetutë. Ish dashur që të punojë bashkë me LDK-në që në mënyrë që t’i jap një përgjigje megjithatë nëse janë në gjendje ta krijojnë koalicionin ose jo”, ka theksuar analisti.

Kurse, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Gazetën JnK se e kuptojnë urgjencën e presidentit dhe gatishmërinë e tij që të plotësojë rolin e tij kushtetues, në mënyrë që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Mirëpo, Loxha thekson se në këtë fazë presidenti nuk gëzon asnjë autoritet për të vendosur afate kushtetuese për partinë fituese, e aq më pak të ketë rol aktiv në këtë mes.

“Kujtojmë që në këtë fazë roli i presidentit është vetëm ceremonial megjithatë ne si GLPS i bëjmë thirrje të dy partive, të cilat janë në proces negociues për të arritur një marrëveshje për koalicionin qeverisës që t’i intensifikojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje meqenëse është e domosdoshme që sa më shpejt t’i konsolidojmë institucionet”, ka shtuar Loxha.

Ajo ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që çdo dy vite të ketë zgjedhje dhe të ballafaqohet me kriza institucionale të cilat siç shprehet ajo, po marrin kohë afërsisht 6 muaj.

‘Presioni’ që s’e patën fituesit tjerë të zgjedhjeve

Ndryshe nga rasti aktual, kur presidenti po kërkon që sa më parë partia fituese t’ia dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër, ishte koha e zgjedhjeve nacionale të vitit 2014 dhe 2017.

Pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, kriza politike institucionale në Kosovë kishte zgjatur 6 muaj.

PDK-ja në njërën anë dhe koalicioni paszgjedhor i përbërë nga LDK-LVV-AAK-Nisma në anën tjetër, ishin zhytur në garën për ta marrë pozita udhëheqëse, duke vonuar në krijimin e institucioneve qendrore.

Kriza ishte zhbllokuar pasi që LDK-ja doli nga koalicioni i ashtuquajtur VLAN, për t’iu bashkuar PDK-së që atëherë udhëhiqej nga Hashim Thaçi, për të formuar qeverinë, e sipas marrëveshjes, Thaçi më pas të bëhej president më 2016, pas kryerjes së mandatit të Atifete Jahjagës.

E gjendur mes krizës politike, paraardhësja e Thaçit, Atifete Jahjaga kishte ndërmarrë nismë duke ftuar të gjitha partitë politike në takime për tejkalim të gjendjes, por se nuk u kishte përcaktuar afate kohore për formim të institucioneve të reja.

Kurse, me 7 shtator të vitit 2017, deputetët e Kuvendit të Kosovës e patën zgjedhur të parin e PDK-së, Kadri Veselin, kryetar të legjislativit, duke i dhënë fund kështu bllokadës 35 ditëshe të institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit atë vit.

Ajo gjendje ishte krijuar pas mosmarrëveshjeve ndërmjet koalicionit fitues, për ndarjen e pozitave udhëheqëse qeveritare.

Lidhur me këtë, Imer Mushkolaj thekson se atë kohë, presidenti s’i kishte dërguar letra koalicionit mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, i njohur si PAN.

“Mos të harrojmë se letra të tilla të presidenti nuk kemi parë ta zëmë në vitin 2017, kur pritej krijimi i koalicionin PAN atëherë, pra nuk kemi parë që presidenti i ka dërguar letër Ramush Haradinajt, edhe pse atëherë pat marrë goxha kohë krijimi i koalicionit”, shprehet ai.

Por kjo, sipas Mushkolajt nuk do të thotë që LVV dhe LDK nuk duhet që të punojnë për ta krijuar koalicionin.

“Përkundrazi ata duhet të arrijnë marrëveshjen sa më shpejt, nëse e kanë seriozisht. Për arsye se në këtë mënyrë, në radhë të parë po i frustrojnë vetë votuesit e tyre por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës, të cilët kanë pritur bazuar gjithmonë në premtimet e tyre se koalicioni do të bëhet shpejt”, thotë analisti politik.

Këto dy subjekte politike këtë fillim vit i kanë intensifikuar takimet në nivel të kryetarëve të partive, si përpjekje për një marrëveshje finale për bashkëqeverisje, por ende pa rezultat.

Ndërkaq, Kushtetuta e Kosovës në nenin 95 përcakton se pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Tutje në pikën 2 të po të njëjtit nen thuhet se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.