'Lëmshi politik' rreth postit të Presidentit

Partia e kryeministrit Avdullah Hoti, LDK-ja ka tash e disa javë që është duke u përpjekur të organizoj një tryezë të partive politike për të zgjidhur ‘lëmshin’ e krijuar me postin e presidentit.

Posti i presidentit është duke u mbajtur nga u. d. e presidentes Vjosa Osmani që nga 5 nëntori, datë në të cilën ish-presidenti Hashim Thaçi dhe dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Për më shumë se një muaj, partitë politike në Kosovë kanë dhënë versionet e tyre mënyrën më të mirë sesi duhet të zgjidhet ky lëmsh, por deri më tani këto versione nuk kanë prodhuar asnjë takim e as marrëveshje të koalicionit qeveritar.

E në anën tjetër njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se një tryezë e partive politike nuk mund të prodhoj ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse për çështjen e presidentit.

Deri më tani nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur se duan zgjedhje të reja pastaj diskutime për presidentin, PDK-ja ka insistuar që votat e saj shkojnë vetëm për një kandidat të tyre, LDK ka theksuar se kjo pozitë i takon PDK-së, ndërsa AAK-ja ka shpallur kandidaturën ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për këtë pozitë.

Tryezë për zgjedhje të reja, apo për presidentin?

Gazetari Enver Robelli në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se pozita e presidentit vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me fatin e qeverisë Hoti dhe përfshirjen e PDK-së ose jo në këtë qeveri.

“PDK-ja po pret epilogun e betejës mes LDK-së dhe AAK-së për të vendosur pastaj nëse dëshiron të marrë postin e presidentit dhe si kundërshpërlbim të mbajë në pushtet qeverinë e Avdullah Hotit. Kjo lojë cinike me postin e presidentit (jo për herë të parë) është dëmsjellëse për shumë arsye”, ka thënë ai.

Për Robellin, skenari i shkuarjes në zgjedhje të parakohshme nuk do të ishte diçka e papritur.

“Jemi ende në fazën e matjes së forcave dhe shantazheve të ndërsjella mes partive të pushtetit. Por dështimi i zgjedhjes së presidentit dhe shkuarja në zgjedhje parlamentare nuk do të ishte kurrfarë tragjedie”, ka thënë ai.

Duke përmendur polarizimin e partive politike në Kosovë, gazetari Robelli ka vlerësuar se më e pranueshme do të ishte një tryezë për zgjedhje në vend sesa zgjedhje të presidentit.

“Ndoshta duhet të organizohet një tryezë për dakordimin e partive për zgjedhje të reja parlamentare. Sa i përket tryezës për kryetarin: gjasat po duken të vogla. Polarizimi mes partive është aq i madh, saqë nuk ka shumë besim mes tyre. Kryetari i LDK-së bëri përpjekje për një takim me krerët e partive dhe askush nuk e mori seriozisht. Gjasat janë të mëdha që edhe LDK do të bojkotonte një tryezë të VV-së për zgjedhje të reja parlamentare”, ka thënë ai.

Në prononcimin e tij për KALLXO.com gazetari Robelli ka theksuar se politika në Kosovë është e bazuar në dy skena.

“Në 12 muajt e fundit secila palë e ka dhënë kontributin e vet për deformimin e mëtutjeshëm të besimit. Politika në Kosovë në fakt prej vitesh i ka dy skena: një publike dhe një të padukshme, ku arrihen marrëveshjet e fshehta (rasti i fundit: sigurimi i votës për zgjedhjen e qeverisë në orët e vona të natës). Kush bën politikë me këso metodash të territ, e ka vështirë të sjellë dritë”, ka theksuar ai.

Dje kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se janë duke u munduar që sa më shpejtë të organizojnë një tryezë të partive politike.

“Jemi duke bërë përpjekje që sa më parë të ndodh një takim i gjitha forcave politike për këtë çështje, pa paragjykuar asnjë gjë. Disa prej partive politike kanë dhënë pozicionet e tyre sa i përket zgjedhjes së presidentit, por nuk ka ndodhur ende një takim formal. Jemi duke u angazhuar që ky takim të ndodh sa më shpejt”, ka thënë ai.

Misioni i pamundur për arritjen e konsensusit

Gazetari Agron Halitaj e ka parë si mision të pamundur arritjen e një konsensusi të partive politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Një marrëveshje mes partive politike parlamentare për zgjedhjen e një presidenti konsensual është mision i pamundur në këtë mandat zgjedhor. Është naive të pritet që Vetëvendosje do të pranonte të votonte cilindo kandidat që do të propozohej për president, nëse paraprakisht nuk mbahen zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të prodhonin një qeveri dhe kuvend të ri”, ka thënë ai.

Një një prononcim për KALLXO.com, Halitaj ka thënë se zgjedhja e presidentit nga legjislatura aktuale, sikundër edhe mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, para së gjithash janë të ndërvarura nga aktgjykimi që pritet të nxjerrë Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e Qeverisë Hoti.

“Përfshirja e PDK-së në Qeverinë Hoti ende pa u ditur fati i saj, do të ishte ‘vetëvrasje politike’ për PDK-në në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Nëse Qeveria Hoti nuk do të ketë pengesë kushtetuese për ta vazhduar mandatin, është e pritshme që PDK-ja të bëhet pjesë e Qeverisë, e ky veprim do të pasohej edhe me zgjedhjen e presidentit të ri, po nga kjo legjislaturë. Kështu që, tash për tash gjithçka është 50:50”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij në situatën aktuale nuk mund të pritet marrëveshje gjithëpartiake por vetëm zgjerim të koalicionit qeveritar.

“Marrëveshje gjithëpartiake nuk pritet të prodhoj asnjë tryezë politike. Krejt çfarë mund të ndodh është zgjerimi i koalicionit qeverisës me PDK-në, në rast se, siç thamë më lartë, Gjykata Kushtetuese nuk ia ndërpret mandatin qeverisë Hoti”, ka theksuar ai.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj tij, këtë detyrë po e ushtron kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila këtë pozitë mund ta ushtroj vetëm për 6 muaj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.