Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi e Kadri Veseli - Foto: Facebook

'Lëkundja' e koalicionit PAN për KQZ-në

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte vendosur të enjten të dekretojë anëtarët e KQZ-së, pasi e kishte bllokuar këtë institucion për një vit.

Nga tetë anëtarët e rinj, që ka dekretuar të partive në vend, ai nuk i ka dekretuar dy anëtarët e koalicionit qeverisës PAN.

Derisa partitë kanë deklaruar se nëse presidenti nuk i dekreton anëtarët në bazë të grupeve parlamentare, do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, shoqëria civile thotë se kjo çështje do të duhej të zgjidhej qysh në fillim të nënshkrimit të koalicionit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë të mërkurën në një konferencë për media se PAN-i në fillim nuk ishte marrë vesh për kandidatin e tyre.

“Partitë që kanë përbërë PAN nuk janë marrë vesh se kush do të jetë kandidati i tyre, ta zëmë se e pranojmë formulën 2-2-2, por PAN nuk ka folur kush janë personat që do të përfaqësojnë PAN. Ftesa e dërguar PDK-së s’mund të shndërrohet në ftesë e dërguar PAN-it. Nëse një kandidat, secilin që ka dërguar PDK, presidenti e dekreton si anëtar të PAN, atëherë ai po bën shkelje. Ne do ta dërgojmë në kushtetuese”, ka thënë ai.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmeti Isufi ka thënë të mërkurën se do ta dërgojnë Thaçin në Gjykatë Kushtetuese.

“Thaçi ta kryejë rolin e vet duke e pasur parasysh që gjashtë grupet parlamentare kanë të drejtë ta kenë nga një anëtar. Nëse presidenti nuk i emëron gjashtë anëtarët ashtu siç i ka kërkuar vetë, ashtu siç e cakton Ligji mbi Zgjedhjet, normalisht që do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Koalicioni PAN duhet të vendos së bashku për anëtarët e KQZ-së

Kurse, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kërkesa e partive të koalicionit qeveritar që të jenë të ndara në KQZ, nuk ka bazë ligjore.

“Në bazë të kornizës aktuale ligjore, propozimi i anëtarëve për KQZ duhet të bëhet nga grupi parlamentar, që në këtë rast nënkupton se nominimi bëhet nga PDK-ja, përkatësisht Kadri Veseli, si bartës i regjistruar i koalicionit. Pra, në këtë drejtim, ky problem do të duhej të zgjidhej në kuadër të diskutimeve mes partnerëve të koalicionit, derisa Presidenti tashmë ka përmbushur detyrimin e tij ligjor për këtë temë”, tha Cakolli për JnK.

Ndërsa, Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), u shpreh për Gazeten Jeta në Kosovë, se koalicioni PAN është dashur të konsultohen për emërimin e anëtareve të KQZ-së qysh nga koha e formimit të koalicionit.

“Në parim presidenti e ka ndjek logjikën që ja ka përcaktuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015 në kohen kur ka qenë kriza institucionale. Mirëpo, në parim emërimi i anëtareve të KQZ-së bëhet në bazë të koalicionit qeveritar dhe këtë është dashur me pas parasysh që ky koalicion kur e ka nënshkruar me qeverinë është dashur me gjet një afat të përbashkët që na përfaqëson neve”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se ne ketë rast çfarëdo zgjidhje që tenton të bëjë koalicion duhet te jetë zgjidhje konsensuale.

“Për shkak që koalicioni është dashur me pas të qartë që në një moment do të vije ky përcaktim i përfaqësueseve dhe është dashur me qenë pjesë e pajtueshmërisë paraprak që kurdo që të bëhet emërimi i përfaqësuesve të tyre”, tha ai për JnK.

Ndërkaq, sipas tij, koalicioni ka përçarje edhe në tema më të mëdha se sa vetëm dekretimi i anëtarëve të KQZ-së.

Për lëkundje të mundshme të koalicionit ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në intervistën për emisionin ‘Jeta në Kosovë’. Sipas tij, ka pasur ndjenja të lënduara nga ky koalicion mirëpo ka progres.

“Atëherë koalicioni i ka pasë disa argumente pse duhet të ndodhë. Janë dy momente pse ndodhemi në punë, një është kontrata në tema pastaj është edhe ndjenja. Nganjëherë ndjenja edhe lëndohet. Tash ndjenja është pak më e lëndume këto kohët e fundit. Ajo që di është që ky koalicion megjithatë në disa tema me rëndësi është ka e jep provimin. Po përballet me realitetin”, tha Haradinaj.

Historiku i problemit

Është bërë një vit që kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishe injoruar zgjidhjen e situatës për anëtarët e KQZ-së, pavarësisht presionit nga ana e partive opozitare LDK dhe VV dhe debateve të shumta në Kuvend.

Lënia anash e KQZ-së nga ana e tij solli edhe reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, që kërkoi nga Thaçi emërimin e menjëhershëm të anëtarëve.

Vetëm pak orë ju deshën Thaçit që ta marrë seriozisht kërkesën e ambasadës, ku njoftoi se dekretimi i tyre do të bëhet të enjten.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë për KALLXO.com se subjekti i tyre politik  do t’i ketë 2 anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

“Sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, LDK duhet të ketë dy anëtarë në KQZ. Ne do të kemi dy anëtarë. Keq që është humbur një vit duke e mbajtur të bllokuar këtë institucion kushtetues”, ka thënë Hoti të martën.

Kurse, ish-anëtari i VV-së në KQZ, Adnan Rrustemi ka thënë për KALLXO.com, se të martën kanë pranuar dy e-maile për të nominuarit e tyre në KQZ.

“Ne sot i kemi marr 2 e-maila për dy të nominuarit e Lëvizjes, për zonjën Nazlie Bala dhe për mua personalisht. Ashtu si na takon me Kushtetutë dhe me rezultatin e zgjedhjeve, Lëvizja do t’i ketë dy anëtarë në KQZ, nga e enjtja e kësaj jave”, ka thënë ai.