Ilustrim

Kush dhe si do ta bëjë kontrollin e cilësisë së naftës me ligjin e ri?

Miratimi në parim i projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, është mirëpritur nga shoqata e naftëtarëve të Kosovës, pasi rekomandimet e tyre, janë inkorporuar të gjitha brenda tij.

Fadil Berjani, kryetar i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se si shoqatë kanë qenë pjesë e grupit punues gjatë përpilimit të draftit.

“Rekomandimet tona gjitha janë inkorporuar në ligj. Kurrfarë kundërshtimi nuk ka pas shoqata e naftëtarëve”, tha ai.

Berjani ka treguar disa rekomandime të cilat kanë pas kërkesë që t`i inkorporojnë në projektligj si kontrolli i cilësisë, t`i kaloj doganës, të merret parasysh distanca mes pikave të karburanteve, etj., duke u shprehur optimist se ligji do ta rregulloj këtë sektor.

“Ne rekomandimin e kemi dhënë që kontrolli e cilësisë t’i kaloj doganës, pastrimi i rezervarëve të jetë 10- vjet, kriter të jetë pika e ndërtimit të karburanteve largësia 5 km në komuna, 10 km në nacionale, 25 në autostradë, këto gjitha janë marrë parasysh. Distancë nuk ka aktualisht, jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti. Unë shoh që ky ligj do e rregulloj këtë sektor”, tha Berjani.

Berjani, gjithashtu shpreson që përmes projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, burokracitë që kanë qenë deri më tani me akte ligjore dhe udhëzime administrative do të anulohen.

“Certifikata e biznesit nxjerrët në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ne duhet të shkojmë te noteri 20 faqe mi noterizu, që kushtojnë rreth 30 euro. Të gjitha këto burokraci janë larguar”, shtoi Berjani.

Sipas tij do të jetë ligj i hapur, treg i hapur, konkurrencë e hapur.

“Çka kanë me lyp bizneset më shumë”, tha ai.

Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 22 korrik, me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka treguar se çfarë synojnë me ligjin e ri.

Sipas saj kohëzgjatja e lejeve është rritur nga 2 vjet në 6 vjet.

“Ligji i ri i siguron mekanizmat e duhur për zbatimin e kushteve ligjore dhe për të siguruar cilësinë e naftës para hyrjes në treg, kudo në treg, te operatorët ekonomik dhe te konsumatorët. Pra, do të mundësoj qartë kontrollin. Mbikëqyrja inspektuese është fuqizuar. Shteti do të ketë mundësi të shqiptoj gjoba të ashpra, ndaj shkeljeve, të revokoj lejet për shkelje të caktuara si dhe do të ndaloj veprimtarinë dhe ushtrimin e profesionit atyre që përsërisin shkeljet”, tha ministrja.

Hajdari tha se mbikëqyrja e tregut të naftës do të jetë transparente dhe shteti do të informoj publikun për shkeljet, siç njofton operatorët për detyrimet e tyre.

Hajdari tha se sektori i naftës është i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin ekonomik por për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e konkurencës si dhe integrimin evropian në përgjithësi.

“Ky projektligj ofron këto përparësi: do të ketë mekanizma që lidhen me prodhimin dhe përpunimin, procedurat e lejeve janë të thjeshtësuara, bizneset do ta kenë më të lehtë pajisjen me leje por njëherësh shteti do të ketë më të lehtë administrimin dhe mbikëqyrjen e lejeve. Pra, do të kemi thjeshtësime dhe do të fuqizojmë procedurat”, tha ajo.

Qëndrimet e grupeve parlamentare për projektligjin

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dhënë mbështetje në parim projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, ishin shprehur gjatë seancës se nuk do ta përkrahin këtë projektligj pasi ligji ka mangësi.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala, njëherësh edhe kryesues i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti tha për KALLXO.com se Ligji për karburante është ligj që ka qenë edhe më herët nëpër institucione të Kuvendit dhe se është jashtëzakonisht i përgatitur keq.

Sipas Shalës, ky ligj favorizon grupe të caktuara të interesit, i jep tej mase kompetenca ministrisë, ose ministrit direkt për të operuar me çështjen e cilësisë së derivateve.

“Një ligj i cili nuk e rregullon fushën si duhet dhe sipas standardeve por edhe kriteret teknike edhe standardet len kompetencë që individ të caktuar me i rregullu me akte nënligjore. Një ligj që nuk i shërben as rregullimit të tregut në fushën e naftës por, një ligj i cili favorizon gjithë ingranazhin e grupeve të caktuara të cilat parimisht duhet mu diciplinu me ligj fusha e cilësisë së naftës”, tha Shala.

Deputeti i PDK-së, tha se edhe në kuptimin mjedisor ligji ka shumë mangësi. Ai shtoi se nuk presin që pozita t`i merr parasysh rekomandimet e opozitës, por që as grupi parlamentar i PDK-së nuk do t`i mbështes.

“Numri i vërejtjeve janë shumë të larta. Parimisht kemi shpreh qëndrimin tonë kundër. Ne nuk presim që pozita do t`i merr rekomandimet e opozitës”, tha ai.

Shala tha se ka kërkuar që rekomandimet e tyre të merren parasysh që ligji të kthehet të përpunohet mirë dhe të jetë ligj i zbatueshëm konform standardeve që kërkohen.

“Ne do të bëjmë atë çka është e mundur dhe legale sa i përket këtij ligji ma shumë se me kundërshtu nuk kemi çka”, përfundoi Shala.

E deputetja e LDK-së, anëtare në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Valentina Bunjaku, ka bërë të ditura për KALLXO.com, kërkesat e subjektit të saj sa i përket këtij ligji.

Sipas Bunjakut, në të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare, kërkohet kontrolli i cilësisë së produkteve të naftës.

Ajo tha se do të kërkojnë që kontrollet të jenë në dy lokacione: në kufij dhe brenda shtetit kudo që qarkullon.

“Mund të dyshohet se mund të vjen me cilësi në Doganat e Kosovës, e të përzihet brenda, prandaj për ta kontrolluar cilësinë e naftës, duhet në kufij dhe tregun e brendshëm. Do të kërkojmë që kontrolli të jetë nga Doganat me laboratorin e vet, e jo të kalohet direkt në laboratorë privat ose krijim të ndonjë monopoli në këtë fushë”, tha ajo.

Bunjaku, tha se licencimi i laboratorëve për kontrollin e cilësisë të jetë konform rregullave strikte të tregut të lirë, ekonomisë me parime demokratike e të konkurrencës së drejtë, por pa çuar dëm laboratorin e Doganave të Kosovës.

“Ajo çfarë mund të bëhet nga Doganat, të bëhet nga to. Ajo që nuk mund të bëhet, të plotësohet me operim dhe licencim rigoroz të laboratorëve privatë. Këta laboratorë po ashtu duhen të jenë të përcaktuar qartë (themelimi, operimi, funksionimi, licencimi, gjobat) në projektligj, që të dënohen në shuma të mëdha nëse kapen në flagrancë se kanë dhënë verifikime konfirmuese falso, për naftë që nuk ka qenë cilësore. Pak a shumë që të mos ndodhë që të ketë naftë jocilësore, por me letra e dokumente të del cilësore nga laboratorët”, shtoi Bunjaku.

Sipas saj LDK është parti e djathtë dhe e stimulojnë ekonominë e lirë dhe luftojnë monopolet kudo që mundeni në rrethanat e Kosovës.

Bunjaku tha se jemi duke u koordinuar me deputetët e tjerë të LDK-së dhe do të japin rekomandimet e tyre finale.

Ndërkaq, Albena Reshitaj, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ka ftuar deputetët që ta mbështesin në parim këtë projektligj.

Reshitaj, ka konsideruar që është i një rëndësie të veçantë serioziteti i institucioneve në kontrollimin e importit të naftës që futet në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm kontrolli i cilësisë por edhe inspektimi dhe kontrollimi i funksionit të laboratorëve.

“Deri më sot vendi jonë nuk ka informacione shkencore në lidhje me impaktin e kualitetit të dobët të naftës që është fut në territorin e Kosovës”, tha Reshitaj.

Reshitaj është kontaktuar nga KALLXO.com, për ta dhënë qëndrimin e subjektit të saj sa i përket këtij projektligji, por është përgjigjur se këtë çështje fillimisht do ta diskutojnë në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë nga aspekti i mjedisit.

Nënkryetarja e komisionit për Ekonomi, dhe deputetja e LVV, Jeta Statovci, gjatë seancës së 22 korrikut, tha se ky ligj do të mbroj tregun e karburanteve duke mbrojtur konsumatorin, konkurrencën, mjedisin, sigurinë publike dhe arkën e shtetit.

Më 15 maj të këtij viti, në “KallxoPernime” është transmetuar hulumtimi “Cilesia e Naftës”.

Skema e kontrollit të cilësisë së naftës sipas këtij hulumtimi, funksiononte përmes njeriut i cili inicioj këtë punë, ish ministri i Ministrisë së Tregtisë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.

Ndërsa njëri nga personat i cili përfitonte nga ky vendim ishte baxhanaku i Endrit Shalës, Valdet Teneqja, kompania e të cilit u emëruar për kontrollin e cilësisë së naftës.

Ndërsa, personi i cili i vendosi rreth kësaj skeme sipas hulumtimi është ish ministri i Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi, i cili vendosi që certifikata e konformitetit të mos lëshohet nga Dogana e Kosovës por nga kompanitë private, e i njëjti nuk e shfuqizonte udhëzimin administrativ edhe pse kishte pranuar disa shkresa nga kryeministri Avdullah Hoti.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nëpërmes një vendimi, u kishte dhënë dy kompanive të drejtën për kontrollin e cilësisë së naftës: kompanisë së Jakup Gashit dhe kompanisë së Valdet Teneqes.

Në maj të vitit 2021, Ministrja e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se ka marr vendim ta rikthej Udhëzimin Adminitrativ e ish ministres Hykmete Bajrami të marrur në vitin 2017 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës. Ajo gjithashtu ka njoftuar se me këtë vendim, ka anuluar edhe dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, duke theksuar se tash kontrolli i naftës i kthehet Doganës së Kosovës.

“Kontrolli i naftës i kthehet në Doganë, vendoset ligjshmëria. Falë punës së mirë ekipore në MINT, sot mora vendim për të anuluar dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr. 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, i cili jashtëligjshëm ka bartur kompetencën e kontrollit të konformitetit të karburanteve nga Dogana e Kosovës te kompanitë private të lidhura me ish-pushtetarët”, ka shkruar Hajdari.

Hajdari ka shkruar se “Laboratori i Doganës, që u mbyll kundërligjshëm nga ish-ministri, është investim mbi 1 milion euro nga buxheti i shtetit dhe se vendimi i sotëm siguron sundimin e ligjit dhe mbron kontributin e tatimpaguesve”.

Hajdari po ashtu ka bërë të ditur se ka emëruar një grup punues që do të përmbyllë hartimin e Projektligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Republikën e Kosovës.

“Ne do të angazhohemi që ky projektligj t’i paraqitet për miratim Kuvendit të Republikës brenda 100 ditëve të para të qeverisë Kurti II. Vendimi i plotë, me arsyetimin e hollësishëm, botohet në Gazetën Zyrtare dhe në sajtin e Ministrisë: https://mint.rks-gov.net/page.aspx?id=1,40”, ka shkruar Hajdari.

Shkrimet që lidhen me cilësinë e naftës mund ti lexoni në këtë LINK.