Kurti apo Osmani: Cili është më i përgatitur për ta drejtuar qeverinë?

Mesnata e 30 gushtit është mundësia e fundit për të gjitha partitë politike që të lidhin koalicione parazgjedhore.

Deri më tani janë bërë dy koalicione në mes subjekteve politike. Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmeti bashkuan forcat për të kandiduar në zgjedhjet e parakohshme të dielën e 6 tetorit. Ndërsa, edhe Fatmir Limaj mori pranë vetes partinë e Behgjet Pacollit, AKR-në.

Diskutime e disa takime ndodhën edhe në mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosjes.

Albin Kurti e Isa Mustafa treguan dëshirat dhe pajtueshmërinë për bashkëpunim para ose pas zgjedhjeve. Teksa takimet ndodhnin dhe deklarimet e zyrtarëve nga të dyja partitë tregonin afërsinë, ishte pozita e kryeministrit e cila i largonte ato.

E derisa numërimi ka filluar së mbrapthi për zyrtarizimin e një kandidati të përbashkët ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, dy taborët politike janë deklaruar se pozita e shefit të Qeverisë së ardhshme u takon atyre.

Albin Kurti, ndonëse ende nuk është votuar për kryeministër nga strukturat e partisë, është prezantuar nga zyrtarët e partisë si kandidat për ta udhëhequr ekzekutivin e ri kosovar.

Ndërsa, Vjosa Osmani më 26 gusht mori besimin për të qenë kandidate për kryeministre nga LDK.

Albin Kurti vs. Vjosa Osmani

Sead Zimeri, profesor universitar në Norvegji dhe njohës i çështjeve politike në një bisedë për Gazeta Jeta në Kosovë, thotë se janë disa argumente në bazë të të cilave, Albin Kurti është kandidat më i mirë për kryeministër se Vjosa Osmani.

Sipas tij, posti për kryeministër më shumë duhet të shihet nga orientimi ideologjik dhe vizioneve politike e jo në bazë të personave të përveçshëm.

“Nuk është pra çështja pse Albin Kurti është personi më i mirë për kryeministër, ndonëse ai si personalitet është jashtëzakonisht inteligjent, karizmatik, njeri që e kupton kulturën dhe filozofinë politike dhe, mbi të gjitha, aktivist i pandalshëm për të drejtat e qytetarëve të Kosovës”, thotë Zimeri.

Tutje, sipas Zimerit, Albin Kurti ka edhe përvojën politike si pjesë e LVV-së, pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe si aktivist.

“Me ardhjen e Albin Kurtit ka gjasa të ndryshojë edhe qasja gjeostrategjike në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore, dhe përfundimisht të sinjalizohet që strukturat e luftës që kanë qenë në qeverisje mund të shkojnë në opozitë”, thekson ai.

“Përparësitë e tij janë të lidhura me vizionin e tij politik për Kosovën. Çdo parti tjetër është pa vizion politik. Mendoj secila parti flet për liberalizimin e vizave, për dënimin e korrupsionit, për ndërtimin e një shteti modern evropian, por realisht programet e tyre janë copa copa, dhe si rrjedhojë edhe premtimet e tyre janë në masë të madhe ideologjikisht të ç’orientuara”, deklaron ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

“Qytetari i informuar mirë, që e njeh vizionin politik të Lëvizjes, i kupton edhe sfidat që një vizion i tillë i has në realitet, por mbi të gjitha, një qytetar i tillë, e kupton menjëherë të vërtetën nga propaganda, kur bëhet një premtim që brenda suazave vizionare nuk mund të realizohet nga ai i cili mund të realizohet. Kjo është jo vetëm përparësi por privilegj”, deklaron Zimeri.

Por, pikëpamje tjetër ka profesori dhe analisti politik, Dashnim Ismajli.

Sipas tij, një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe LVV-së, nuk do të duhej të ndodhte, parasëgjithash, për shkak të pikëpamjeve ideologjike të partive.

Ndërsa, ai mendon që në kohën në të cilën është Kosova, kandidati më i mirë për kryeministër do të ishte Vjosa Osmani.

“Mendoj se Vjosa për Kryeministër është një njeri adekuat për rrethanat dhe sfidat politike që po kalon vendi, bazuar në kualifikimet e saja arsimimin, përvojën e saj politike si dhe aftësitë e saj për të ndërtuar rrjet bashkëpunimi me institucione politike dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare në avancimin e të drejtave universale”, thotë Ismajli.

“Kandidatura e Vjosës për kryeministre sjell një frymë te re politike, një kulturë politike konstitucionaliste dhe mendoj se ka një përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe njëkohësisht afrimon pozitën e gruas në institucione dhe përgjithësisht shoqërinë në demokratizim e sipër”, deklaron ai për gazeta Jeta në Kosovë.

Sipas Ismajlit, vizioni i qartë politik, të bërit politikë jopopulist dhe parimet demokratike, janë tiparët që e dallojnë Vjosa Osmanin ndaj Albin Kurtit.

“Mendoj se Vjosa ka aftësitë e saja për të arritur konsensus politik, kjo gjë shumë e rëndësishme që do t’i nevojitet shtetit të Kosovës në të ardhmën. Te Vjosa unë shoh një personalitet të qëndrueshëm politik, dhe shpresa që Vjosën do e bëjë më produktive në raport me kandidatin Kurti, është se Vjosa edhe në të kaluarën por edhe sot ajo pos qëndrueshmërisë së saj rigoroze kundrejt dukurive negative në institucionet politike vendore dhe në shoqëri përgjithësisht, ka treguar poashtu vazhdimisht vullnetin e saj për një punë ekipore me grupe ekspertësh që këto sfida të tejkalohen apo menaxhohen gjithnjë përmes rrugëve ligjore”, thotë tutje ai.

“Mendoj se koha aktuale duhet t’i japë të drejtë Vjosës, ngase pikërisht një zonjë si Vjosa i duhet Kosovës për të shtyrë agjendat dhe nxitur bashkpunimin ndërkombëtar me Kosovën. Kosovës i duhet udhëheqja e Vjosës, dhe mendoj se një udhëheqje nga ana e Vjosës mund të përmbyllte dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në mënyrë të suksesshme. Me vet kandidimin e saj është zgjuar interesimi ndërkombëtar dhe disa nga faktorët globalë e kanë përshëndetur kandidimin e Vjosës”, vlerëson Ismajli.

Por, ndryshe nga Ismajli mendon Zimeri. Ai thotë se të gjitha partitë e kanë pasur rastin të qeverisin me vendin ndërsa vetëm Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka udhëhequr me ekzekutivin kosovar.

“I kemi provuar të gjitha partitë, dhe rezultatet janë zhgënjyese. Lëvizja është premtim dhe shpresë, por edhe përvojë politike. Ajo ka qenë pjesë aktive e politikës kosovare dhe është intimisht e njohur me çdo problem dhe potencial të saj. Të tjerët kanë pasur rastin disa herë dëshmohen që mund ta bëjnë Kosovën shtet të pavarur dhe me politikë moderne”, thotë ai.

“Pēr mua është tragjike që pas dy dekadash ne jo vetëm që nuk po dalim nga mesjeta por po e rrënjosim atë edhe në vetë institucionet shtetërore përmes aferave korruptive. Është jetike për një shtet modern që t’i çrrënjos9 të gjitha dukuritë e familjarizmit, nepotizmit, dhe format tjera që e bëjnë të pamundur ngritjen e shtetit modern. Shteti modern nuk mund të ndërtohet duke e bërë atë pronë private, ku ligji nuk funksionon për funksionarët të cilët e pezullojnë sa herë që u teket, dhe e bëjnë praktikimin e ligjit të varur në dëshirën e pushtetarëve”, thotë tutje ai.

Sipas Zimerit, partia e Vjosa Osmanit është përgjegjëse për gjendjen e Kosovës. Prandaj, sipas tij, Albin Kurti është në përparësi me Vjosa Osmanin. Sipas tij, Osmani nuk mund të jetë krejtësisht e lirë për të marrë vendime.

“Albin Kurti është më i mirë se Vjosa Osmani sepse ai ka ideologji më të mirë, ka vizion më të mirë për Kosovën dhe për faktin që Vjosa Osmani përfaqëson struktura politike që Kosovën e kanë sjellur aty ku është sot. Ky gjykim nuk është për Vjosën si Vjosë, por për strukturën politike që ajo përfaqëson”, thotë ai.

“Sado e lirë të jetë Vjosa Osmani në marrjen e vendimeve ajo megjithatë nuk është në krye të partisë, prandaj edhe kam arsye të jem skeptik ndaj çdo propozimi e premtimi që ajo mund ta bëjë tani, sidomos ato që mund të dalin nga linjat politike të partisë. Me Albin Kurtin ne e dimë ku qëndrojmë”, vlerëson ai.

Mirëpo, sipas analistit Ismajli, Kosova nuk ka kohë të humb për të provuar politikanë me qëndrime të luhatshme siç, sipas tij, është Albin Kurti.

“Vjosa për arsye se vizioni i saj politik është i sigurt dhe ka qenë konstant në frymën demokratike dhe krijimin e një shteti të së drejtës, ku mirëqenia dhe të jetuarit dinjitetshëm do jetë natyrshëm evident. Andaj mendoj se Kosova nuk ka kohë për të humbur në eksperimentimin e politikanëve që kanë bindje të luhatshme dhe brendësisë tonë i japin rezerva, njëashtu Kosovën mund ta vendosin në pozitë jo të favorshme, marrë për bazë këtu jo qëdrueshmërinë dhe thyerjen e z. Kurti në ndjekjen e kursit politik dhe programatikës së tij”, deklaron ai.

“Gjithashtu një pjesë dërmuese nga resurset politike dhe rekrutimet e bëra si në kohën e fundit po edhe në të kaluarën nga ana e z. Kurti janë ish-shërbyes të PDK-së. Përfundimisht mendoj se ardhjen e znj. Osmani kryeministre përfiton me automatizëm vetë Republika dhe imazhi i saj brenda dhe jashtë. Kjo është mundësi për Kosovën që të bëhet shembull ndërkombëtar me avancimin e pozitës së gruas dhe delegimin e rolit të përgjegjësisë vendimmarrëse”, thotë në fund ai.

Nesër në mesnatë është koha e fundit kur do të kuptohet nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të lidhin një koalicion parazgjedhor dhe do të pajtohen për një kandidat të përbashkët për kryeministër. E nëse kjo nuk ndodhë pritët që të dielën e 6 tetorit të përballen në garë së bashku, Vjosa Osmani e Albin Kurti.