Kursimet pensionale pësojnë rënie prej 5.2 %, humben 85 milionë euro

Kursimet Pensionale të kontribuesve kosovarë të menaxhuara nga Trusti pensional në vitin 2018-ë pësuan rënie prej 5.2 për qind. Shprehur në shifra janë humbur rreth 85 milionë euro për shkak të rënies se vlerës së aksioneve në tregjet financiare ku janë të investuara kursimet e kosovarëve.

Përplasja e ashpër tregtare ndërmjet ShBA-s dhe Kinë-s si, ngadalësimi i rritjes ekonomike globale ishin disa nga arsyet që kanë goditur tregjet financiare duke u reflektuar kështu edhe tek fondet e Trustit.

Bordi i këtij institucioni vendosi të mos plasoj fonde të reja në tregjet financiare por t`i orientonte investimin e mjeteve në Kosovë.

Fondi i Kursimeve Pensionale ka filluar vitin 2018-të me mjetet nën menaxhim prej 1,634,648,056 euro dhe e ka përfunduar atë me 1,681,148,925 ose me 46,500,869 euro më shumë.

Gjatë këtij viti FKPK-ja po ashtu ka shpaguar shumën prej rreth 31.2 milionë euro për kontribuuesit e pensionuar.

“Perfomanca e investimeve gjatë vitit 2018 ishte minus 5.2%, që erdhi pas kthimit në investime prej +6.48% për vitin 2017. Po ashtu duhet sqaruar se deri në vitin 2018 ishin 9 vjet të rezultateve pozitive të njëpasnjëshme nga investimet me një kthim bruto të akumuluar prej 464.8 milionë euro”, thuhet në kumtesën e FKPK-së. Rënia e investimeve prej 5.2% nëse përkthehet në vlerë monetare i bie një humbje prej 85 milionë euro.

Tutje në kumtesën e FKPK-së thuhet se Trusti është institucion që investon në afatgjatë dhe kur merren parasysh periudhat e dy a më shumë vjeçare, performanca e investimeve përherë del pozitive. Thënë ndryshe, sa më afatgjatë që shqyrtohen investimet e FKPK-së, aq më lartë rezulton performanca mesatare vjetore e anualizuar e saj. Kështu, për 10 vjetët e fundit-duke përfshirë performancën e vitit 2018-del se FKPK-ja ka pasur kthim mesatar pre 4.89 për qind.

Për dallim nga viti i kaluar, javën e parë të 2019-s kthimi nga investimet ishte pozitiv.

“Për të demonstruar vlerën e investimeve të tanishme, por edhe luhatshmërinë e zakonshme të tregjeve, vetëm në javën e parë të janarit 2019 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së ka qenë pozitiv për rreth 20 milionë euro”, tregon FKPK.

Faktorët përcaktues të performancës në vitin 2018

Performanca e FKPK-së për vitin 2018 e reflekton faktin kryesor se të gjitha tregjet financiare e përmbyllën negativisht këtë vit.

Deri në fund të tremujorit të tretë 2018 kthimi bruto nga investimet e FKPK-së kishte qenë rreth +22 milionë euro, periudhë gjatë së cilës edhe tregjet financiare kishin qenë me kuota pozitive.

FKPK numëron arsyet të cilat ndikuan në rënie të fortë të tregjeve financiare

“Tremujori i katërt i 2018-s pati një rënie të fortë të tregjet financiare për disa arsye kryesore:

  1. Lufta e ashpër tregtare mes dy ekonomive më të mëdha ShBA-së dhe Kinës ( e pa precedentë deri atëherë), e shoqëruar kjo me deklarata të ashpra të vazhdueshme të administratës amerikane ndaj çështjes tregtare dhe humbja e kongresit kundrejt demokratëve, e cila krijonte paqartësi për tregjet financiare.
  2. Politika shtrënguese monetare të Bankës Qendrore të ShBA-së si dhe paralajmërimi për rritje të tjera të normës bazë të interesit në vitin në vijim.
  3. Paqartësi rreth BREX-it dhe buxhetit fiskal të Italisë.
  4. Ngadalësimi i rritjes ekonomike globale, me theks të veçantë i ekonomisë aziatike.
  5. Korrigjimi masiv i vlerës së aksioneve botërore, që solli kështu përfundimin e ciklit 10 vjeçarë me kthime pozitive vjetore në tregjet e aksioneve.

FKPK tregon se faktorët e sipërpërmendur bën që luhatshmëria në indekset kryesore botërore të jetë e madhe dhe ato të përfundojnë vitin 2018  në territor negativ, fakt që u reflektua edhe në performacën e FKPK-së.

Megjithatë, falë strategjisë dhe vendimeve të bordit Drejtues, ku pjesa dërmuese gjatë vitit 2018 u bënë me fletobligacionet qeveritare të Kosovës), performanca e FKPK-së ishte më e amortizuar sesa e indekseve kryesore globale.

Portofoli i FKPK-së në vitin 2018 është karakterizuar me stabilitet dukshëm më të qëndrueshëm se tregjet kyçe të aksioneve. Risku i matur portofolit FKPK-së (5.0%) ishte përafërsisht tri herë më i vogël sesa i indekseve kyçe të tregut të aksioneve.

Reduktimi i riskut dhe i investimet në Kosovë

Tutje në dokumentin e FKPK thuhet se duke analizuar retorikën e luftës tregtare mes ShBA-ve dhe Kinës, dhe duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e saj, Bordi Drejtues i FKPK-së nga fundi i vitit 2017, e përgjatë gjithë vitit 2018, mori vendim që mos të plasonte fonde të reja në tregjet financiare ndërkombëtare, por t’i orientonte të njëjtat në Kosovë.

Për herë të parë FKPK-ja në fund të 2018-s pati rreth 300 milionë euro të investuara në Kosovë, ose rreth 20% të totalit të mjeteve. Kjo u arrit si pjesë e rritjes së kërkesës për fonde nga Qeveria e Kosovës- në të cilat FKPK-ja ka marrë pjesë sistematikisht në secilin ankand, por edhe nga bankat në vend, që e rritën interesin për thithjen e fondeve nga FKPK-ja.

Në përgjithësi mjetet me risk më të ulët- keshi, depozitat me bankat lokale, letrat me vlerë të Kosovës dhe tregu i parasë ishin rreth 514 milionë euro ose 30.6% a totalit të mjeteve në fund të 2018-s, përderisa një vit më parë ishin 195.3 milionë ose 12% e mjeteve.

Konkluzion i FKPK-së

Bordi drejtues i këtij institucioni konkludon se rënia ishte  pashmangshme.

“Bordi drejtues vlerëson se performanca e investimeve të FKPK-së, kur merren parasysh kushtet tejet sfiduese me tregjet financiare: me dhjetorin më të keq në histori të tregjeve financiare dhe momentin kur ndodhi kjo rënie, ishte e pa shmangshme në terma të performancës vjetore. Kjo meqë qysh në javën e parë të 2019-ës çereku i kësaj rënie është rikuperuar”, konkludon FKPK.

Krahas kësaj, FKPK përsëritë se nga mosha mesatare e kontribuueseve të FKPK-së, prej  41 vjeç, mjetet investohen në këndvështrimin afatgjatë. Pavarësisht performancës negative të një viti të vetëm strategjia investuese në fuqi do t’i arrijë rezultatet e dëshiruara për të gjithë kontribuuesit në periudhë afatgjatë-sikurse është dëshmuar nga performanca komulative-pozitive e investimeve të FKPK-së prej themelimit e deri në fund të 2018-s.