Varret e viktimave të masakrës së kryer nga forcat serbe në Reçak – Foto: KALLXO.com/ Naser Sertolli

Kur mund të nisin gjykimet në mungesë për krimet e luftës?

Mbi 12 mijë vrasje, mijëra dhunime e krime ordinere lufte gjatë viteve 1998-1999 kanë mbetur të pandëshkuara.

Për 20 vite, shifrat e të akuzuarve nuk e kanë kaluar numrin 100 ndërsa në burg për krime lufte janë më pak se 10 të akuzuar ose dënuar.

Për vite me radhë hetimet për krimet e luftës iu besuan prokurorëve ndërkombëtarë ndërsa vendi nuk ka komunikim institucional për të kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e kriminelëve potencialë të fshehur në Serbi.

Nën menaxhimin vendor Kosova së fundmi ka ndryshuar Kodin e procedurës penale, i cili do të krijojë mundësi që persona që fshihen në shtetet e tjera ose janë të pakapshëm, të hetohen, të akuzohen e të gjykohen në mungesë.

Procedurat e parapara në Kodin e ri të procedurës penale nuk japin  shpresë që brenda këtij viti të nisë ndonjë gjykim në mungesë.

Proceset e para, nëse respektohen afatet e parapara në kod, mund të nisin tek në verën e vitit 2020.

Si zhvillohet procesi

Kodi i procedurës penale ka paraparë kushte të cilat duhet të plotësohen para se të nisë gjykimi në mungesë.

Për të nisur procesin prokurori vendor duhet së paku pesë herë të kërkojë nga autoritetet e shteteve të tjera të arrestojnë dhe ekstradojnë personin e dyshuar.

Në dosje të lëndës duhet të jenë edhe provat që prokuroria ka shfrytëzuar çdo mekanizëm ndërkombëtar për të kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e personit të dyshuar.

Procedurat brenda të cilave prokuroria lëshon fillimisht fletë-arrest vendor, pastaj ndërkombëtar, e më pas edhe pesë kërkesat e veçanta për shtetin ku dyshohet se është fshehur i dyshuari kërkojnë kohë dhe do të marrin resurse të tëra për t’u përmbushur këto kushte.

Kur prokuroria arrin në përfundimin se  procesi i dërgimit të fletë-arresteve ndërkombëtare e kërkesave për ekstradim nuk ka sukses atëherë nevojiten edhe të paktën gjashtë muaj për të nisur procesin nga fillimi.

Kodi parasheh që pas dështimit të arritjes së qëllimit personi i hetuar mund të shpallet në kërkim së paku gjashtë muaj në mjetet e informimit publik të Republikës së Kosovës.

Në rastet kur shteti pranues të cilit i dërgohet çdo kërkesë lidhur me hetimin, akuzimin dhe gjykimin e të pandehurit, thirret në parimin e inkriminimit të dyfishtë se i njëjti duhet ta ketë rregulluar me legjislacionin e vet penalo-procedural veprën penale për të cilën kërkohet i pandehuri e nëse vepra e tillë inkriminohet ndryshe nga legjislacioni jonë, Kosova nuk heq dorë nga një kërkesë e tillë dhe vazhdon procedurën sipas legjislacionit përkatësisht nenit të shtetit pranues.

Hetimi dhe gjykimi

Personi i cili do të ndiqet penalisht në mungesë do trajtohet si palë dhe në mungesë do të ketë të drejtë për avokat të autorizuar ose avokat ex officio nga paratë e shtetit.

Në nisje të procesit, prokurori dhe gjykata do ta trajtojnë rastin sikur i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë.

Kodi ka paraparë që i pandehuri nga mungesa mund të komunikojë me gjykatën. Duke dërguar deklarata të noterizuara ai mund të pranojë ose jo fajësinë e po ashtu të kundërshtojë provat. Procedura ka paraparë që të pandehurit do t’i dërgohen të gjitha provat materiale që prokurori i ka kundër tij.

Për një gjykim të drejtë personi i gjykuar  në mungesë përfaqësohet nga një avokat i zgjedhur nga vetë ai ose sipas detyrës zyrtare, i cili  me një shkresë të noterizuar mund të refuzojë të jetë i përfaqësuar nga avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare. Personi i gjykuar në mungesë nëpërmjet avokatit të tij mund të ofrojë prova, argumente për mbrojtjen e tij. Gjithashtu i është rezervuar edhe e drejta që t’i drejtohet avokatit të popullit, për të paraqitur argumente për vete për të siguruar gjykim të drejtë. Nga mungesa Kodi ka paraparë që rasti mund të kalojë edhe në gjykatat e shkallëve më të larta duke shfrytëzuar të drejtën e ankesës.

Në rast se i njëjti shpallet fajtor, avokati gjithmonë parashtron mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike vetëm nëse udhëzohet ndryshe nga personi i gjykuar në mungesë. Nëpërmjet këtij procesi gjyqësori synon që t’i  dënojë dhe shpallë në kërkim përgjegjësit për krimet e luftës në Kosovë.

Efektet e shpalljes së dënimit i cili ka marrë formën e prerë ndaj personit të gjykuar në mungesë do të rezultojnë me shpalljen në kërkim në çdo sistem juridik ndërkombëtar në të cilin Republika e Kosovës është shtet anëtar.

Ndërsa sa i përket çështjes së ekstradimit të të dënuarit në mungesë ai ka të drejtë të kërkojë rigjykim brenda 2 viteve nga momenti kur autoritetet kosovare ushtrojnë kontroll efektiv në të. Provat e konfirmuara mund të kthehen në rigjykim vetëm nëse për to ka fakte dhe prova të reja të cilat nëse do të administroheshin do të ndryshonin rrjedhën e gjykimit për dënimin e dhënë.

Në rastet e rigjykimit të provave, kur palët nuk janë të gjallë, dëshmitë e tyre të deponuara supozohet që të jenë kërkuar edhe sikur  ata të kenë qenë të pranishëm në shqyrtimin gjyqësor.

Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale në Republikën e  Kosovës iu ndez drita e gjelbër për hetimin, akuzimin  dhe dënimin e kriminelëve serbë deri tani të paarritur për autoritetet e Kosovës  për krimet e kryera gjatë  kohës së luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Lëndët e trashëguara nga EULEXI tani do të bien në duar të atyre që kanë vullnet për t’i treguar drejtësisë dhe familjarëve të viktimave se po  drejtësia jonë punon, i përvesh mëngët dhe do ta thotë zërin e viktimave në gjykatë.

Prokurorja speciale Drita Hajdari më 13 mars për BIRN kishte thënë se i kanë 900 raste të krimeve të luftës dhe 2.000 të tjera për njerëz të zhdukur.

“Do të thotë se ky është një oqean. Në një situatë të tillë, qemë të detyruar të gjenim një rrugëzgjidhje dhe kjo është një strategji për mënyrën se si t’i trajtojmë ato”, kishte thënë ajo.

Strategjia e re e Kosovës mbulon krimet e luftës të kryera midis 29 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999. Të gjitha incidentet para dhe pas kësaj periudhe do të trajtohen si krime kundër njerëzimit.

“Pa një angazhim të vërtetë nga autoritetet kosovare dhe serbe, ne nuk do të mund t’i sjellim kriminelët para drejtësisë”, tha ajo.

“Krimet e luftës duhet të zhvishen përfundimisht nga përkatësia etnike”, shtoi ajo. “Viktimat janë të një rëndësie tepër të lartë”.

Lidhur me gjykimin në mungesë, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, për BIRN kishte thënë se gjykimi në mungesë mund të ketë efektet pozitive për opinionin për faktin se opinioni, të dëmtuarit, do të binden se funksionon shteti ligjor dhe ata të cilët kanë kryer krime të luftës do t’i nënshtrohen një procedure për vërtetimin e fajësisë së tyre.

“Mirëpo, konsideroj se efektet juridike do të ketë fare pak, ngase ata do jenë të paqasshëm për organet e Republikës së Kosovës (shumica e të dyshuarve që mund të jenë subjekt i procedurave penale janë në Serbi), ndoshta ato aktgjykime do të ngelin vetëm letër e pazbatueshme, eventualisht mund të ketë pasoja juridike për personat që do shpallen fajtorë, nëse ndërkohë ne anëtarësohemi në institucionet e sigurisë europiane dhe ndërkombëtare (Europol, Interpol), do vështirësohej lëvizja e lirë e tyre, mirëpo pak është e besueshme që ata do e mbajnë dënimin eventual të shqiptuar”, kishte thënë Fejzullah Hasani.