Komisionit i Pavarur i Mediave, Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet mundësia që KPM-ja mbikqyrë përmbajtjen e mediave online

Deklarata e kryetarit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Xhevat Latifi rreth një ligji të ri për këtë Komision dhe mundësisë së përfshirjes së mediave online që ofrojnë produkte audio-vizuale, në kuadër të këtij institucioni, ka ngjallur reagime mospajtuese të përfaqësueseve të mediave në Kosovë dhe institucioneve të tjera që merren me fushën.

Të martën në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie, Latifi ka deklaruar se duhet një ligj të ri i KPM-së i cili pos tjerash, duhet të përfshijë përbrenda edhe portalet me produkte audio-vizuele që të jenë në kuadër të këtij institucioni, duke shtuar se janë dëshmitarë “të një gjendje toksike të fjalorit të mediave në Kosovë”.

“Kur e përmendim çështjen e ligjit të ri të KPM-së, pikërisht është pjesa audio-vizuele e portaleve të futet në kuadër të trajtimit të KPM-së”, ka thënë ai.

Pas kësaj deklarate të tij, KALLXO.com ka marrë një qëndrim nga Latifi, për atë se ideja e kujt është që portalet që kanë produkte audio-vizuele të hyjnë në kuadër të KPM-së.

Ai ka thënë se para Komisionit parlamentar, ka paraqitur kërkesat e shoqërisë e jo qëndrimin e tij e as të KPM-së.

“Unë kam thënë që në ligjin e ri do të ishte mirë që të përfshihen edhe portalet që merren me produkte audio-vizuele. Në ligjin e ri, jo tash. Jo të gjitha portalet, por ato që merren me pjesën audio-vizuele. Është vetëm kërkesë. Ne veç po e matim opinionin, shqetësimet e njerëzve. Nuk mund të themi se është formësuar kjo ide. Unë e kam paraqitur mendimin si shqetësim të shoqërisë, nuk mund të themi se është mendim i imi apo qëndrim i KPM-së, por si shqetësim i shoqërisë tonë”, ka theksuar Latifi për KALLXO.com të martën.

Mundësinë e përfshirjes së pjesës audio-vizuele të mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, po e kundërshtojnë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), drejtuesit e mediave si dhe njohësit e fushës së mediave në Kosovë.

KMShK-ja dhe AGK-ja kundërshtojnë, KPM-ja arsyetohet 

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se iniciativa e tillë bie ndesh me lirinë e shprehjes.

“KMShK është kundër çdo përpjekjeje për rregullimin qoftë edhe të pjesshëm të përmbajtjeve online. Mediat online duhet të mbeten pjesë e vetërregullimit dhe përpjekjet e kujdoqoftë për të ndërmarrë veprime që bien ndesh me lirinë e shprehjes, janë të papranueshme dhe nuk u ndihmojnë mediave dhe gazetarëve”, tha ai.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në një reagim të përbashkët me KMShK-në ka kundërshtuar idenë e lansuar dje.

“KMShK, si mekanizëm vetërregullues që përfaqëson mediat e shkruara dhe online dhe AGK, si organizatë që përfaqëson gazetarët, kundërshtojnë çdo përpjekje dhe çdo iniciativë, nga kushdoqoftë, për përfshirjen e përmbajtjes online të mediave si pjesë e mekanizmit rregullues nga institucione shtetërore”, thuhet në reagim.

Pas raportimit të KALLXO.com të martën në lidhje me deklaratën e kryetarit të KPM-së, Xhevat Latifi, KPM-ja të mërkurën doli me një sqarim për opinionin publik.

Sipas tyre, nuk është kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të përfshihet çështja e rregullimit mediave online në kuadër të kompetencave të KPM-së, siç është paraqitur në opinion përmes disa portaleve.

“KPM-ja ka kërkuar që në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në, të parashihen kompetenca sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ashtu siç është rekomanduar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2020 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës dhe duke u bazuar në Direktivën 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audio-Vizuele (Audiovisual Media Services Directive)”, thuhet mes tjerash në këtë publikim.

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë në KPM, për të kuptuar më specifikisht se për cilat media online bëhet fjalë, cilat janë shërbimet audio-vizuele të cilat duhet të përfshihen, dhe cilat nuk duhet të përfshihen në procesin e amandamentimit të Ligjit për KPM-në si dhe çfarë kompetenca po kërkon ky Komision.

Arsim Dreshaj, zyrtar i Lartë për Marrëdhënie me Publikun në KPM, në një përgjigje për KALLXO.com, ka kërkuar t’i referohemi Direktivës 2018/1808 të Parlamentit dhe Këshillit të Evropës për Shërbime Mediale Audiovizuale, pa dhënë sqarime shtesë.

Kurse, në pyetjen tjetër për kompetencat që i ka kërkuar KPM-ja sa i përket shërbimeve mediale audio-vizuele që shpërndahen në platforma online, ky institucion nuk është përgjigjur specifikisht në pyetje.

“Ju sqarojmë se KPM ka kërkuar kompetenca shtesë sa i përket pavarësisë financiare institucionale dhe ndryshime në kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të KPM-së”, është përgjigjur Dreshaj.

Iniciativa që cenon lirinë e mediave

Faton Osmani, drejtor i agjencisë së lajmeve “Ekonomia Online”, në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se është e mjaftueshme që mediat e shkruara të kenë një vetërregullim përmes KMShK-së.

“Unë po besoj që KMShK është një prej organizatave tani më kredibile dhe më aktive. Ne mblidhemi së paku një herë në muaj dhe i shqyrtojmë dhe marrim vendime për 20-30 ankesa që bëhen ndaj mediave të shkruara. Do të thotë është e mjaftueshme kjo, njëfarë organi vetërregullues”, tha ai.

Osmani beson se KMShK-ja e kryen këtë rol.

“Unë jam anëtar aty dhe na vijnë shpeshherë ankesa. Kur nuk janë për ne, për shembull kur janë kundër televizioneve ose mediave vizive, nuk i trajtojmë. I trajtojmë vetëm mediat e shkruara dhe portalet i kemi konsideruar si media të shkruara. Ky është debat i gjatë, mediat megjithatë nuk duhet të lihen, si në njëfarë livadhi me shkru gjithkush çka të dojë, por mënyra më e mirë është me u vetërregullu, jo dikush me na sanksionu. Unë po flas për këto portalet që po i quajnë, ato që janë më serioze, shumica janë anëtare të KMShK-së”, shtoi ai për KALLXO.com.

Kurse, Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në portalin ‘Telegrafi’ në një prononcim për KALLXO.com, tha që mediat online japin përgjegjësi ndaj Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) dhe rregullimi i përmbajtjes online të mediave nuk është në domenin e Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

“Unë nuk e shoh këtë si diçka që mund ta adresoj KPM-ja, sepse kjo nuk është në domenin e KPM-së, me nis çfarëdo iniciative. Iniciativa duhet me ardh nga gazetarët e jo nga KPM-ja, sepse ne si media online kemi KMShK-në ndaj të cilës japim përgjegjësi”, tha ai.

Hajrullahu tha se iniciativa e prezantuar dje në Komision është e rrezikshme dhe do të kundërshtohet.

“E cila cenon lirinë e mediave. Ne si media dhe si gazetarë do ta kundërshtojmë një përpjekje të tillë për cenim të lirisë së mediave”, theksoi ai.

Zeneli: Hap i gabuar në drejtim të gabuar – censurë 

Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës e ka parë si krejtësisht të panevojshme dhe të rrezikshme iniciativën që mediat online të kontrollohen nga KPM-ja.

“Derisa portale kanë një organ vetrregullues (Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës) e shoh krejtësisht të panevojshme përfshirjen e tyre brenda kompetencave të Komisionit të Pavarur të Mediave. Një gjë e tillë rrezikon seriozisht lirinë e shprehjes në internet dhe lirinë e qarkullimit të informacionit në këto platforma”, tha Zeneli.

Madje sipas tij, ky është një hap i gabuar në drejtim të gabuar.

“Në anën tjetër, nëse një përmbajtje e caktuar mediale audio-vizuale që publikohet në portale, duhet t’i nënshtrohet autoritetit të KPM-së, pyetja që shtrohet është se si veprojmë kur ato përmbajtje postohen në rrejte sociale? A kemi nevojë për rregullator edhe për rrjetet sociale!? Absolutisht që nuk duhet. Pra, në pikëpamje të parë, tendenca për të dublifikuar rregullimin mbi mediat e internetit, është e gabuar dhe hap në drejtimin e gabuar-censurë”, theksoi ai.

Zeneli ka thënë se tendenca që KPM-së që të merret vetëm me prodhimin audio-visual në internet, paraqet problem.

“Në rastin e medieve në Kosovë, kemi një numër jashtëzakonisht të vogël të medieve audio-vizuele që funksionojnë në internet. Shumica e medieve audiovizive, janë të regjistruara tashmë në KPM si televizione, edhe pse përmbajtjen e tyre e publikojnë edhe në internet. Pra, janë të rregulluara”, theksoi Zeneli.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Në bazë të Ligjit për KPM-në, ky Komision licencon transmetuesit publik e privat, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audio-vizuele.

Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

Kurse, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara.

KMShK-ja i ka 40 anëtarë të rregullt, nga gazetat, portalet dhe agjencitë e lajmeve. Kuvendi i anëtarëve përbëhet nga përfaqësuesit e gazetave, portaleve të lajmeve, revistave periodike, agjencive të lajmeve, dhe të blogjeve.