Kryeministri, pika çarëse VV - LDK

Qëkur u caktua data për shpërndarjen e Kuvendit, 22 gushti, zgjedhjet kanë mbetur si të pashmangshme.

E meqë zgjedhjet janë në prag, matematikat për koalicione parazgjedhore tashmë kanë nisur.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë nisur t’ia masin pulsin dhe dërgojnë sinjale njëra tjetrës për një bashkim të mundshëm në një listë kandidatësh për deputetë.

Vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti deklaroi nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” se me bashkimin e dy partive opozitare mund të marrin deri në 70 deputetë në legjislaturën e re.

“Koalicioni paraprak i opozitës së vërtetë të deridjeshme të bëhet qeveri e mirë e së nesërmes. Asisoj do t’i kemi së paku 70 deputetë”, ka thënë Albin Kurti.

Pak më skeptik për koalicione parazgjedhore po tregohen nga LDK-ja. Lutfi Haziri nuk tregoi shumë për bashkimin në zgjedhje që mund të mbahen në fund të shtatorit apo në javën e parë të muajit tetor.

“Ne besojmë shumë që në këtë fazë, as me ata e as me kta, në kuptimin as me PDK e as me VV, duke qenë se LDK mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme dhe është rikthimi i saj i madh në skenën politike”, tha Haziri të mërkurën para gazetareve në Gjilan.

Deklarimet e dy partive deri më tani kanë një të përbashkët- ato e dëshirojnë postin e kryeministrit në rast të ndonjë koalicioni para apo paszgjedhor.

Një bashkim para zgjedhjeve të dy partive aktuale opozitare e sheh si të pamundur edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Madje, sipas tij, një koalicion ndërmjet LDK-së dhe LVV-së është pak i mundshëm edhe pas zgjedhjeve.

“Ka pak probabilitet që të realizohet një koalicion paszgjedhor mes LDK-së dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndërsa për koalicion parazgjedhor as që bëhet fjalë”, thotë ai në një deklarim për Gazeta Jeta në Kosovë.

Dallimet e mëdha ideologjike ndërmjet këtyre dy partive, Muhaxhiri thotë se mund ta pamundësojnë koalicionin tyre.

“Dallimet ideologjike dhe funksionale mes këtyre dy subjekteve janë tejet të mëdha, prandaj paraprakisht do të duhej t’iu ndodhnin reforma dhe kompromise enorme përbrenda – në raport me historikun dhe strukturat e tyre, qëndrimet e deritashme mbi kauzat madhore, si dhe me garancitë e përshtatjes afatgjate reciproke të veprimeve në të ardhmen”, vlerëson sociologu Artan Muhaxhiri.

Sipas tij, aktualisht nuk ka indikacione për ndryshime të këtyre përmasave në LDK dhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, ndryshe mendon analisti politik Haki Abazi. Ai beson se ka ardhur koha për një koalicion ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, madje, sipas tij në këtë bashkim parazgjedhorë duhet të përfshihet edhe shoqëria civile dhe njerëz nga diaspora.

“Mendoj që LDK dhe LVV kanë hapësirë shumë  të madhe për të negociuar një marrëveshje të shpëtimit duke ftuar edhe diasporën dhe shoqërinë civile në bashkërendim të qëndrimeve për mbrojtjen e interesave vitale nacionale”, thotë ai.

“Në këtë listë prioritetesh nuk ka vend për mospajtim por ka nevojë për mençuri dhe vetëdije shtetformuese”, thotë Abazi.

Abazi thotë është edhe një arsye e madhe pse LDK-ja dhe LVV-ja duhet të bashkohen në zgjedhje.

“Sfidat janë shumë të mëdha dhe kërcënimi është shumë i madh dhe i rrezikshëm. Lobimi ndërkombëtar kundër Kosovës është rritur po ashtu për shkak të riorganizmit të interesave gjeopoltike dhe angazhimit të madh të resurseve nga diplomacia serbe kundër njohjeve të shtetit të Kosovës”, thotë ai për Gazeta Jeta në Kosovë.

Sipas analistit, edhe elektorati po e kërkon një koalicion parazgjedhor ndërmjet LDK- LVV.

“Ajo që është me rëndësishëm e që duhet respektuar është disponimi i madh i elektoratit të LDK dhe LVV për një koalicion të tipit CDU-SPD dhe për një marrëveshje dy mandatore që të sigurohen që reformat që do të iniciohen në mandatin e parë të prodhojnë efektin e duhur në mandatin e dytë pas pastrimit të sistemit dhe realizimit të plotë të agjendës shformuese”, thotë Abazi.

Ndërsa Muhaxhiri thotë se pavarësisht koalicioneve parazgjedhore, pozita e kryeministrit duhet t’i takojë një partie të madhe.

“Për dallim nga dy herët e fundit, kur kryeministrat nuk ishin nga partitë më të mëdha, kësaj radhe nuk është mirë të përsëritet kjo praktikë për shkak të proceseve jashtëzakonisht të rëndësishme që e presin Kosovën menjëherë pas zgjedhjeve”, thotë Artan Muhaxhiri.

Ai përmend marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilën pritet ta përfundojë ekzekutivi i ardhshëm në vend.

“Presionet e gjithanshme për përmbylljen e Marrëveshjes Finale me Serbinë sigurisht do t’i ndikojnë edhe aranzhimet për ndërtimin e koalicionit qeverisës”, deklaron ai.

“Posti i kryeministrit do të duhej t’i takonte partisë fituese të zgjedhjeve, sepse kësisoj do të kishte më shumë gjasa për krijimin e një kabineti qeveritar më autoritativ, më përgjegjës dhe me kohezion më të madh vendimmarrës”, vlerëson Muhaxhiri.

Më 3 gusht në krye të LDK-së u rizgjodh për të tretën herë radhazi Isa Mustafa.