PTK - Foto: KALLXO.com

Kronikë e një Licence të Paralajmëruar

Licencë të përkohshme për një telefoni mobile serbe, transfer i pronave të Telekomit të Kosovës tek operatori serb, janë vetëm disa nga koncesionet që i ka bërë Kosova për të arritur deri te kodi shtetëror telefonik.

Marrja e kodit telefonik (nëse ndodhë) konsiderohet si fitore nga Qeveria e Kosovës, sipas të cilës konfirmon shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Fitoren e ka shpallur edhe Qeveria e Republikës së Serbisë, e cila mburret se i ka ruajtur pronat e Telekomit në këmbim të një “kodi territorial”.

Qeveria Kosovare për të tretën herë ka njoftuar se Kosova e ka siguruar kodin telefonik shtetëror.

Fillimisht ishte bërë njoftimi në vitin 2013, kur ishte arritur Marrëveshja në mes të dy kryeministrave. E njëjta ishte përsëritur në Marrëveshjen e arritur me 25 gusht të vitit 2015. Në këtë plan për zbatimin e Marrëveshjes madje ishte thënë Kosova do të merrte kodin telefonik në fillim të vitit 2016.

http://kallxo.com/austria-ka-aplikuar-per-kodin-telefonik-te-kosoves/

Marrëveshja e re e arritur me ndërmjetësim të Brukselit parasheh hapa konkretë që dy palët, Kosova dhe Serbia, duhet t’i ndërmarrin deri në fund të këtij viti.

Nëse plani i veprimit i paraparë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE zbatohet, pas 15 dhjetorit në Kosovë do të fillojë operimin me licencë kompania “MTS d.o.o” me pronësi serbe dhe e regjistruar si biznes në Kosovë. Në të njëjtën ditë është planifikuar t’i ndahet kodi telefonik Kosovës.

Debati për titullarin e kodit +383

Ministrja e Dialogut, EditaTahiri, thotë se Marrëveshja e arritur në Bruksel është konfirmim i shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Sipas saj, me fillimin e operimi të pavarur të kodit telefonik do të shuhen operatorët ilegalë, kurse pas implementimit të plotë të kodit (migrimit) do të hiqen nga përdorimi kodet që janë përdorur deri më tani, siç është 381, 377 apo 386.

“Nuk është rastësi kodi telefonik i marrë nga ITU, sepse ky është kod ndërkombëtar i Kosovës dhe ITU mbron dhe respekton sovranitetit e shteteve në raport me kodin telefonik. Me kodin telefonik Kosova po merr sovranitet ndërkombëtar në telefoni. Me këtë ndalen ndërhyrjet e Serbisë, ndalen operatorët ilegalë dhe çfarëdo shkelje që mund të bëjë Serbia merr ndëshkim nga ITU”, ka thënë ministrja Edita Tahiri.

Ndërsa, Kreshnik Gashi, nga ARKEP, thotë se Kosova do të menaxhojë me kodin dhe se do të ketë komunikim të drejtpërdrejt me ITU-në.

“Është hap që duhet t’i gëzojë të gjithë profesionalistët e telekomit por edhe gjithë popullin e Kosovës për shkak se me këtë rast do të krijohet identiteti shtetëror në njërën anë në fushën e telekomit ndërsa në anën tjetër do të ketë mundësi dhe përfitime shumë të mira ekonomike për operatorët dhe rrjedhimisht qytetarët”, ka thënë Gashi.

Sipas opozitës, përkatësisht Lëvizjes Vetëvendosje, Marrëveshja në tërësi është e dëmshme për shkak se mban pronar shtetin e Serbisë.

“Duhet të kemi parasysh dy aspekte. E para, dallimi mes titullarit dhe shfrytëzuesit. Titullari këtu është Serbia e shfrytëzuesi është Kosova. Dhe e dyta, legalizimi i operatorit të ri të telefonisë mobile serbe në Kosovë. Këto janë dy çështje esenciale”, tha deputeti i VV-së, Glauk Konjufca.

http://kallxo.com/opozita-marreveshja-per-telekomin-e-demshme-per-kosoven/

Të njëjtën linjë e ka mbajtur edhe Ismet Hamiti, njohës i çështjeve të telekomunikacionit dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Hamiti ka thënë se Kosova duhet të aplikojë për kod telefonik si shtet, ashtu siç kanë vepruar të gjitha shtetet.

“Le të dihet, pronar i kodit që po trumbetohet është Serbia. Kodi është gjeografik, Serbia ia jep për administrim “krahinës së vet jugore” Kosovës, si rajon gjeografik. Fakti se në ITU regjistrohet autoriteti rregullator i Kosovës si administrator i kodit nuk e ndryshon këtë të vërtetë. Në të vërtetë kjo shërben vetëm për të gënjyer publikun e Kosovës se gjoja ITU ia ndau Kosovës kodin shtetëror”, ka shkruar Hamiti në një shkrim të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje.

E ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Dida, thotë se Marrëveshja e Brukselit i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në ITU.

“Me këtë anëtarësim Kosova bëhet pjesë e komunitetit botëror të shteteve që gëzojnë të drejtat dhe obligimet e anëtarit të ITU dhe me siguri, si vend në zhvillim, do të këtë përkujdesjen më të mirë të këtij rregullatori botëror të telekomunikimeve, që do të rezultojë me përfshirje në punën dhe projektet përkrahëse të tyre për Kosovën”, ka thënë Dida.

“MTS” do të shfrytëzojë pronat e Telekomit të Kosovës

Aktualisht operojnë tre operatorë serbë në pjesë të caktuar të Kosovës. Pala kosovare thotë se në bazë të Marrëveshjes dy operatorë do të shuajnë aktivitetin e tyre. Kurse, operatori MTS, i cili është funksional, do të vazhdojë operimin por tash si operator i licencuar nga institucionet e Kosovës.

“Operatori i përkohshëm mund të jetë funksional që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes për shkak se ata veç ekzistojnë në Kosovë në masën më të madhe kanë funksionuar ilegalisht bashkë edhe me dy operatorët e tjerë”, ka thënë kreu i ARKEP-it, Kreshnik Gashi.

Në një hulumtim të KALLXO.com është zbuluar se kompania “MTS d.o.o” është regjistruar si kompani në tetor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/serbia-pronare-e-operatorit-te-perkohshem/

Kompania “MTS d.o.o” është regjistruar si kompani në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, në tetor të vitit 2015.

Pronare e saj është kompania “Telekom Srbija Ad Beograd”, e pronare e kësaj të fundit është Qeveria e Serbisë.

“Telekom Srbija” është aksionari kryesor i një operatori të telefonisë mobile në Republikën Serbe të Bosnjës dhe një tjetër në Malin e Zi.

Operatori i përkohshëm (MTS) që do të vazhdojë punën me kodin që ka qenë duke operuar në mënyrë ilegale në Kosovë, do të trashëgojë gjithashtu edhe disa prona materiale të Telekomit të Kosovës.

Kryetari i bordit të ARKEP-it thotë se prona si çiftore bakri dhe kabllo do t’i lihen në shfrytëzim kësaj kompanie por do të mbesin pronë e Telekomit të Kosovës.

“Çështja e pronave është rregulluar ashtu që pjesa më e madhe e pronave që faktikisht ekzistojnë e MTS në Kosovë janë prona të cilat janë krijuar apo janë ndërtuar pas luftës ndërsa ato çiftore të bakrit dhe ato kryesisht kabllot që kanë ekzistuar prej para luftës nga ish-PTT janë pronë e Telekomit të Kosovës dhe do të mbeten pronë e Telekomit të Kosovës por do të jepen në shfrytëzim për operatorin MTS, i cili i ka pasur edhe ashtu në shfrytëzim qe një kohë shumë të gjatë”, tha Gashi.

E sipas Bashkimit Evropian, si ndërmjetësues i bisedimeve, parashihet që transferi i pronave të bëhet pa detyrime, taksa apo pagesë.

“Marrëveshja gjithashtu mundëson transferimin e aseteve të “MTS d.o.o” pa detyrime, taksa apo pagesë”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Qeveria e Serbisë i ka publikuar disa pika për të cilat thotë se është Marrëveshja e cila është dakorduar në Bruksel.

Në këto pika përmenden edhe pronat që do të transferohen tek operatori i përkohshëm.

“Në pajtim me pikën 3.5 të planit të veprimit, BE-ja do të ndërmjetësojë transferin e aseteve fikse që do të përdoren nga “MTS d.o.o”. Asetet që momentalisht përdoren nga kompania serbe (siç definohet në pikën 3.2) do të transferohen tek “MTS d.o.o”. Këto asete do të transferohen pa asnjë taksë ose pagesa dhe të liruara nga çdo kusht ose ndalesë. Kosova do të bëjë një akt final dhe të sforcueshëm në mënyrë që “MTS d.o.o” të mund t’i menaxhojë asetet në një mënyrë të duhur”, thuhet në pikat e publikuara nga Qeveria e Serbisë.

Ndërsa, tek obligimet e palëve që dalin nga kjo Marrëveshje thuhet se MTS-ja duhet t’i dorëzojë dokumentet e nevojshme për regjistrim të aseteve. E njëra prej kushteve që Kosova duhet të plotësojë para se Serbia të kërkojë prej ITU-së lëshimin e kodit për Kosovën është edhe çështja e aseteve.

“Palët do të rishikojnë përmbajtjen e draft-licencave dhe dokumentet që konfirmojnë transferin e aseteve tek “MTS d.o.o” (që përmendet në pikën 11) dhe draft-letrën e Serbisë që do t’ia dërgojë ITU-së ku pajtohet që kodi +383 t’i alokohet Kosovës. Nëse këto dokumente janë në pajtim me këto konkluzione më 3 dhjetor Serbia do të dërgojë një letër ku pajtohet që kodi telefonik +383 t’i alokohet Kosovës”, thuhet në pikat e publikuara nga Qeveria e Serbisë.

Kufizimet numerike të operatorit të përkohshëm

Pala serbe dhe ajo kosovare kanë mospërputhje lidhur me pikën që përcakton se sa numra do t’i lejohen në shfrytëzim këtij operatori, megjithëse kanë nënshkruar Marrëveshjen.

Pala kosovare thotë se operatorit të përkohshëm do t’i lejohen vetëm 60 mijë numra.

“60 mijë numra do t’i ndahen këtij operatori për funksionim. Konsiderojmë se numri 60 mijë është domosdoshmërisht i mjaftueshëm për operim të kufizuar të këtij operatori ashtu siç  e parasheh Marrëveshja e Brukselit”, tha kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi për KALLXO.com.

“Nuk mund të shkojë numri më shumë, 60 mijë është finale. Siç e dini do të jenë të përkohshme derisa në Kosovë përmes tenderit ndërkombëtar vjen një operator i tretë”, ka shpjeguar Edita Tahiri, ministre e Dialogut.

Por në anën tjetër, Beogradi zyrtar thotë se operatori i përkohshëm mund të ketë më shumë se 60 mijë numra.

“’MTS d.o.o’ do të alokojë 60,000 numra në vargun e 047X… Nëse duhen numra shtesë ‘MTS d.o.o’ do t’i kërkojë ato nga ARKEP-i”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Serbisë mbi Marrëveshjen për telekomunikacion.

Pronarja e operatorit të përkohshëm, “Telekom Serbia” thotë se ata mund të rrisin sasinë e numrave në Kosovë përtej limitit prej 60 mijë. Ata kanë thënë se do të investojnë edhe në infrastrukturë, nëse një gjë e tillë është e nevojshme. Mirëpo, “Telekom Serbia” nuk i është përgjigjur pyetjeve të BIRN-it nëse operatori i përkohshëm do të ketë mbulueshmëri në tërë territorin e Kosovës.

Kreu i ARKEP-it thotë se operatori i përkohshëm do të ketë kufizime gjeografike.

“Operatori i përkohshëm do të ketë shtrirje të limituar gjeografike. Ai do të ketë shtrirje të limituar në numrin e stacioneve bazë dhe në pjesën gjeografike që e mbulon… po e zëmë në 15 për qind, 20 për qind të territorit të Kosovës apo më pak”, tha Gashi.

Operatori i përkohshëm me thirrje lokale drejt Serbisë

Mospërputhje të deklaratave ka edhe sa i përket thirrjeve që do të realizohen nga operatori i përkohshëm në drejtim të operatorëve të Serbisë.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, thotë se secila thirrje nga Kosova në drejtim të Serbisë do të jetë thirrje ndërkombëtare.

“Thirrjet do të jenë ndërkombëtare sepse kodi telefonik shtetëror është kod i shtetit të Kosovës. Nuk është rastësi kodi telefonik i marrë nga ITU, sepse ky është kod ndërkombëtar i Kosovës dhe ITU mbron dhe respekton sovranitetet e shteteve në raport me kodin telefonik. Me kodin telefonik Kosova po merr sovranitet ndërkombëtar në telefoni”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Por, një shpjegim më të detajuar e ka dhënë kryetari i bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi. Thotë se thirrjet nga operatori i përkohshëm drejt operatorëve të Serbisë do të konsiderohen thirrje lokale për një periudhë tranzitore, deri në migrimin e plotë nga kodet aktuale në kodin e unifikuar +383. Gjatë periudhës tranzitore, operatorët do të përdorin dy kode njëkohësisht, pra +383 dhe kodin unik. Operatori i përkohshëm do të përdorë kodin +381 dhe +383. Po ashtu, ai thekson se periudha e migrimit kërkon deri në 18 muaj kohë. Sipas tij, me implementimin e kodit shtetëror, të gjithë operatorët në Kosovë do të obligohen që të përdorin vetëm kodin +383.

“Thirrjet telefonike që do të jenë nga operatori serb në drejtim të Serbisë dhe çdo drejtim tjetër do të jenë thirrje ndërkombëtare pas implementimit të kodit shtetëror telefonik. Deri në implementimin e kodit shtetëror dhe periudhën e migrimit ku do të përdoren dy kode, do të përdoren kode të ndryshme sikur që përdoret kodi +377 nga telefonia “Vala”, sikur që përdoret kodi +386 nga “Ipko”. Kodi +381 do të përdoret paralelisht deri në implementimin e kodit telefonik shtetëror”, tha Gashi.

http://kallxo.com/arkep-operatori-perkohshem-thirrje-lokale-serbine/

Ndërkohë, “Telekom Srbija” i ka thënë BIRN-it se thirrjet nga Serbia për në Kosovë do të faturohen në bazë të tarifave lokale. Përkundër faktit që Kosova e ka marrë kodin e saj, “Telekom Srbija” ka thënë se thirrjet nga Serbia për në Kosovë nuk do të jenë thirrje ndërkombëtare.

Thirrjet lokale dhe ato ndërkombëtare kanë dallim të madh në çmimin e minutës. Përveç kësaj, të gjithë operatorët e Kosovës përfitojnë nga thirrjet ndërkombëtare nga dhe për në Kosovë.

Përfitimet ekonomike

Zëdhënësi i Telekomit, Arsim Bilalli, thotë se Telekomi i Kosovës i ka humbur rreth 200 milionë euro deri më tani në mungesë të kodit telefonik.

“Në mungesë të kodit telefonik, Telekomi i Kosovës për kodin e telefonisë mobile të huazuar nga Monaco Telekomi, deri tani për të gjitha vitet e operimit i ka paguar Monaco Telekomit rreth 53 milionë euro vetëm si taksa të numeracionit”, ka thënë Bilalli. Kësaj shume sipas tij duhet shtuar edhe rreth 100 milionë euro kosto të tjera që lidhen me trafikun, asistencën teknike, shpenzimet e roamingut, etj.

“Po të kishim pavarësinë për kodin shtetëror prej ditës së operimit të “Vala”-s, Telekomi i Kosovës do të kursente mbi 200 milionë euro”, ka thënë ai.

Thotë se konsumatorët do të përfitojnë çmime më të lira si efekt i drejtpërdrejt i kodit shtetëror.

“Telekomi i Kosovës do t’i zvogëlojë shpenzimet operative në masë të madhe si dhe konsumatori apo klienti fundor do të ketë oferta dhe çmime më atraktive dhe më të përballueshme”, tha Bilalli.

Ndërkaq, operatori tjetër “IPKO”, që funksionon me kodin e Sllovenisë +386, nuk ka qëndrim zyrtar rreth kësaj Marrëveshje.

Alban Kastrati nga Zyra për Informim e IPKO-s ka thënë për KALLXO.com se janë duke pritur pranimin e Marrëveshjes finale për të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje.

Ndërkaq Kreshnik Gashi nuk ka komentuar ndryshimet në çmim me operatorin e përkohshëm duke thënë se çështja e çmimeve edhe për këtë operator do të rregullohet me legjislacion të Republikës së Kosovës.

“Çmimet e operatorëve do të përcaktohen sipas kornizës së rregullativës së Kosovës dhe çdo funksionim i tyre do të jetë bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës”, tha Gashi.