FOTO: Atdhe Mulla

Kriza e nxënësve në shkollat e fshatrave

Së paku 13 shkolla dhe paralele të ndara fizike të shkollave janë mbyllur në katër vitet e fundit në Kosovë.

Shumë shkolla të tjera po e rrezikojnë mbylljen për shkak se numri i nxënësve vende vende është edhe nën 10.

Vetëm në Komunën e Gjilanit, këtë vit shkollor ishte regjistruar vetëm një nxënëse. Meqë asaj iu sigurua transporti për në shkollën tjetër të afërt, paralelja në fshatin e saj u mbyll.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin e ri shkollor 2017/18, numri i nxënësve ka qenë 354 mijë e 454 nxënës. Në krahasim me dy vitet paraprake shkollore, numri total i nxënësve ka rënë për më shumë se 13 mijë.

Ministria e Arsimit deri më tani nuk ka ofruar të dhëna se sa investime janë bërë nga MAShT për ndërtimin e shkollave. Në ndërkohë, Ministri i Arsimit në detyrë sidomos në kohën e fushatës ka marrë pjesë në inaugurime të objekteve të reja dhe vënien e gurthemeleve për disa shkolla.

Ulja e numrit të nxënësve në komuna

“Krizë” për nxënës në shkolla të Kosovës kanë deklaruar edhe drejtorët e Arsimit në disa komuna të Kosovës.

Drejtori i Arsimit në komunën e Kaçanikut, Zahir Doda ka bërë të ditur për KALLXO.com se në periudhën prej katër vitesh janë mbyllur tri shkolla në këtë komunë.

“Dy paralele të ndara të SHFMU “Ali Asllani”, njëra në fshatin Koxhaj me 13 nxënës të klasave 1-5 dhe tjetra në fshatin Sllatinë me katër nxënësve të klasave 1-5. Një paralele e ndarë e SHFMU “Emin Duraku” në fshatin Llanishtë me 7 nxënës të klasave 1-5”, tha ai.

Ai shtoi se aktualisht rrezikojnë të mbyllen edhe dy paralele të cilat kanë më pak se 100 nxënës.

“Në SHFMU “Emin Duraku” ekzistojnë edhe dy paralele të ndara që kanë numër të vogël të nxënësve, por për shkak të terrenit nuk mund të sigurohet transporti, por në një të ardhme të afërt pritet të mbyllen. Njëra  paralele gjendet në Korbliq me shtatë nxënës të klasave 1-9 dhe tjetra në Gjurgjedell me 12 nxënës të klasave 1-9”, thotë Doda.

Kurse, drejtori i Arsimit në Drenas, Tafil Halilaj tha për KALLXO.com se në këtë qytet ka shkolla që janë me më pak se 100 nxënës.

“SHFMU “Mehmet Gradica” Gradicë 80 nxënës; SHFMU ,,Rexhep Gjeli” Likoshan 92 nxënës; SHFMU “Shaban Polluzha” Polluzhë, 78 nxënës”, tha ai.

Në situatë të njëjtë gjenden edhe disa shkolla në Vushtrri. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Namani pohoi se edhe janë tri shkolla që kanë më pak se 100 nxënës.

 “SHFMU”Rrustem Hyseni” Skromë  me 7 nxënës; SHFMU”Dëshmorët” Zhilivodë ; 66 nxënës; SHFMU”Rexhep Musa” Ceceli ; 75 nxënës”, thotë Namani për KALLXO.com.

Kurse, në Deçan janë katër shkolla që funksionojnë me më pak se 200 nxënës.

“ Katër shkolla kemi me numër të nxënësve rreth 100. SHFMU “E. Mekuli” në Maznik ka 75 nxënës, SHFMU “Kuvendni Verrat e Llukës” në Llukë të Epërme ka 99 nxënës, SHFMU “ F. Konica” në Ratish ka 117 nxënës, SHFMU “Ardhmëria” në Beleg ka 120 nënës”, tha ai.

Edhe komuna e Klinës është duke u ballafaquar me mungesë të nxënësve në shkolla. Drejtori i Arsimit, Arben Limanaj ka bërë të ditur se në vitin 2016 është mbyllur një shkollë.

 “Fshatin Gjurgjevik i vogël, shkolla “Ismet Rraci” paralelja u mbyll me marrëveshje të prindërve në vitin 2016”, tha ai.

Kurse me numër të vogël me nxënës janë edhe disa shkolla.

“Tre dëshmorët”, Resnik që ka 19 nxënës, “At Shtjefën Gjeçovi” Leskoc me 68 nxënës, Kërnicë “Avni Zhabota” me 78 nxënës, “At Gjergj Fishta” Jasodë me 93 nxënës, “Nënë Tereza”, Budisale me 88 nxënës”, tha Limanaj për KALLXO.com

Në Lipjan brenda periudhës katër vjeçare është mbyllur një paralele, derisa ka pranuar se ka rënie të nxënësve në shkolla. Drejtori i Arsimit, Rasim Hasani megjithatë  nuk ka treguar se në cilat shkolla dhe numrin e tyre.

Kurse në Fushë Kosovë brenda katër vitesh është mbyllur një shkollë në Bardh të Vogël,

Gjatë vitit shkollor 2015 / 16 – gjegjësisht ,  me 01.09.2015  është mbyllur një paralele e ndare fizike në Bardh te Vogël. Shkolla deri atëherë ka pasur gjithsej 52 nxënës ;  prej kl.1 deri në kl.9 . Numri i nxënësve në paralele ka qene 2 nxënës , 3 nxënës deri në 6 nxënës për paralele . Janë paguar me paga ne këtë shkollë 10 persona ( 9 arsimtare dhe 1 punëtor teknik ) . Komuna ka marre vendim që këta nxënës të barten me autobus deri në shkollën fillore “Bajram Curri “ në Sllatinë të Madhe ( 3 km largësi nga Bardhi i Vogël )”, ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në këtë komunë, Islam Shabani.

 Ai ka shtuar se në shkollat e fshatrave ka zvogëlim të numrit të nxënësve por se nuk ka treguar se sa është numri i tyre.

Ndërsa Suharekë nuk ka deklaruar ndonjë mbyllje të shkollave, por sipas zyrtarëve të DKA-së ka rënie të numrit të nxënësve në zonat rurale.

Me mbyllje të paraleleve të shkollave është ballafaquar edhe komuna e Hanit të Elezit. Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Menduh Vlashi, tha se ka pasur transferime të paraleleve.

“Në Komunën tonë vitin e kaluar dy paralele të ndara fizike njëra në fshatin Laç e tjetra në fshatin Rezhancë janë transferu edhe nxënësit edhe mësimdhënësit në shkollat amë për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe klasave te pandara nga klasa ep arë deri ne klasën e pestë. (kjo është arritë me pëlqimin e prindërve të nxënësve), dhe transporti është siguruar nga Komuna. Paralelja e fshatit Laç është transferu në Han të Elezit, ndersa Paralelja e fshatit Rezhancë në fshatin Gorancë”, ka bërë të ditur ai.

Ai shtoi për KALLXO.com se në Komunën e Hanit të Elezit ekzistojnë edhe dy paralele të ndara fizike që kanë pak nxënës.

“Njëra në fshatin Seqishtë me 38 nxënës me klasa nga e I deri ne klasën e V dhe paralelja e ndarë fizike në fshatin Krivenik me 10 nxënës me klase të pa ndarë nga klasa e II deri në klasën e IV , Klasa e parë nuk ka nxënës ndërsa klasa e V mëson në shkollën amë ne Han të Elezit”, bëri të ditur Vlashi.

Komuna e Ferizajt nga 39 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta që ka, 32 prej tyre kanë rënie të numrit të nxënës. Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, Bashkim Bytyqi zyrtar për arsim në këtë komunë. Ferizaj

“Ne disa shkolla, rënia  e numrit të nxënësve kalon shifrën prej 40% sidomos në zonat më të thella rurale. Në shkollat e  qytetit numri i nxënësve është stabil dhe me një rritje të vogël. Edhe në shkollat e mesme të larta kemi rënie të numrit të nxënësve krahasuar me vitet e mëparshme. Rënia e numrit të nxënësve ne fshatra është si pasojë e migrimit nga zonat rurale në urbane, por edhe jashtë vendit”, shtoi ai.

 Kurse në Gjilan këtë vit janë mbyllur dy paralele të ndara në SHFMU “Liria”në fshatinë Pogragjë, gjegjësisht paralelja e ndarë në Stubline dhe paralelja e ndarë në Stublice.

“Vendimin për mbylljen e paraleleve tw lartcekura është mare nga Drejtoria Komunale e Arsimit bazuar ne bashkepunim me z. Hajrush Limoni, drejtor i SHFMU”Liria”-Pogragje dhe këshillin e prindërve”, kanë bërë të ditur zyrtar të DKA-së.

“ Për paralelen e ndarë në Stublinë për vitin 2019/2020, është regjistruar vetëm një nxënëse dhe prindi i vajzës ka parashtruar kërkesë në SHFMU”Liria” për lejimin e transferit të vajzës se tij në shkollën ame me arsyetimin se meqenëse vajza është nxënësja e vetme dhe transferim në shkollën ame do t’i mundësonte socializimin, konkurrencën etj”, thonë ata.

Ndërsa sipas tyre, paralelja tjetër e ndarë në Shulicë është mbyllur me arsyetimin se nuk ka pasur nxënës.

“Sa i përket shkollave me numër të vogël të nxënësve në Komunën e Gjilanit, Drejtoria Komunale e Arsimit  është duke analizuar gjendjen ne shkollat dhe sapo te kemi informatën do t’ju njoftojmë”, kanë thënë ata për KALLXO.com

 Edhe Rahoveci ka pranuar se janë duke u ballafaquar me mungesë të nxënësve.

 “Në shkollat e komunës së Rahovecit sikur në gjithë Kosovën është evident zvogëlimi i numrit të nxënësve, por në 4 vitet e fundit asnjë shkollë nuk është mbyllur. Këtë vit, në paralelen e ndarë të shkollës “Mustafë Ibishi” në Mrasor, me pëlqimin e prindërve dhe komunitetit të atjeshëm, 5 nxënës të ciklit të ulët i kemi bartur në shkollën amë në Kramovik. Transporti i këtyre nxënësve dhe atyre të ciklit të lartë është i siguruar nga komuna”, ka bërë të ditur për KALLXO.com Avni Morina, drejtor i Arsimit.

As kryeqyteti i Kosovës, Prishtina nuk është mirë me pjesëmarrjen e nxënësve në shkolla.

Zyrtar të DKA-së në këtë komunë kanë thënë për KALLXO.com se në Komunën e Prishtinës gjatë katër viteve të fundit nuk ka pasur mbylljet të ndonjë shkolle si rezultat i mungesës së nxënësve, por vetëm tri paralele të ndara fizike janë mbyllur, gjatë kësaj periudhe kohore.

“Paralelja e ndarë fizike e shkollës fillore “Pjetër Bogdani”, lagjen Kolovicë. Paralelja e ndarë fizike e shkollës fillore “Teuta”, fshati Radashevc; Paralelja e ndarë fizike e shkollës fillore “Rilindja”, lagjen Kurtaj.

Kurse ata kanë treguar se kanë edhe shkolla me numër të vogël të nxënësve, por se nuk kanë treguar numrin e tyre dhe vendin.

“SHFMU “Dëshmorët e 1921, SHFMU “Azemi e Salihu, SHFMU “Fan S. Noli”, SHFMU “Liria”, SHFMU “Ramiz Sadiku”, SHFMU “Teuta”, SHFMU “Rilindja”, kanë treguar ata.

Sa i përket komunës së Mitrovicës brenda periudhës katër vjeçare nuk kanë pasur mbyllje të shkollave, por edhe ata janë duke u ballafaqur me uljen e pjesëmarrjes së nxënësve në shkolla.

“Shkolla me më pak nxënës janë kryesisht shkollat në viset më të thella rurale dhe paralelet e ndara. Në komunën tonë janë 3 shkolla amë me më pak nxënës dhe 7 paralele të ndara, ku numri i nxënësve varion prej 6 deri në 20 nxënës për shkollë/paralele të ndarë”, kanë bërë të ditur zyrtar të DKA-së për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe komunat e tjera në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Po ashtu edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është kontaktuar për të marrë vesh se sa euro janë shpenzuar tri vitet e fundit në investimet e shkollave, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Qehaja: Niveli qendror duhet të bëjë analizë fizibiliteti për situatën në arsim

Në lidhje me këtë çështje, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja tha për KALLXO.com se shqetësimi qëndron në atë që sistemi ynë arsimor në asnjë moment nuk merr parasysh strukturën demografike dhe projeksione të popullsisë në politikat nacionale për arsimin.

 “Në këtë situatë, reduktimi i parashikuar i numrit të nxënësve është kthyer në problem, dhe atë, si në boshatisje të shkollave ashtu edhe në plotësim të normës së orëve për mësimdhënës. Më shqetësuese, që përkundër që ky trend statistikor është i ditur, MASHT dhe komunat vazhdojnë të investojnë në ndërtim shkollash pa marr parasysh shpërndarjen demografike të popullsisë, sikurse që vazhdojnë të punësojnë mësimdhënës – të gjitha këtë për interesa politike dhe elektorale në dëm të sistemit arsimor”, tha Qehaja.

Ai shtoi se shkollat me numër të vogël nxënësish paraqesin problem të shpërndarë gjithandej nëpër Kosovë, andaj edhe zgjidhja duhet në vijë në nivel qendror.

“Kjo arrihet me një analizë fizibilteti për situatën aktuale, ku, rekomandimet dhe opsionet mund të rishikoheshin në një debat të gjerë, për tu përmbledhur në veprime konkrete që kanë përkrahjen e të gjithëve, dhe mbi të gjitha në të mirë të nxënësve”, ka shtuar Qehaja për KALLXO.com

 Pavarësisht situatës së tillë vazhdojnë të inaugurohen shkollat e reja në komunat e Kosovës.

Së fundmi ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka përuruar objektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Ismet Rraci” në Klinë.

Ndërsa, me 13 shtator 2019 u vu gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re në Lumbardh të Deçanit në prezencë të tij.

Viti i ri shkollor me 2 shkurt nisi me një përurim të një shkolle në Suahrekë.

Me arsyetimin për një zgjidhje të kësaj situate për krizën e mungesës së nxënësve në shkolla e kishte shpalosur kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe u kundërshtua nga qytetarët e asaj ane, por edhe nga SBAShK-u.

Kastrati këtë ide e ka quajtur reformë në arsim dhe pretendon që me këtë vendim të zvogëlojë numrin e shkollave, t’i socializojë nxënësit dhe të organizojë transport për ta, në mënyrë që të ketë një kosto më të vogël.

Ai kishte bërë kërkesë edhe në KQZ  për organizimin e një referendumi konsultativ në këtë komunë, por se nuk ia kishin pranuar.

KQZ hedh poshtë kërkesën e Qëndron Kastratit për organizim të referendumit

.