Shtatorja e Adem Jasharit; Shtatorja e Skënderbeut:

Kritikët: Shtatoret e Skënderbeut e të Adem Jasharit në Prizren, të turpshme vizualisht e të shëmtuara artistikisht

Shtatoret e figurave kombëtare, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, të përuruara më 28 nëntor në Prizren, u kritikuan për mënyrën e punimit.

Njëra e vendosur në hapësirë publike, e tjetra në pronë private, për shtatoret u diskutua për dy ditë me radhë për standardet artistike.

Shtatorja e Skënderbeut u vendos në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prizren. Projekt është bashkëpunim mes Komunës së Prizrenit dhe shoqatës “Trojet e Arbërit”.

Ndërsa, shtatorja e Adem Jasharit u vendos në pronë private, në qendrën tregtare “Abi Çarshia.”

Osman Hajdari, drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, tha se shtatorja e Skënderbeut ka kushtuar 70 mijë euro por nuk është financuar nga Komuna por nga shoqata e cila ka dhënë idenë, pra shoqata “Trojet e Arbërit.”

Sipas tij, Komuna ka pasur përgjegjësi vetëm përzgjedhjen e lokacionit dhe bazamentin e vendosjes së shtatores, ndërsa me pjesën tjetër është marrë shoqata.

Sinan Alijaj është skulptori i cili ka punuar skulpturën e Skenderbeut në Prizren. Alijaj është edhe asamblist në Asamblenë e Prizrenit nga radhët e Nismës Socialdemokrate.

Alijaj tha për KALLXO.com se arti është art dhe secili mundet ta vlerësojë në formën e vet.

“Kritikat janë të mirëseardhura se Skënderbeu nuk është vetëm i imi, por i krejt popullit shqiptar. Kështu që është e drejtë e tyre të komentojnë, reagojnë ashtu siç e perceptojnë dhe si është përshtypja e tyre”, tha Alijaj.

Për vlerësimin shtatores së Skënderbeut Osman Hajdari tha se Komuna nuk ka formuar komision vlerësues, dhe se ata kanë formuar komision vetëm për lokacionin.

“Ne kemi formuar një komision edhe me anëtarë të QRTK-së të shoqërisë civile, zyrtarë komunalë, të këshillit për lokacion. Nuk kemi pasë komision për vlerësim sepse shoqata e ka marrë nën përgjegjësi”, tha Hajdaraj.

Ndërsa, për skulpturën e Adem Jasharit, e cila është vendosur në qendrën tregtare “Abi Çarshia”, Hajdaraj tha se nuk kanë pasur lidhje me të.

“Ajo është vendosur në një qendër tregtare. Unë dyshoj , kam dyshimet e mia që ajo është bërë qëllimisht, pikërisht në këtë datë për me nxjerr konfuzion. Se fundja në qendër tregtare nuk mundesh me vendos shtatore, tash nuk po e di në aspektin ligjor” tha Hajdari.

Beni Kizolli, drejtor për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit tha për KALLXO.com se askush nuk ka parashtruar kërkesë për vendosjen e shtatores së Adem Jsaharit.

“Paraprakisht praktika në Prizren ka qenë që fillimisht nga Kuvendi me marrë pëlqimin e më pas si Drejtori me pajis me leje”, tha Kizolli.

Autori i skulpturës së Adem Jasharit, Alban Buxhovi, tha për KALLXO.com se fotografinë e skulpturës ia kanë marrë ende pa e përfunduar të tërën dhe se e kanë postuar për qëllime te veta.

“Kjo shtatore nuk është për hapësira komunale, është për pronë private, d.m.th. për qendër tregtare, e që është e drejta e gjithkujt ta vendos ne pronën e tij. Unë  nuk hyrë me komuna apo me tendera, thjesht është vendosur me pëlqim të vetë pronarit të “Abi Çarshia”,” tha Buxhovi.

Irfan Fusha, pronar i kësaj qendre tregtare para pak minutash konfirmoj për KALLXO.com se nesër do ta largojnë këtë skulpturë për ta rimodeluar në formë më të mirë.

Kritiku i artit, Ilir Muharremi, tha se skulptorët të cilët krijuan dy shtatoret në Prizren nuk ofruan as minimumin e artit të saktë të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, i fyen figurat tona të shquara sepse pamja e jashtme e skulpturës jep shumë rëndësi, janë të turpshme vizualisht dhe të shëmtuara artistikisht.

Sipas tij, këto shtatore të dobëta fyejnë heronjtë kombëtarë dhe se ato duhet të rrënohen.

“Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vetë ne me anë të artit” tha Muharremi.

Muharremi tha se skulpturat janë art publik dhe se kur bëhet fjalë veçanërisht për shtatoret të cilat monumentojnë një figurë të shquar, ngjarje historike, hero të kombit, për të cilën opinioni i sotëm, dhe ai në ardhje duhet të japë konkluzion estetik përfaqësues të biografisë dhe meritave të dhëna nga ajo figurë.

Muharremi për skulpturën e Skënderbeut tha se nuk është proporcionale anatomike dhe ka deformime serioze.

Sipas tij, koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafës e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj.

Ai tha se skulptori është fokusuar te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjan mjekrës së Skënderbeut.

“Trupi i tij hollak më shumë nxjerr atë anën komike sesa luftarake dhe nuk e di se ku ka qenë qëllimi i skulptorit. Në portale del emri i autorit të kësaj skulpture që është Sinan Alija” tha Muharremi.

Ndërsa, për shtatoren e Adem Jasharit ai tha se përmasat devijojnë dhe se kraharori shumë i gjerë, duart e shkurtra të holla me shuplaka të vogla.

“Si duket skulptori mendon që veç mjekra dhe një palë dylbi e identifikojnë imazhin real të Adem Jasharit. Ndonëse, dhe karakteri devijon plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejmë shpirtin e Ademit. Asnjë gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit. Figura ngjan më shumë me ato lodra të Legos”, tha Muharremi.

Arjeta Miftari, skulptore tha se shfaqja e atyre skulpturave është skandal dhe se është për keqardhje për autorët se si e kanë lënë atë punë të dalë në opinion.

“Unë nuk i quaj as shtatore ato. Nuk e di kush ka qenë në komision, por asnjëherë nuk është dashur të dalë në publik ajo punë. Se pikë së pari ato skulptura i fyejnë figurat kombëtare. Për mua si skulptore është e patolerueshme dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Miftari.

Sipas saj, të dy shtatoret nuk kanë përmbushur asnjë standard artistik duke filluar nga proporcionet, forma, karakteret e detajet.

“Nuk kisha dashtë që ato të qëndrojnë aty edhe kush të endet të shohin antivlera, aq të pavlerë” tha ajo.

Miftari tha se është për keqardhje që Kosova ka aq shumë skulptorë të denjë dhe të bëhen këto shtatore veç se po përfitojnë njerëzit prej kësaj pune.

Pas përurimit të këtyre dy shtatoreve kishte reaguar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti i cili kishte thënë se nëse skulptura e Fadil Vokrrit është sikurse maketa e cila është prezantuar ata nuk do e lejojnë ta vendosin në Prishtinë.

Arjeta Miftari dhe Ilir Muharremi thanë për KALLXO.com se skulptura e Fadil Vokrrit i përmbush standardet dhe se është e punuar në mënyrë profesionale.