Krijimtaria artistike në kushtet e izolimit nga coronavirusi

Rrjetet sociale dhe platformat e shumta online po zëvendësojnë skenat kulturore dhe gjithnjë e më shumë po përdoren nga krijuesit dhe grupe artistësh për të prezantuar krijimtarinë e tyre.  

Të sfiduar nga COVID-19, institucionet kosovare kulturore kanë ndërprerë aktivitetet, por jo edhe prezantimin e produkteve të tyre. Fecebook mbetet lidhja kryesore e tyre me publikun.  

Teatrot, galeritë e institucionet tjera kulturore pas përhapjes së pandemisë, lidhjen me publikun po e ruajnë përmes rrjeteve sociale. Ndërsa, artistë dhe grupe të ndryshme muzikore pavarësisht distancës, përmes këtyre rrjeteve po sjellin performanca nga shtëpitë e tyre. 

Për krijuesit dhe kritikët e artit, coronavirusi ka shkaktuar mjaft probleme. Izolimi si masë për t`u mbrojtur nga COVID-19 ka pamundësuar takimet dhe punën në grup të krijuesve.  

Në këto kushte rrjete social po shihen si një dritare alternative për prezantimin e krijimeve të tyre, qoftë edhe ato të krijuara gjatë izolimit. 

Regjisori Ben Apolloni ka thënë për Kallxo.com se për krijuesit e artit dramatik, që është art grupor, COVID-19 ka shkaktuar mjaft probleme, sidomos periudha e izolimit.  

“Nuk kemi mundur të takohemi, të punojmë dhe të krijojmë shfaqjet, apo projektet tjera filmike e televizive që kishim në plan. Kjo ka ndikuar në krejt botën, ku janë anuluar shumë festivale, e ngjarje të ndryshme kulturore, e natyrisht edhe tek ne”, ka thënë Apolloni.  

Por ai shton, se pavarësisht se në botë pas coronavirsuti pritet të ndodhin ndryshme, në Kosovë gjëra do të kthehen si më parë. 

“Edhe pse duke e parë këtë luftën politike në Kosovë, jam shumë pesimist për të ardhmen tonë si krijues por edhe si qytetarë. Mendoj që për botën do të sjellë shumë ndryshme epoka pas Coronavirusit, por për ne në Kosovë, jo. Ne do të vazhdojmë me problemet e zakonshme, do të vazhdojmë me luftën për mbijetesë”, ka thënë ai. 

 Naser Shatrolli, dramaturg dhe kritik, thotë se kjo formë e re e të shprehurit është edhe një frikë meqë arti dhe artisti mund të rrezikohet në të ardhmen në kuptimin e interesit publik.  

 “Mund të humbet publiku, mund të bie ndjeshëm interesi i tyre, ndërsa krijuesit do ta kenë pastaj fazën e dytë për ta ribindur publikun se arti është injeksion i pakapërcyer për mendjen, shpirtin për shëndetin fizik”, ka thënë ai.  

 Sipas tij, nëse pas coronavirusit ndodhin ndryshime në botë artistike në Evropë, dhe Amerikë, s’ do mend këto ndryshime do të prekin edhe rrjedhen a e të kultivuarit art, tek ne.  

“Arti teatror, pamor, baleti, letërsia nuk do të mund të barten në skenën e ekraneve sociale.  Kjo, metodologji shprehëse, është improvizim momental,  ndërkaq, krijuesit e kanë vendin secili në vendet e tyre përkatëse”, ka pohuar Shatrolli. 

Ndërsa, kritiku Ilir Muharremi ka thënë për Kallxo.com se aristët duhet ta shfrytëzojë karantinë për të bërë vepra të mëdha. 

“Nga karantina mund të shkruhen vepra të mëdha sepse koha është e artisti e ai duhet t’i shërbej pa u kursyer”, ka thënë Muharremi. 

Për shkak të përhapjes së pandemisë së coronavirusit në mbarë rruzullin janë anuluar shumë Festivale ndërkombëtare, panaire, ekspozita në mbarë botën. Muzetë e njohura janë mbyllur dhe është dhe janë pezulluar të gjitha aktivitetet publike.