‘Kreolët e Ballkanit’ e Enver Petrovcit shpallë Kosovën Republikë në Beograd

Përveç, filmave dhe promovimeve të librave, në kuadër të festivalit, ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ është shfaqur edhe drama ‘Kreolët e Ballkanit’.

Drama ‘Kreolët e Ballkanit’ regjisor i të cilës është aktori i mirënjohur kosovar, Enver Petrovci , paraqet jetën e fëmijëve të lindur nga martesat e kombësive të përziera.

Drama në fjalë rrëfen shoqërinë si dhe idealin e dy shokëve Hekuranit dhe Besimit, të cilët edhe në kohën e përndjekjes nuk u ndalën së valëvituri flamurin kombëtar si dhe nuk u ndalën duke mbajtur në dorë mbishkrimin ‘Kosova Republikë’. Mirëpo, ashtu si miqësia edhe ideali i tyre prishet nga akuzat për tradhti të cilat pushtetarët ia vënë Hekuranit.

Drama në të cilën valëvitej flamuri kombëtar e Kosova quhet Republikë, u luajt në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor në kryeqytetin serb, Beograd. Aktorët të cilët e jetësuan shfaqjen e profesor Petrovcit ishin: Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci.

Për sigurinë e të pranishmëve edhe në natën e tretë, u përkujdes policia e Serbisë të cilët në numër ishin dhjetëra prej tyre, të pranishmit vazhdimisht u shoqëruan nga forcat e policisë.

Dy ditët e para të këtij festivali, një grup i vogël i qytetarëve të Serbisë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie me këtë festival i cili është duke trajtuar aspekte nga lufta e fundit në Kosovë.

‘Kreolët e Ballkanit’, dramë e shkruar 10 vite para se të fillonte lufta

Idenë për dramën ‘Kreolët e Ballkanit’ e tregoi, regjisori i saj Enver Petrovci i cili tha që këtë dramë e ka shkruar 10 vite para se të fillonte lufta, mirëpo sipas tij vonesat për ta bërë këtë shfaqje kanë ndodhur pikërisht për shkak të situatës.

“Unë kam dashur gjithmonë me bë këtë shfaqje por ka qenë rrezik, ku me e vendos shfaqjen ku Kosova bëhet republikë, ku pastaj fituesit bëhen hajna”, ka thënë Petrovci.

Tutje Petrovci rrëfeu emocionet të cilat i ka pasur gjatë prezantimit të kësaj drame, e cila po e kthen në Beograd pas më shumë se 20 viteve.

“Po kthehem nuk e mbajë në mend, roli i fundit ka qenë Hamleti, para nuk e mbajë mend, vitet nuk i mbajë mend por emocionet po, por ka më shumë se 25 vite. Kam pasur shumë emocione, jo për shkak të Beogradit por për shkak të aktorëve, se kemi pasur probleme se dy aktorë sot kanë qenë të zëvendësuar”, ka theksuar ai.

Personazhi kryesorë i shfaqjes, Elidon Alika tha se shfaqja nuk prekë vetëm Kosovën dhe Serbinë, por prekë të gjithë Ballkanin.

“Shfaqja prek Ballkanin nuk është se është politike Kosovë-Serbi, prek ata njerëz të cilët kanë gjak të përzier, ata që kanë babin serb nënë shqiptare, apo kroat, boshnjak dhe të tillët janë gjithmonë të diskriminuar. Kur janë nga ana shqiptarë ju themi e keni nënën serbe kur janë nga ana serbe ju themi e keni babën shqiptarë”, ka thënë ai.

Tutje aktori nga Shqipëria ka treguar edhe për punën që e kanë bërë me profesori Enver Petrovci për ta luajtur këtë shfaqje.

“Procesi i punës me profesorin Enver ka qenë shumë i fortë sepse shfaqja zgjatë 1 orë e 40 minuta dhe vetëm me lëvizjet me elemente që shfaqja të jetë më interaktive jemi marrë një muaj plus interpretimi pra gati dy muaj”, ka thënë ai.

Antologjia e dramës bashkëkohore nga Kosova promovohet në Beograd

Në ditën e tretë të festivalit ‘Mirëdita, Dobar Dan!’ në Beograd është bërë promovimi i antologjisë së dramës bashkëkohore nga Kosova “One flew over Kosovo theatre” për të cilën edhe u debatua.

“One flew over Kosovo theatre” është një koleksion i dramave të përzgjedhura nga autorë shqiptarë nga Kosova, të realizuara qysh nga periudha e bombardimeve të NATO-së në Jugosllavi më 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.

Sasha Iliq, moderator i kësaj ngjarjeje, duke iu referuar protestës së djeshme tha që këto protesta janë të pritshme pasi që sipas tij sinjale të tilla janë duke u dërguar nga krerët shtetëror.

“Është e pritshme se kjo po ndodhë pasi që sinjalet që po dërgohen nga maja e pushtetit janë të tilla siç janë, dhe pavarësisht kësaj ne do të bëjmë punën tonë. CZK-ja është institucioni i cili ka bërë këto ura edhe gjatë viteve të 90-ta kur ka punua, ata njerëz që merren me ketë punë dhe e dinë letërsinë në Jugosllavi e dinë mirë që projektet letrare janë bërë në fillim të viteve të 70-ta”, tha ai.

Ana Isakoviç, shkrimtare dhe aktiviste nga organizata CZKD, tha që ajo çfarë i ka pëlqyer në këto drama është pikërisht realiteti i cili përcillet.

“Është interesante dhe fascinonte se tetari është një mikrotregues i asaj çfarë po ndodhë sot, dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Nëse flasim për dramat mua më fascinonin drejtpërdrejtësia dhe mundësia e dëshmisë së drejtpërdrejtë”, tha ajo.

Tutje ajo, si një nga dramat më të mira, vlerësoi dramën ‘Gisht’ të dramaturges, Doruntina Basha, pasi që sipas saj ajo paraqet pritjet e familjarëve të të pagjeturve.

“Është interesante sepse gati të gjitha dramat trajtojë atë çfarë vjen pas çlirimit kombëtarë, përkatësisht atë çfarë ka ndodhur me emancipimin e femrës. Në dramën ‘Gisht’ e Doruntina Bashës më pëlqen sesi trajtohet fati i të pagjeturve dhe mendësia patriarkale në familjet e mbetura”, tha ajo.

Dramaturgu i dramës, ‘Kafeneja në kryqëzim’ Visar Krusha, tregoi sesi ka ardhur tek ideja për të shkruar këtë dramë.

“Ky është një bashkëpunim i shkrimtarëve dhe artistëve të të dyja vendeve. Unë jam kthy në Kosovë kah mesi i qershorit në 99-të, dhe kemi fillu në shtator me mbledh student , athëher kam qeë në vitin e katër dhe si rezultat i studimeve atëherë ka ardhur  profesori dhe na ka thënë shkruni diçka për këtë far hallakame, edhe sot pas 20-të vjettë e kam problem me shkru për përjetimet e mia të asaj periudhe”, tha ai.

Tutje ai tha që shkrimi i komedisë ishte një mundësi e mirë për tu larguar nga realitet i cili gjendej në Kosovë në vitet e 90-ta.

“One flew over Kosovo theatre” është një koleksion i dramave të përzgjedhura nga autorë shqiptarë nga Kosova, të realizuara qysh nga periudha e bombardimeve të NATO-së në Jugosllavi më 1999 e deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008. Kjo antologji ofron një vështrim kritik mbi fenomenin e çlirimit kombëtar dhe kontekstin e tij.

Ndërsa në natë e katër të këtij festivali pritet të bëhet promovimi i librit “Historia e Kosovës në tekste të historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë” ,me autorë publicistin Shkëlzen Gashi, si dhe do të mbahet koncerti nga grupi ‘Don’t listen to your neighbors’