KPMM-ja i zbaton rekomandimet por nuk arriti t’i inkasojë 25 milionë euro borxhe

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka arritur t’i zbatojë të gjitha rekomandimet e auditorit gjatë vitit 2018. Përveç kësaj, KPMM-ja nuk ka pranuar asnjë rekomandim në raportin e audititimit të pasqyrave financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018.

Adresimi i rekomandimeve nga ky institucion megjithatë nuk i ka zgjidhur problemet dhe telashe që përballen me operuesit ilegal dhe mbledhjen e borxheve. Por, Auditori ka konstatuar se krerët e këtij institucioni kanë bërë aq sa i takon me kompetencë për t’i adresuar problematikat.

Rekomandimet e adresuara nga ky institucion kanë të bëjnë me planifikimin dhe realizimin jo të mirë të buxhetit, menaxhimin joefikas të operimeve ilegale, dobësi në prokurim, zbatim jo të kënaqshëm të rekomandimeve dhe të tjera shkelje.

Në raportin e fundit për vitin 2018 thuhet se në pasqyrat vjetore financiare të KPMM-së thuhet se vlera totale e llogarive të arkëtueshme kishte arritur në 25 milionë e 868 mijë e 147 euro. Kurse, vetëm për vitin 2018 llogaritë e arkëtueshme (borxhet) kapin shumën prej 2 milionë e 846 mijë e 105 euro. “Llogaritë e arkëtueshme përbëhen kryesisht nga renta minerare (73%), gjobat e ndryshme (23%) dhe taksat administrative (3.7%)”, thuhet në raportin e Auditorit.

Tutje auditori ka thënë se rritje e borxheve kishte ndodhur përkundër që menaxhmenti i KPMM-së kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e kërkuara.

“Kjo gjendje e borxheve ishte edhe përkundër që KPMM kishte aplikuar programimin e borxhit, kushtëzimin e lejeve, shqiptimin e gjobave dhe angazhimin e përmbarueseve privat me qëllim të arritjes së rezultateve sa ma të mira, porse këto veprime nuk kishte treguar ndonjë efekt konkret. Për këto çështje ne kemi rekomanduar në vitet e kaluara, mirëpo kjo mbetët edhe më tutje sfidë e KPMM-së”, thuhet në raportin e Auditorit për KPMM-në.

Madje, Auditori ka konstatuar se në rritje të llogarive të arkëtueshme ka ndikuar vendimi i Qeverisë për lëshimin e licencës për Trepçën, obligimet e së cilës janë 12 milionë e 414 mijë e 395 euro apo 48% e totalit të llogarive të arkëtueshme.

Si u “luftuan” operimet ilegale?

Menaxhimi joefikas i operimeve ilegale ka qenë ndër problemet më të theksuara për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale vitet e fundit.

Për këtë periudhë kohore, Komisioni kishte identifikuar gjithsej 256 raste të operimeve ilegale në sektorin minierar dhe atë të mineraleve.

Ndërkaq, në raportin e fundit, për vitin 2018, Auditori vlerëson se KPMM kishte shtuar aktivitetet e inspektorëve ne teren lidhur me vëllimin e mineraleve të prodhuara dhe aktivitetin e shfrytëzuesve të licencave.

Krejt kjo ka ardhur, pas zbatimit të rekomandimeve.

Gjithashtu, sa i përket të hyrave, ZKA bën të ditur se menaxhmenti i KPMM-së, kishte ndërmarrë veprime duke rritur bashkëpunimin me organet shtetërorë, policinë dhe ATK-në.

“Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj ndërmarrjen e veprime të menjëhershme koordinuese dhe efikase nëpërmjet organeve shtetërore, në mënyrë që të ndikojnë në ndalimin e aktiviteteve ilegale. Po ashtu duhet ta analizoj efektivitetin e mekanizmave në dispozicion për mbledhjen e gjobave, si dhe të propozoj masa dhe procedura plotësuese që kanë ndikim direkt në ndalimin e operimeve ilegale, inkasimin e borxheve dhe mbrojtjen e pasurisë së vendit”, përmenden në raportin e fundit, rekomandimet e Auditorit të dhëna për këtë institucion, në vitin 2017.

Megjithëkëtë, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në vitet paraprake ka qenë në hall me operimet ilegale.

Në vitin 2014, gjetjet e ZKA-së tregojnë se inspektorët e KPMM-së gjatë vitit kishin identifikuar gjithsej 74 raste të operimeve ilegale.

Mosparandalimi i aktiviteteve ose operimeve ilegale ishte evident edhe më 2015.

Inspektorët e KPMM-së gjatë vitit kishin identifikuar gjithsej 62 raste të operimeve ilegale. Komisioni kishte shqiptuar gjobën administrative për operuesit ilegalë në vlerë prej 408,116 euro, dhe kishte lëshuar urdhëresë për ndërprerjen e aktivitetit ilegal minerar dhe sekuestrimin e mjeteve të punës dhe mineraleve. Më tutje, kishte bërë kallëzim penal në prokurorinë themelore përkatëse si dhe inspektorati kishte bërë identifikimin e mjeteve të punës dhe mineraleve të nxjerra.

Mirëpo, ZKA ka vlerësuar se nuk ishin marrë veprime të mjaftueshme për sekuestrimin e mjeteve të punës dhe mineraleve të nxjerra nga operuesit ilegalë në përputhje me nenin 70 të Ligjit për miniera dhe minerale, si dhe Ligjit për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose konfiskuar.

Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj koordinim sa më të mirë ndërmjet sektorit të inspektoratit, si dhe mekanizmave të tjera përkatëse në mënyrë që të ndikoj në parandalimin e aktiviteteve/operimeve ilegale duke siguruar grumbullim të të hyrave dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve (popullatës vendase)”, thuhet në rekomandimin e dhënë për KPMM në raportin e auditimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2015.

Edhe në vitin 2016, inspektorët e Komisionit të Pavarur të Minierave dhe Mineraleve, gjatë vitit 2016 kishin identifikuar 40 raste të operimeve ilegale.

Sipas raportit të ZKA-së, gjatë këtij viti, KPMM kishte shqiptuar gjoba për operuesit ilegalë në vlerë prej 385,603 euro, duke bërë edhe kallëzim penal për ta në prokurorinë themelore përkatëse. Megjithatë vlera e gjobave të inkasuara ishte minimale, prej 24,886 euro.

Auditori vlerësoi se mekanizmat aktualë për parandalimin e operimeve ilegale dhe inkasimin e gjobave nuk po japin rezultatet e pritura.

Ndërkaq, gjatë vitit 2017 KPMM kishte identifikuar 80 raste të operimeve ilegale, ku si rrjedhojë e kësaj ka shqiptuar 76 kallëzime penale në prokuroritë themelore përkatëse.

Për rastet e identifikuara KPMM kishte shqiptuar gjoba në vlerë 605,200 euro dhe kishte parashtruar 115 raste/propozim për përmbarim në vlerë prej 743,684 euro ndaj operuesëve ilegalë.

Por Auditori ka gjetur se përkundër që Inspektorati i Komisionit në fjalë kishte ndërmarrë bashkëveprime me institucionet përkatëse për ndaljen e operimeve ilegale dhe shqiptimin e gjobave, efekti ishte i ulët.

Menaxhimi i pasurisë

Menaxhimi i pasurisë ka qenë sfidë për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale në vitin 2017.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin vjetor në këtë fushë kishte identifikuar disa mangësi.

“Me datë 31.01.2017 KPMM kishte marrë vendim (nr.05/07) për dhurimin e pasurive Qendrës Korrektuese në Lipjan. Ndërsa me vendimin nr. 40/2017 i datës 28.09.2017, KPMM themelon komisionin për vlerësimin e pasurisë jo financiare. Komisioni përkatës pas mbarimit të punës, identifikon pasurit që janë jashtë përdorimit për asgjësim. Ne identifikuam se pasuritë dhuruara si dhe ato të asgjësuara nuk ishin larguar nga regjistrat e pasurisë jo-financiare”, thuhet në raport.

Auditori ka identifikuar gjithashtu se 20 llaptopë dhe pajisje përcjellëse në vlerë prej 14,524 euro edhe pse ishin të regjistruar në SIMFK, të njëjtit ishin regjistruar edhe në sistemin e e-pasurisë.

Në këtë rast, pasuria ishte mbivlerësuar për 14,524 euro.

“Mos azhurnimi i regjistrit të pasurisë pas çdo ndryshimi, dhe regjistrimet e dyfishta, nuk na ofron siguri se regjistri i pasurisë është i plotë dhe i saktë, si dhe pasuria e organizatës e pasqyruar në PFV është e mbivlerësuar”, kishte paralajmëruar ZKA-ja.

Ndërkaq rekomandimi ishte se “Kryesuesi i Bordit duhet të forcoj kontrollet në menaxhimin e pasurisë, duke bërë regjistrimet e duhura dhe larguar nga regjistri gjithë pasurin e dhuruar dhe të asgjësuar në mënyrë që prezantimi i pasurisë në PVF në fund vit të jetë i saktë dhe e plotë”.

Por gjërat ndryshuan për së mbari në këtë institucion në 2018-n.

Në raportin e fundit të Auditorit për KPMM-në  theksohet, se menaxhmenti ka bërë korrigjimet e nevojshme në regjistrin e pasurisë.

Mbledhja e borxheve

Mbledhja e borxheve ka qenë sfidë ndër vite për KPMM-në, ndonëse në vitin 2018 është përmirësuar dukshëm.

ZKA në raportin për vitin 2018, ka vlerësuar se menaxhmenti kishte aplikuar programimin e borxhit, kushtëzimin e lejeve, shqiptimin e gjobave dhe angazhimin e përmbarueseve privat.

Ndërkaq, në raportin e Auditimit për vitin 2016 thuhet se trendi i borxheve nga viti në vit ka shënuar rritje.

“Të arkëtueshmet (borxhet) në vitin 2016 ishin rritur për 2,461,150€ apo rreth 15% në raport me vitin paraprak”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, KPMM gjatë viteve të fundit ka aplikuar edhe mundësinë e programimit të borxhit me qëllim të lehtësimit të pagesës së borxheve, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë rezultat sa i përket përmirësimit në mbledhjen e borxheve të vjetra.

“Niveli i lartë i të arkëtueshmeve dhe jo efikasiteti në mbledhjen e tyre mbeten sfidë edhe për periudhën e ardhshme. Mos inkasimi i të arkëtueshmeve rrezikon që ato të bëhen të pambledhshme duke krijuar një rast precedent për borxhlinjtë e tjerë të cilët mund të ndjehen të trajtuar në mënyrë jo të barabartë”, paralajmëronte ZKA-ja.

E njëjta gjendje u identifikua edhe në vitin 2017.

Në raportin vjetor të Auditimit, theksohet se në KPMM vërehet një trend në rritjen e vazhdueshme të arkëtueshmeve nga viti në vit (16% vetëm 2017).

“Kjo gjendje ishte edhe përkundër që KPMM kishte aplikuar programimin e borxhit, kushtëzimin e lejeve, shqiptimin e gjobave dhe angazhimin e përmbarueseve privat me qëllim të arritjes së rezultateve sa ma të mira, porse këto veprime nuk kishte treguar ndonjë efekt konkret. Për këto çështje ne kemi rekomanduar edhe në vitin e kaluar, mirëpo kjo mbetët edhe më tutje sfidë e KPMM-së”, thuhej në raport.

“Rritja e të arkëtueshmve dhe jo efikasiteti në procesin e mbledhjes së të hyrave (borxheve) me kohë vështirëson arkëtimin e tyre. Në periudhën e ardhshme kjo gjendje mund të krijon pakënaqësi për klientët të tjerët, të cilët kryen pagesat me kohë dhe sipas marrëveshjes”, vijonte raporti.

ZKA kishte rekomanduar se Kryesuesi i Bordit duhet të siguroj ndërmarrjen e masave të duhura, përfshirë veprimet ligjore në mënyrë që të shtoj efikasitetin në inkasimin e llogarive të arkëtueshmeve.

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është agjenci e pavarur e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që i raporton Kuvendit të Kosovës.

KPMM rregullon aktivitetet minerare në Kosovë në përputhje me Ligjin e Minierave dhe Mineraleve, aktet nënligjore të nxjerra në përputhje me Ligjin e Minierave dhe Mineraleve, dhe Strategjinë Minerare.

Në vitin 2014, ZKA ka gjetur se vetëm një pjesë e rekomandimeve të vitit të kaluar ishin zbatuar plotësisht, sepse KPMM nuk ka zbatuar ndonjë plan formal për të menaxhuar dhe monitoruar zbatimin e rekomandimeve të AP-it.

“Dobësitë e vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit dhe kontrolleve tjera në sistemet financiare kyçe, menaxhimi i licencave, procesi i rekrutimit, procesi i prokurimit dhe menaxhimi i llogarive të arkëtueshme kanë rezultuar në zvogëlim të efikasitetit në operacionet e institucionit, vlerë të ulët për para dhe humbje potenciale financiare për KPMM-në”, thuhet në raport të Auditorit për vitin 2014.

Kësisoj, ky mekanizëm gjatë atij viti i ka dhënë 10 rekomandime Komisionit.

Edhe në vitin 2015 u përcoll e njëjta gjendje.

Përkundër progresit në implementimin e rekomandimeve të AP-së, në raport thuhet se KPMM ende nuk ka arritur të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për adresimin e plotë të tyre.

Si pasojë, mangësitë e njëjta janë përsëritur në menaxhimin e të hyrave dhe inkasimin e të arkëtueshmeve. Prandaj, ZKA ka dhënë edhe 10 rekomandime shtesë.

Kurse, gjatë 2016-ës, KPMM ka bërë progres të theksuar në adresimin e rekomandimeve në disa fusha, mirëpo rekomandimet e dhëna në fushat kryesore nuk janë zbatuar.

“Rekomandimet e pa zbatuara ndërlidhen me fushat, si: mosraportimet e bartësve të licencave, vazhdimi i operimeve ilegale dhe rritja e të arkëtueshmeve nga viti në vit. Menaxhmenti së bashku me zyrtarët përgjegjës janë duke bërë përpjekje serioze për të adresuar rekomandimet e mbetura”, thekson Auditori duke i bashkëngjitur në raport 7 rekomandime për vitin vijues.

Në anën tjetër, 6 rekomandime i përmbante raporti i Auditorit për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale në vitin 2017.