Kosova Shënon Progres në Indikatorët e ‘Sidave...’

Vetëm Politikat tregtare dhe shëndeti i fëmijëve kanë përkeqësim nga listën e gjatë të indikatorëve vjetorë të qeverisjes së mirë. Përmirësim ka në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, reformave ekonomike, shëndetësisë, arsimit, përfshirjes gjinore dhe indikatorë tjerë të rëndësishëm shoqërorë.

Në luftën kundër korrupsionit nga 36 për qind sa ka qenë në vlerësimin e bërë vitin e kaluar, ka arritur në 60 për qind për këtë vit. Sa i përket sundimin e ligjit kemi një përmirësim nga 37 në 50 për qind, mirëpo në këtë pikë Kosova ende llogaritet se është nën standardet e kërkuara.

Edhe tek indikatori “Shpenzimet Shëndetësore” ka përmirësim. Në vitin vlerësimet e publikuara vitin e kaluar për vitin 2017 ka qenë 26 %, ndërsa për vitin 2018 ka një përmirësim për 11 për qind, duke arritur në 37%. Por, edhe në këtë indikator, Kosova mbetet me një performancë nën standardet e kërkuara.

Edhe te Shpenzimet e arsimit fillor ka një përmirësim prej 3 për qind, pasi nga 18% është përmirësuar në 21%. Edhe në këtë indikatorë, Kosova nuk i plotëson standardet e kërkuara.

E njëjta është edhe me Mbrojtja e Burimeve Natyrore, në të cilën kemi përmirësim nga 37% në 47%, por prapë Kosova ngecë në këtë indikator pasi nuk i arrin standardet e kërkuara.

Koordinatori Nacional i agjencisë federale amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Petrit Selimi, thotë se indikatorët maten nga agjensione të OKB dhe institute të pavarura si Heritage, Freedom House dhe Transparency International.

“Përmirësimi i 12 indikatorëve, përfshi disa kyç si kontrolli i korrupsionit apo sundimi ligjit tregon se ka pasur progres të matshëm dhe stabil në reforma dhe se kjo tani vërehet edhe në instrumentet statistikore. Pra, Kosova reformat e dhimbshme dhe të thella në shumë sektorë tani kanë filluar të vërehen dhe të kapen edhe nga organizmat ndërkombëtarë”, tha Selimi.

Selimi ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga Kosova me MCC është katërvjecare, përmes të cilës është ndarë shuma e dytë më e madhe në histori të MCC-së për këtë lloj programi. Ai ka thënë se edhe Kosova e ka kryer deri më tani punën e saj në kohë rekorde, pasi ka arritur të draftojë projektet në vlerë prej 49 milionë euro në më pak se 1 vit.

Kosova vitin e kaluar e kishte humbur mundësinë për të përfituar qindra miliona dollarë nga programi Kompakt. Koordinatori Nacional i MCC, Petrit Selimi shpreson që Kosova shumë shpejt do të rikthehet në programin kompakt, por është i vetëdijshëm që janë disa kushte.

Përveç mbajtjes së notave në indikatorët e matshëm nga MCC, Kosova nuk duhet t’i rritë të ardhurat për kokë banori mbi 4,000 dollarë dukë hyrë në shtet me ekonomi të mesme. Thotë se është e mundshme që Kosova të fillojë paralelisht edhe në programin Kompakt, por një vendim i takon Bordit të MCC me siguri në 2018.

“Kosova mund të rikthehet në momentin kur dëshmon progres të matshëm në fillim të implementimit të Thresholdit, pastaj të mos ketë përkeqësim të situatës politike apo të sundimit të ligjit si dhe të mbetet në grupin e shteteve të mesme të ulëta”, tha Selimi për gazetën Jeta në Kosovë.

Ai thotë se ka gjasa që Kosova të mund të përfitojë nga investimet Kompakt në kornizën kohore 2018/2019.

“Varet deri diku nga Kosova, por edhe nga zhvillimet statistikore që janë jashtë kontrollit tonë, si të ardhurat mesatare për kokë banori. Nëse trekëndëshi i përbërë nga institucionet, shoqëria civile dhe sektori privat dëshmojnë se do të implementojnë mirë Thresholdin, Kosova mund të pret lajme të mira nga MCC edhe në kornizën 18/19 dhe grante të reja optimale”, tha Selimi.

Lista e indikatorëve ku është shënuar progresi:

Kontrolli i korrupsionit 2017: 37% / 2018: 60%.

Normat e imunizimit 2017: 67% – 2018: 93.5%.

Sundimi i Ligjit 2017: 37% / 2018: 50%.

Regjistrimi i vajzave në shkollim të mesëm 2017: 56% – 2018: 69%. 

Shpenzimet Shëndetësore 2017: 26% / 2018: 37%.

Liria e Informimit 2017: 63% / 2018: 73%.

Mbrojtja e Burimeve Natyrore 2017: 37% / 2018: 47%.

Politika fiskale 2017: 56% / 2018: 63%.

Cilësia e Rregullatorit 2017: 63% / 2018: 70%.

Qasja në kredi 2017: 85% / 2018: 90%.

Shpenzimet e arsimit fillor 2017: 18% / 2018: 21%.

Efektiviteti i qeverisë 2017: 48% / 2018: 50%.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatën në të cilën thuhet se përmirësimi i indikatorëve është dëshmi për thellësinë e reformave dhe seriozitetin e institucioneve të Kosovës në përmirësimin e peizazhit ekonomik dhe social për investime.

“Qeveria e Kosovës falënderon USAID-in, UNDP-në dhe agjencitë e OKB-së për partneritet në përpilimin dhe botimin e indikatorëve”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Ish kryeministri, Isa Mustafa ka qenë i shpejtë për konkluduar se përmirësimi i indikatorëve në MCC është meritë e qeverisë së tij.

“Reformat e periudhës Mars 2016 deri në Mars 2017 sot u shpallën nga MCC -ja se dhanë rezultate të mrekullueshme për Kosovën. Në Qeverinë që e kam drejtuar unë, kemi arritur të përmirësojmë 12 nga 19 treguesit të cilët maten nga institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe shfrytëzohen nga MCC-ja për programet e tyre me shtete të ndryshme”, thuhet në postimin e Mustës të bërë në profilin e tij në “Facebook”.

Ai e ka cilësuar këtë përmirësim si mundësi për t’u rikthyer në programin Kompakt.

“Edhe pse arritëm të marrim programin Threshold, sot, janë hapur mundësitë që të fitohet programi Kompakt. Jam mjaft i lumtur që rezultatet e Qeverisë që kam udhëhequr, sot u shpallen si shumë të suksesshme”, thuhet në postimin e Mustafës.