Ilustrimi- Jeta Dobranja për KALLXO.com

Kosova përballë marrëveshjes dhe propozimit franko-gjerman

Marrëveshja për të ecur përpara dhe inkorporomi i propozimit franko-gjerman në kuadër të marrëveshjes finale nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihen si skenarët më të pranueshëm për dialogun Kosovë – Serbi.

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë vizitës së tij tha që Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se bëhet fjalë për  “çështje javësh dhe jo vitesh”.

“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon”, ka deklaruar ai në Kanal10.

Escobar i dha mbështetje propozimit franko-gjerman të marrëveshjes duke theksuar se ky propozim duhet të merret seriozisht.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike…Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane”, theksoi ai.

Propozimi franko – gjerman është përmendur më 8 tetor, nga presidenti serb.

Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”- ka thënë Vuçiq duke shtuar se ky propozim është i papranueshëm për palën serbe.

Më 10 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ekzistojnë ide, por nuk komentoi më tutje.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare, që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”- tha Kurti duke shtuar për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë.

‘Marrëveshje modeste para asaj përfundimtare’

Artan Muhaxhiri analist politik, ka thënë se paralajmërimi i djeshëm i Escobar për marrëveshje brenda javësh, nënkupton një marrëveshje me rëndësi modeste.

“Ai nuk ka folur për mundësinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare historike, por për një marrëveshje tjetër, më modeste për nga rëndësia, të përgjithësuar dhe parimore, me anë të cilës do të dëshmohej e fuqizohej vullneti dhe gatishmëria e palëve për konstruktivitet në etapat e ardhshme të dialogut”- tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, hendeku i madh ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të tejkalohet lehtë.

“Nëse vazhdohet me këtë tempo tejet dinamike, duke e nënkuptuar kontributin konstruktiv të të gjitha palëve, arritja e marrëveshjes finale mund të pritet në pjesën e dytë të vitit 2023”- ka thënë ai.

Muhaxhiri ka theksuar se drafti franko-gjerman, i cili e ka përkrahjen e plotë të SHBA-së, është më realisti dhe më pragmatiku i paraqitur deri më tash.

“Natyrisht që ky draft nuk do të shndërrohet plotësisht në marrëveshje finale, por pjesë të tij gjithsesi do të mund të përfshihen aty – në forma dhe modalitete të ndryshme”- tha ai.

Sipas tij, ‘Kryeministri Kurti duhet ta qartësojë pozicionin e tij karshi këtij drafti, sepse kësisoj do të ndihmojë në orientimin e debatit publik për pritshmëritë e procesit dialogues’.

‘Versioni Franko-Gjerman lëvizja më serioze e viteve të fundit’

Analisti politik, Imer Mushkolaj për KALLXO.com ka thënë se pavarësisht deklarimeve javëve në vijim nuk pritet marrëveshje finale por vetëm marrëveshje kompromisi.

“Nuk pritet të ketë marrëveshje finale, por do të jetë një marrëveshje kompromisi për të ecur përpara. Pra, në këtë faze nuk bëhet fjale për njohje reciproke të drejtpërdrejte. Kosovës do t’i mundësohet anëtarësimi në disa organizata ndërkombëtare (por jo edhe ne OKB), kurse Serbia do të beje hapa përpara në integrimet evropiane”- ka thënë ai.

Sipas tij, Serbisë do t’i kërkohet ta njohë Kosovën në një moment tjetër, ‘kur t’i afrohet anëtarësimit në BE dhe do ta heq Kosovën nga kushtetuta e saj, por edhe Kosova nuk do ta ndryshoje kushtetutën për ta akomoduar Asociacionin’.

Mushkolaj ka thënë se propozimi franko-gjerman është një nga verizonet më të pranueshme momentalisht, duke kërkuar që Kosova ta shoh interesin e saj sa i përket këtij propozimi.

“Duket se ky version është më i pranueshmi për palët tash për tash dhe qe po mbështetet fuqishëm nga SHBA. Është lëvizje me serioze viteve të fundit për të lëvizur nga ‘status quo’. Në situatën e re gjeopolitike, Kosova duhet të nxjerr më të mirën të mundshme në interes të vetin”- tha ai.