Kosova ‘pa kompetencë’ të themelojë tribunal ndërkombëtar për krimet serbe

Në Kuvendin e Kosovës të hënën u diskutua gjerë e gjatë për krimet që forcat serbe kryen gjatë luftës së fundit në Kosovë, në një takim që u cilësua të jetë fillimi zyrtar i themelimit të Tibunalit Ndërkombëtar, iniciativë kjo e prezantuar ditë më parë nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve, organizata të dala nga lufta, deputetë, të mbijetuar të luftës dhe institucione tjera të pavarura në vend, theksuan domosdoshmërinë e dënimit të kryesëve të krimit e gjenocidit  ndaj popullatës civile shqiptare, përderisa të tjerë pjesëmarrës u shprehën skeptikë për jetësimin e këtij mekanizmi gjykues.

Edhe për analistë politik dhe njohës të së drejtës kushtetuese në vend, themelimi i një tribunali për krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 vështirë se do të jetë i realizueshëm, për shkak të kompetencave të kufizuara të shtetit të Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe jo vetëm.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli shprehi domosdoshëmërinë për formimin e këtij tribunali, pasi siç tha ai, edhe 20 vjet pas ende nuk ka drejtësi për viktimat e luftës.

“Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një gjykatë e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve”, tha ai në takimin e së hënës në Kuvend.

Veseli ndër të tjerash përmendi edhe rolin e Tribunalit të Hagës për gjykimim e krimeve gjatë luftës në Kosovë.

“Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi sepse Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë kryeparlamentari.

Por spektike për një iniciative të tillë doli e mbijetuara e luftës, tashmë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Saranda Bogujevci, e cila u deklarua se është për formimin e një gjykate brenda Kosovës, e cila do t’i gjykonte krimet në fjalë.

“Një Tribunal ndërkombëtar duhet të financohet nga dikush, nuk kemi kompetenca dhe kjo më bën skeptike për këtë Tribunal. Kam mësuar se duhet t`i kryesh detyrat tua për ta mundësuar drejtësinë. Ka shumë gjëra që duhet t`i ndërtojmë brenda vendit. Unë nuk jam për tribunal ndërkombëtar, por jam për një gjykatë brenda Kosovës”, theksoi Bogujevci.

Iniciativa e vonuar

Lidhur me këto zhvillime, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se iniciativat që jepen nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, janë të domosdoshme që të bëhen në kohën dhe në mënyrën e duhur dhe jo pas 20 vitesh.

“Është e qartë për gjithkënd, gjithë bota e ka parë, e ka kuptuar gjenocidin, holokaustin që është bërë në Kosovë dhe që 20 vjet kanë kaluar ato krime të luftës nuk janë dënuar asnjëherë. Nuk është kurrë vonë pasi krimet nuk vjetrohen, krimet e luftës dhe gjenocidit nuk parashkruhen, megjithatë pas 20 vitesh t’i kujtohet dikujt për një iniciativë të tillë, është jo vetëm diskutabile dhe vështirë e realizuar, por edhe është për të pyetur: Po ku ishim ne qe 20 vite”, vlerëson Baraliu.

Ai shtoi se në Kosovë nuk ka bazë juridike për një iniciativë të tillë.

“Mund të jetë një Prokurori Speciale të cilën veçse e  kemi  dhe nuk bën punë as ajo. Nuk është aktive edhe pse i kanë të gjitha privilegjet e mundshme.  Do të duhej  një dhomë e veçantë që do të merrej me krimet e luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë. As këtë nuk e kemi bërë dhe tash duam të bëjmë diçka ndërkombëtare, nuk e kemi atë të drejtë. Nuk jemi ne të luajmë rolin e një organizate ndërkombëtare dhe as rajonale”, theksoi ai për Gazetën JnK.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri, vlerëson se iniciativa në fjalë është shumë e vonuar.

“Kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe dëshmitarët gati kanë vdekur ose i kanë harruar ngjarjet dhe është problem me e verifiku krimin. Mirëpo krimet nuk duhet dhe nuk bën të vjetrohen asnjëherë. Është shumë mirë që institucionet e kanë marr një iniciativë të tillë”, vlerësoi analisti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas politologut, është gati e pamundshme që Kosova të ketë sukses në këtë nismë.

“Nëse Kosova ka të drejtë ta kërkojë një tribunal ndërkombëtar për krimet e luftës në Kosovë, atëherë duhet ta arsyetojë se çka ka mbet pa kryer Tribunali i Hagës për luftën në ish-Jugosllavi dhe jo vetëm për Kosovë dhe t’ua çojë institucioneve ndërkombëtare. Kosova nuk është anëtare e tyre dhe është telashe, gati e pamundshme që me pas sukses në iniciativën e saj. Ndoshta mund ta bëjë përmes Shqipërisë ose ndonjë vendi tjetër mik”, thotë ai.

Si për formimin e një gjykate vendore, po ashtu edhe të një tribunali ndërkombëtar për krime lufte,  duhet ndryshuar edhe Kushtetuta e Kosovës, vlerëson Tahiri.

“Kur thuhet tribunal nënkuptohet ai ndërkombëtar, ndërsa kur thua gjykatë speciale nënkuptohet një e tillë që do të formohej në Kosovë. Në të dyja rastet kushtetuta duhet të ndërrohet. Sistemi i gjykatës speciale duhet të inkorporohet në sistemin e drejtësisë së Kosovës, në Kushtetutën apo dispozitat dhe në sistemin gjyqësor të Kosovës. Kështu, duhet të sjellet ligj i veçantë si dhe duhet të bëhet ndryshimi kushtetues”, thotë më tej Tahiri.

‘Implikimi’ në Gjykatën Speciale

Në takimin gjithëpërfshirës për lansimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, u diskutua edhe për mundësinë e plotësim-ndryshimit të ligjit të Gjykatës Speciale, ku do të përfshiheshin edhe gjykimet ndaj palës serbe.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura edhe si Gjykata Speciale, u themeluan me miratimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015.

Gjykata Speciale po heton krimet e luftës të cilat pretendohet se janë kryer nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu të hënën në Kuvendin e Kosovës, kërkoi që të shqyrtohet mundësia që të amandamentohet ligji përmes së cilit është formuar Gykata Speciale dhe në të të përfshihen edhe krimet e kryera nga pala serbe.

“Nëse nuk arrijmë sukses që ta themelojmë gjykatën ndërkombëtare, ta bëjmë plotësimin e ligjit me të cilin është themeluar  Gjykata Penale Ndërkombëtare. Në këtë ligj thuhet se Gjykata Speciale ka kompetencë të gjykojë vetëm krimet e pretenduara në raportet e Dik Martit. Në asnjë faqe nuk është cekur asnjë krim i cili është kryer në Kosovë nga forcat paramilitare serbe. Kjo është një padrejtësi e madhe”, tha profesori universitar.

Mirëpo Mazllum Baraliu nuk beson që ka mundësi që ky propozim të jetësohet.

“Është dhënë një propozim alternativ që të bëhet plotësim-ndryshimi për Gjykatën Speciale. Kjo gjykatë është diçka e pashembullt që ne kemi bërë në dëmin tonë për ti dënuar ekskluzivisht njerëzit tanë, por ndryshimet në të ishin pengesë që të futen aty edhe të tjerë bërës të krimeve të tjera në Kosovë, sidomos serbët. Nuk besoj që do të ketë mundësi dhe hapësirë ta bëjmë këtë e aq më pak miratim të bashkësisë ndërkombëtare, e pranishme në Kosovë dhe qendrave të tjera vendimmarrëse në botë”, përfundoi njohësi i së Drejtës Kushtetuese.

Përveç idesë për tribunal, Komisioni Parlamentar Ad-Hoc të martën ka miratuar një draft-rezolutë për dënimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë të shkaktuara nga ana e ish-regjimit shtetëror serb, dokument ky i cili pritet të marr përkrahje në ndonjërën nga seancat e ardhshme të legjislativit.

Ndërkaq, përfaqësues të sistemi të drejtësisë në Kosovë, pas një takimi të mërkurën, bënë të ditur se do të funksionalizojnë një Task-forcë dhe trup monitorues për zbatim të strategjisë së krimeve të luftës.

Mohimi i krimeve të luftës nuk i ‘relakson’ raportet Kosovë-Serbi