Prizreni

Foto: Denis Sllovinja

Kosova pa ciceronë të licencuar, pasojat - shtrembërime të rënda të fakteve

Republika e Kosovës nuk e ka të rregulluar me ligj çështjen e ciceronëve (udhërrëfyesve) turistik. Ligji për turizmin nuk parasheh as licencim të tyre, mandej nuk ka as ndonjë dokument tjetër ligjor për ciceronët.

Licencë ciceroni nuk kanë as rreth 60 persona të cilët kanë kryer trajnime për të qenë ciceron.

Në mungesë të infrastrukturës ligjore, kushdo që di të flas anglisht, ose një gjuhë tjetër të huaj, mund ta kryejë detyrën e ciceronit.

Fare pak ka rëndësi kualifikimi apo njohurit mbi pasurit turistike, peizazhet natyrore, trashëgiminë kulturore apo historinë e vendit.

Ekspertë të fushës alarmojë për një situatë të tillë. Sipas tyre, në mungesë të infrastrukturës ligjore, ka ndodhur kur grupe turistësh kanë hyrë në vend të përcjellë me ciceronë të huaj, të cilët kanë dhënë informacione të pa sakta për turistët.

Ndërsa, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kuadër të së cilës hynë fusha e turizmit (Departamenti i Turizmit) kanë thënë për KALLXO.com se çështjen e operimit të udhërrëfyesve do ta rregullojnë me ligjin e ri për turizmin.

Program shkollor për ciceronët

Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit të Kosovës ka thënë për KALLXO.com, se ka dhjetëra persona që janë trajnuar për të kryer punën e ciceronit.

“Këta persona kanë vijuar trajnime (për ciceron) të cilat sado pak u kanë ndihmuar në këtë profesion, por duhet përmendur që Kosova s’ka ciceronë të licencuar nga institucionet përkatëse, andaj të gjithë ata që ushtrojnë këtë punë, janë pa licencë”, ka thënë Hoti.

Mungesa e ligjit, sipas tij u mundëson ciceronëve nga shtetet e tjera përcjelljen e grupeve të turistëve edhe në Kosovë, duke ua shpjeguar në mënyrën e tyre, qoftë historinë për trashëgiminë kulturore qoftë për vendin.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se përveç legjislacionit, vendi i duhet një kurrikulë dhe programe shkollore për ciceronë dhe që kolegjet apo universitetet ta përfshijnë në programet e tyre, nga ku edhe do të dalin ciceronë të certifikuar (diplomuar).

Propozimet sipas tij, për kurrikulën duhet të vijnë nga institucione që kanë interes, qoftë edhe nga shoqata të ndryshme të turizmit apo institucionet shkollore.

“Megjithatë, në fund prapë ata duhet të licencohet dhe këtë duhet ta bëjë ministria përkatëse, e cila duhet ta rregullojë me ligj dhe me akte nënligjore fushëveprimtarinë e ciceronëve”, ka thënë Sogojeva.

Vizitat në asetet arkeologjike

Enver Rexha, drejtor i Instituti Arkeologjik të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se institucionet përkatëse duhet të hartojnë një akt normativ për të zgjedhur edhe ligjërisht çështjen e ciceronëve.

Rexha ka thënë se kur është fjala për asetet e trashëgimisë kulturore – arkeologjike, punën e ciceronit e kryejnë punëtorët e institucioneve të kulturës – trashëgimisë.

“Institucionet, varësisht nga natyra, zgjedhin një nga punëtorët më me përvojë për ta kryer punën e ciceronit, i cili merr edhe aprovimin e organeve drejtuese të institucionit përkatës”, ka thënë Rexha.

Në anë tjetër, në një përgjigje për KALLXO.com nga Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) thuhet se kjo ministri synon që çështjen e operimit të udhërrëfyesve (ciceronëve) ta rregullojë me ligjin e ri për turizmin.

Sipas, MINT-së draftligji për turizmin është në proces të finalizimit.

“Gjatë hartimit të këtij drafti, janë konsultuar të gjitha palët e interesit dhe është punuar ngushtë me përfaqësues të shoqatave përkatëse dhe ende është në fazën e konsultimeve derisa të finalizohet drafti. MINT do të bashkëpunojë me MASHT-in për përgatitjen ose rifreskimin e programeve arsimore për udhërrëfyesit turistikë”, thuhet në përgjigjen e MINT-së për KALLXO.com.

Po sipas MINT, është duke u planifikuar të rregullohet veprimtaria e udhërrëfyesit turistik të huaj sipas praktikave rajonale dhe në përputhje me ligjet në fuqi, që ndërlidhen me këtë fushë.