Kosova me 3.9 për qind rritje ekonomike

Vlerësimet fillestare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për rritjen ekonomike të Kosovës për vitin 2018-të tregojnë për një rritje rreth 3.9 për qind.

Kjo rritje ekonomike është me e ultë se ajo që është prezantuar nga Banka Botërore në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor ku flitej për një rritje rreth 4.2 për qind, si më e larta në rajon.

“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë së Agjencisë së Statistikave jep një vlerësim paraprak për vitin 2018, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve pati një rritje prej 3.9 % krahasuar me vitin 2017”, vlerëson ASK.

Në raportin për tre muajt e fundit të vitit 2018, rritja reale e BPV-së (ndryshe njihet si GDP),  ishte 3.8 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë.

“BPV në TM4 të vitit 2018 shënon rritje reale për 3.8% në krahasim me TM4 të vitit 2017. Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: aktivitetet financiare dhe të sigurimit 32.2%; furnizimi me energji elektrike, ujë dhe trajtimi i mbeturinave 11.2%; ndërtimtaria 6.5%; tregtia me shumicë dhe pakicë 6.1%; industria përpunuese 5.0%; hotelet dhe restorantet me 4.8%; bujqësia, gjuetia, pylltaria 1.7%;  afarizmi me pasuri të patundshme 1.4%; transporti dhe magazinimi 1.0%”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ndërkaq, rënie reale kishte në të dhënat e: industrisë nxjerrëse -15.3 për qind dhe administrimit publik -0.1 për qind.

Kurse, BPV sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 9.2 për qind; eksportin e mallrave dhe shërbimeve me 7.2 për qind; importin e mallrave dhe shërbimeve me 4.4 për qind; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe institucionet jo përfituese në shërbim të ekonomive shtëpiake (IJPSHESH) me 2.3 për qind; shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 1.1 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Në krahasim me katër tremujorët e vitit 2017-të,, rritja ekonomike ishe më e lartë në tremujorët e vitit 2018-të në përjashtim të tre muajve korrik-shtator ku rritja ekonomike ishte më e ulët se periudha e njëjtë e një viti më parë.

Në anën tjetër Raporti i  fundit i  Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerësoi se ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2018 pritet të shënojë një rritje reale prej 4.2%, duke vazhduar të renditet si vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon.

Kjo perspektivë pozitive e ekonomisë së Kosovës gjithnjë sipas raportit të Bankës Botërore, i atribuohet rritjes së investimeve totale dhe performancës më të mirë të eksporteve, si rrjedhojë e pritjeve optimiste në ekonominë e Eurozonës dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të dhënat zyrtare për rritjen ekonomike u bënë të ditur përmes publikimit të raportit “Bruto Produktin Vendor” (BPV) për TM4  2018, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante”, të ASK-së.