Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Kosova ‘izolohet’ nga vizitat diplomatike ndërkombëtare

Republika e Kosovës kohëve të fundit nuk ka qenë nikoqire e vizitave të mirëfillta bashkëpunuese diplomatike, të udhëheqësve shtetëror ndërkombëtar.

Disa nga vizitat e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, siç është rasti i komisionerit të BE-së për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili e vizitoi Kosovën dy herë brenda një periudhe të shkurtër, kanë qenë kryesisht me kërkesa për heqjen e taksës prej 100 përqind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Së fundi për shkak të së njëjtës arsye,  është anuluar edhe vizita e gjeneralit amerikan të Gardës Nacionale të Iowas, Timothy Orr në Kosovë.

Lidhur me këtë çështje, Donika Emini hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se vizitat bashkëpunuese diplomatike në vend, por edhe ftuarja e zyrtarëve të lartë të Kosovës nëpër vendet me të cilat shteti ka marrëdhënie solide diplomatike, kanë pësuar rënie kohëve të fundit.

“Të gjitha vizitat e fundit të krerëve të shtetit ndërlidhen dhe janë të kufizuara me procesin e dialogut me Serbinë – qoftë me zyrtarë nga BE apo ShBA-të. Megjithatë, ky izolim është vërejtur edhe më tej kohëve të fundit, sidomos pas refuzimit të Kosovës për të tërhequr taksën dhe si pasojë edhe pengesën në raport me dialogun me Serbinë”, shtoi ajo.

Sipas Eminit, për Kosovën si shtet i vogël me rëndësi tejet të kufizuar në arenën ndërkombëtare, aleancat janë të domosdoshme.

“Kjo gjithashtu ndërlidhet me asistencën që i duhet Kosovës në raport me organizatat multilaterale ndërkombëtare, si dhe mundësitë për të rritur numrin e njohjeve diplomatike. Gjithashtu, ky izolim mund të ketë pasoja edhe në raport me rezultatin dhe kahjen që pritet të marrë procesi i dialogut me Serbinë”, theksoi hulumtuesja.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Artan Murati (KDI), thotë për Gazetën JnK, se Republika e Kosovës me vendimin për taksën, ka hyrë në një momentum të ri të raporteve me miqtë ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në.

“Rezistenca e Kryeministrit Haradinaj për të mos hequr taksën ka filluar të prodhoj efekt edhe në këtë drejtim, dhe veprimet e fundit të administratës amerikane janë duke e dëshmuar një gjë të tillë”, theksoi ai.

Sipas Muratit, Kosova duhet të mbetet e përkushtuar të ruaj raportet me SHBA-në dhe aleatët tjerë të Kosovës dhe në anën tjetër të punoj në forcimin e subjektivitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare.

“Taksa tanimë është paraqitur edhe si barrierë e dialogut me Serbinë, andaj vendimi për taksën duhet të jetë konsensual dhe duhet të ketë dakordim për të mbrojtur me çdo kusht interesat e Kosovës dhe miqësinë me shtetet aleate”, vlerëson analisti.

Njësoj mendon edhe Donika Emini (QKSS), e cila thotë se theksuar se ruajtja dhe forcimi i marrëdhënieve diplomatike të ndërtuara tashmë është jetike për Kosovën.

“Kjo bëhet edhe më e nevojshme me faktin se dialogut me Serbinë po i ofrohet fundi, andaj në këto momente kritike Kosova ka nevojë më shumë së kurrë të ketë aleatë të fortë në krah për të përballuar një proces aq kompleks”, deklaroi Emini për Gazetën JnK.

Ndërkohë, pikërisht për çështjen e taksës dhe lidhshmërinë me dialogun Kosovë-Serbi, SHBA-ja është treguar më e ashpër me krerët institucional kosovarë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S Kosnnett, të martën e solli një letër nga shteti i tij, drejtuar presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Në letrën e nënshkruar nga Mattthew Palmer, zëvendësasistent i Sekretarit të Shtetit, zëvendësasistentes së Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe zëvendësdrejtorit për Çështje të Europës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath, paralajmërohen sanksione për Kosovën nëse nuk pezullohet taksa ndaj Serbisë.