Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Kosova drejt zgjedhjeve, por a do të ketë zgjidhje?

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me arsye ‘thirrjen për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale’, Kosova pritet të hyjë në proces të parakohshëm zgjedhor.

Por edhe pse janë bërë pesë ditë pas dorëheqjes së Haradinajt, ende nuk është ndërmarrë ndonjë veprim për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, përderisa Kushtetua e Republikës së Kosovës e përcakton edhe mundësinë që presidenti në konsultim me partitë politike mund të mandatojë një kandidat të ri për udhëheqjen e ekzekutivit.

Megjithëkëtë, pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Në anën tjetër, shoqëria civile i druhet një krize të mundshme pas zgjedhjeve, në konsolidimin e institucioneve të reja të vendit si dhe në disa procese të hapura integruese.

Ndonëse shprehën keqardhje që Haradinaj ofroi dorëheqjen e tij për shkak të thirrjes për intervistim në cilësinë e të dyshuarit nga ana e Gjykatës Speciale, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) i bën thirrje presidentit Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, i cili e quante veten “lider të koalicionit PAN”, si dhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike.

Ndërkaq, Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, ka thënë për KALLXO.com se dorëheqja e kryeministrit Haradinaj ka implikime multi-frontale.

“Qartazi kjo Qeveri dhe Kuvend kanë pasur probleme fondamentale me legjitimitet, andaj shkuarja e vendit në zgjedhje do të shënonte edhe një përpjekje për të krijuar institucione kredibile dhe legjitime sidomos në raport me dialogun e lehtësuar nga BE në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo.

Sipas Eminit, zgjedhjet do ta gjejnë elitën politike kosovare të polarizuar dhe me pak vizion për kahjen që do të i jepet vendit.

“Sot, qytetari i Kosovës e ka të pamundur të shoh vizion të qartë dhe liderë kredibil për të përcaktuar të ardhmen e shtetit në arenën ndërkombëtare”, shton më tej ajo.

Vizat, dialogu, INTERPOL-i…

Rënia e Qeverisë së Kosovës ka përkuar në disa procese të hapura e të shumëdiskutuara siç janë, liberalizimi i vizave, dialogu me Serbinë dhe anëtarësimi në INTERPOL.

Donika Emini nga “CiviKos” vlerëson se hyrja në proces zgjedhor si dhe rreziku për zvarritje në procesin e konsolidimit të institucioneve të reja und të ketë implikime me pasoja të mëdha në të trija këto procese.

“Vjeshta do të jetë përfundimtare për lobim diplomatik në futjen e Kosovës për votim për liberalizim të vizave në Këshillin Europian dhe një gjë e tillë do të jetë ë vështirë. Zbrapsja në Interpol në vitin e kaluar veçse i pati dridhur themelet e këtij koalicioni. Mungesa e mbështetjes ndër institucionale kryesisht për të mos lejuar marrjen e meritave të një partie apo personi prapa procesit e çoi Kosovën drejt dështimit. Ndërsa, pa qeveri apo pa një figurë politike që do të ishte ekuivalent me atë të Presidentit Thaçi, Kosova në procesin e dialogut me Serbinë do të jetë në një pozitë të pafavorshme politike”, thotë Emini.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, vetëm një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se është koha që të dyja vendet të gjejnë rrugën e tyre në tryezën e bisedimeve.

“Eksplorimi i hapësirës është një arritje e madhe dhe e papërfunduar. Kështu po ndërtojmë një të ardhme paqësore edhe në Tokë. Është koha që Kosova dhe Serbia të gjejnë rrugën e tyre në tryezën e negociatave”, kishte shkruar ambasadori Kosnett në Twitter.

Ndërkohë, dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar nga ana e Serbisë për shkak të taksës 100% të vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Por sa do të ndikojë gjendja aktuale politike në idenë e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim të kufijve” në kuadër të dialogu?

Sipas Donika Eminit (CiviKos), pas kësaj gjendje, presidenti Thaçi nuk do ta ketë shumë të lehtë ta proklamojë idenë e tij.

“Agjenda e tij për shkëmbim të territoreve apo ndarje të Kosovës nuk mbështetet fare nga Kancelarja Merkel e deri diku as nga President Macron. Andaj, edhe në mungesë të Kryeministrit, Presidenti Thaçi nuk do ta ketë të lehtë  dhe nuk do të ketë mbështetje të ecë tutje me këtë plan”, thotë ajo për KALLXO.com

Ajo shton se, konsolidimi i institucioneve të BE-së deri në nëntor do të mund të konsiderohej si një element tjetër që do të ndalonte “agjendën” e Presidentit Thaçi.

“Mirëpo, kjo nuk do të thotë që takimet në mes të Presidentëve nu do të ndodhin. Presioni i madh nga vendet e BE-së si Franca dhe Gjermania, por edhe involvimi i ShBA-së so të mund të shtynte procesin përpara edhe pse pasojat e një marrëveshje të nënshkruar pa konsensus të brendshëm politike dhe në një periudhë politike tranzitore, do të kishte pasoja fatale për vendin”, përfundoi ajo.