Kopjimi në Testin e Maturës, dukuri e pa ndalshme

 

.Rreth 27 mijë nxënës të shkollave të Kosovës këtë vit i janë nënshtruar fazës së parë të Testit të Maturës në fillim të këtij muaji.

Testi i cili u mbajt në të gjitha qytetet në data të ndryshme, pavarësisht fjalëve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë se do të ketë masa të rrepta, ai mori ‘dhenë’ në rrjetet sociale.

Për një javë me radhë të gjithë nxënësit e ktyre rajoneve i kanë publikuar ato teste në mediat sociale, më konkretisht në grupet e krijuara në Facebook dhe Viber, duke kërkuar ndihmë për përgjigjet e tyre.

E në lidhje me këtë nga MAShT thonë se në pjesën e parë të Testit të Maturës janë përjashtuar 57 nxënës, kurse ekspertët e arsimit theksojnë se publikimi i testit të maturës në rrjetet sociale është e mundshme deri sa nuk ka vetëdijësim për parandalimin e saj.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se përveç nxënësve në këtë fazë të testit janë dënuar edhe administruesit.

“Në pjesë e parë janë përjashtuar 157 nxënës (disa prejt tyre janë anuluar testi pasi janë identifikuar që kanë postuar në rrjetet sociale), këtyre nxënësve i humb ky afat testimi 5 administrues janë denuar që mos marrin pjesë në administrim asnjëherë dhe vendimi do të merret për të gjithë pasi të kryhet edhe pjesa e dytë”, tha ai.

Kurse, Agnesa Qerimi nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC), tha se kopjimi në testim është në dukuri që dëshiron trajtim të thellë.

“Dukuri për të cilën nevojitet trajtim i gjatë e i gjerë- duke nisur mbi shabllonin e vetëdijesimit të nxënësve fillimisht për demet që mund të i sjelle kopjimi, e pastaj duke ndërmarrë masa strikte për secilin qe e shpërndanë ose e inkurajon dukurinë e tillë”, tha ajo.

Ajo po ashtu tregoi edhe shembuj gjatë monitorimit të këtij testi nga KYC.

“I kemi raportuar personat të cilët e kanë shpërndarë testin dhe të tjerët të cilët gjate tere dites u përgjigjen pyetjeve me emra dhe mbiemra tek Institucioni MAShT dhe ai i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde duke rekomanduar që të hetohen kirbenetikisht sepse përveç se inkurajohet kopjimi, këtë dukuri shume e përdorin për pazare dhe përfitime, gjë qe do të ishte dashur të dënohet dhe njihet si vepër ilegale”, tha Qerimi për gJnK.

Ndërsa, ekseperti i arsimit, Dukagjin Pupovci tha se për kopjimin e Testit të Maturës angazhohen edhe mësimdhënësit e prindërit.

“Ka vite që në Kosovë bëhen përgatitje të veçanta për të kopjuar në testin e maturës, ku nuk përfshihen vetëm nxënës, por edhe familjarë të tyre, madje edhe mësimdhënës. Ky është një pasqyrim i shëmtuar i gjendjes në shoqërinë ku përfitimi pa meritë është bërë standard. Ministria ka marrë mjaft masa që kjo dukuri të minimizohet, duke përforcuar kontrollin dhe duke e ndarë testin në katër ditë”, tha Pupovci për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Po ashtu, janë marrë masa ndaj nxënësve që janë zënë duke kopjuar. Megjithatë, mendoj se ka hapësirë për të përmirësuar administrimin e testit, duke kërkuar më shumë përgjegjësi nga mësimdhënësit administratorë dhe duke ndërmarrë masa ndaj atyre administratorëve që tolerojnë kopjimin. Ndërkaq, ju takon organeve të rendit të vihen në ndjekje të grupeve që mbështesin mashtrimin përmes rrjeteve sociale”, shtoi ai.

Kurse sa i përket rezultateve më të mira, të dy ekspertët theksuan se përqindja e kalimit të Testit të Maturës është e lartë por se nuk janë rezultate reale.

“Këto rezultate nuk e tregojnë njëmend njohurinë e fituar të nxënësve përgjatë viteve akademike shkollore. Janë rezultate që nuk përkojnë me cilësinë e edukimit dhe me asnjë statistike tjetër që na tregon nivelin e arsimit qe kemi. Do te thotë këtu, brenda duhet të ishte jo te kemi rezultate te mira por rezultate qe e dallojne nxenesin nga nxenesi dhe i orientojne ata ne drejtime akademike apo jo qe jane me te pershtatshme per secilin”, tha Agnesa Qerimi nga KYC për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa Dukagjin Pupovci tha se për fat të keq, përqendrimi në pengimin e kopjimit, i ka zbehur shumë përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së testeve, që do të duhej të ishte roli primar i Ministrisë.

“Po ashtu, nuk janë publikuar analiza më të hollësishme të rezultateve nga testet e viteve të kaluara që të mund të krahasohen me ato të këtij viti, përveç pikëve totale. Prandaj, krahasimi do të jetë i mundur atëherë kur testi të jetë i standardizuar dhe cilësor ,ndërsa kopjimi në nivelin minimal”, tha Pupovci për gJnK.

Aktualisht është duke u mbajtur faza e dytë e Testit të Maturës nëpër regjionet e caktuara, por se edhe në këtë fazë fati i tij është i njëjtë.

https://kallxo.com/testi-i-matures-publikohet-online-edhe-ne-fazen-e-dyte/

Ndërsa rezultatet e testit do të publikohet me 1 korrik.

Nxënësit e klasës së 12 këtë vit në Testin e Maturës Shtetërore do të kenë vetëm katër lëndë për testim, dhe një prej tyre do të jetë zgjedhore

Forma e re e Testit të Maturës, e ‘pa nevojshme’