Ilustrim

Kontestohet plani i Albin Kurtit për mjekët e sektorit privat

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se mjekët në Kosovë duhet të zgjedhin nëse duan të punojnë në sektorin publik apo në atë privat, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2013 u kishte dhënë të drejtë mantel bardhëve që të punojnë në të dy sektorët.

Në anën tjetër, përfaqësues të institucioneve dhe njohës të politikave shëndetësore shprehin pikëpamje të ndryshme për këtë çështje.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK) Pleurat Sejdiu, në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar, se nuk janë dhe nuk kanë qenë kundër një definimi të tillë dhe se sipas tij, nëse kjo do vendosej do duhej të vlen për të gjitha profesionet dhe sektorët, siç janë mësimdhënësit, ekonomistët, juristët.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese ka marr një vendim ku janë hedhur poshtë nenet e  Ligjit për Shëndetësi përmes së cilëve u ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në të dy sektorët, dhe këtë bazuar në nenin 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i obligueshëm për tu respektuar nga të gjitha institucionet. Prandaj për të ndryshuar këtë Aktgjykim duhet ndryshuar praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Spitalor dhe  Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) Basri Sejdiu ka thënë për KALLXO.com, se nuk ka kompetencë të flasë për këtë temë.

“Unë jam drejtor spitali, nuk jam duke udhëhequr politikë shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë është më kompetente, ajo i udhëheqë këto politika. Kjo pyetje nuk është në kompetencë timen njëherë, është më shumë e ministrisë, qysh me Kushtetutë janë të mbrojtura disa gjëra. Ligjet vijnë prej ministrisë për qeverinë. Është temë më shumë për ta”, është shprehur Sejdiu.

Kurse, ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Imet Rrahmani, ka thënë se përcaktimi për një vend pune, ndoshta është njëra nga mundësitë për t’i zvogëluar keqpërdorimet.

“E kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese rreth kësaj çështje, e cila u ka dhënë të drejtë mjekëve që orarin, si punë sekondare jashtë asaj më kontratë ta shfrytëzojnë edhe për punë tjera. Unë konsideroj që nuk mund të anashkalohet ai vendim, pa u shqyrtuar në detaje dhe pa u analizuar seriozisht”, ka theksuar ai.

Rrahmani i cili njëherësh është edhe kandidati i LDK-së për deputet, ka thënë për KALLXO.com se nëse merr mandat në legjislativ do ta mendonte mundësinë që të votonte pro kufizimit të punëve të mjekëve.

“Nëse vjen puna që me qenë deputet në Kuvend të Kosovës, do të kisha votuar pro një zgjidhje të problemit, dilemave rreth privat dhe publik. Duhet me pas parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese me analizuar ngadalë, po ndoshta është rruga e vetme në këtë fazë që me zgjidh problemin. Nëse jam deputet, sigurisht se do të isha menduar shumë dhe do ta kisha votuar pro”, ka shtuar ish-ministri për KALLXO.com.

Ligji për Shëndetësi ishte miratuar në vitin 2012, por një nen i tij ishte kundërshtuar në Kuvendin e Kosovës, duke bërë që një grup i deputetëve t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese, përmes një kërkese për pezullimin e katër neneve 18, 19, 41 dhe 60, të ligjit në fjalë.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese në vitin 2013, kishte miratuar pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për Shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Mjekët Mund të Punojnë Kudo