Presidenti Thaçi në shënimin e 10-vjetorit të AKI-së - Foto: AKI

Konflikti VV-PSD po e mundëson mbikëqyrjen e AKI-së vetëm nga pushtetarët

Mbikëqyrësit kryesorë të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) vijnë të gjithë nga partitë në pushtet apo njerëzit e pushtetit.

Ky institucion u jep llogari Presidencës, Kryeministrisë dhe komisionit parlamentar për mbikëqyrje të AKI-së.

Mirëpo për kontrollin parlamentar mbi këtë agjenci, ligji është më i veçantë.

Ndonëse rregullorja e Kuvendit e specifikon shumë qartë që Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, duhet të drejtohet nga një deputet që nuk i përket partisë në pushtet, ka afër 1 vit që ky komision është pa kryetar dhe mbledhjet drejtohen prej një deputeteje që është e partisë në pushtet.

Pas konstituimit të legjislaturës aktuale në Kuvend, ky komision udhëhiqej nga Donika Kadaj Bujupi, kur kjo e fundit ishte pjesë e Vetëvendosjes.

Në mars të vitit të kaluar, Kadaj Bujupi kishte dhënë dorëheqje nga udhëheqja e këtij komisioni, pasi që kishte vendosur të kthehet në ish partinë e saj, AAK-në, e cila tani është duke udhëhequr me Qeverinë.

Në shtojcën e rregullores së Kuvendit ku flitet për fushëveprimin dhe përgjegjësitë e komisioneve parlamentare, pika 15 ndër të tjerash thotë:

“Komisioni për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është komision funksional. Secili grup parlamentar do ta ketë nga një anëtar. Kryesuesi i Komisionit për Mbikëqyrje të Inteligjencës nuk do të jetë anëtar i asnjë partie politike ose koalicioni në pushtet”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Mirëpo prej marsit të këtij viti, mbledhjet e këtij komisioni është duke i udhëhequr Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, që është pjesë e koalicionit qeveritar.

Musliu mbanë postin e nënkryetares së këtij komisioni.

Ndonëse, Musliu kishte deklaruar se do t’i kthej përgjigje redaksisë së Gazetës Jeta në Kosovë, ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Sipas sekretarisë së Kuvendit, kryesimi i këtij komisioni ka mbetur të bëhet sipas marrëveshjes ndërmjet Vetëvendosjes dhe PSD-së. Një marrëveshje e tillë ende nuk është arritur.

“Kryesimi i këtij Komisioni ka mbetur te behet sipas marrëveshjes në mes Grupit Parlamentar të LVV  dhe  PSD. Marrëveshje nuk ka pasur. Në ndërkohë, në muajin nëntor 2019,  GP i PSD ka propozuar për kryesues deputetin, Faton Topalli. Propozimi është në pritje për votim në seancë plenare”, thuhet në përgjigjen e Sekretarisë së Kuvendit.

Deri më tani, që nga dorëheqja e Donika Kadajt Bujupit, janë mbajtur 18 mbledhje të këtij komisioni. Të gjitha këto mbledhje janë thirrur dhe drejtuar nga nënkryetarët e këtij komisioni.

Nënkryetarja e parë e këtij komisioni është Ganimete Musliu, ndërsa nënkryetari i dytë është Bahrim Shabani nga grupi 6+, poashtu pjesë e koalicionit.

Zyra për Informim e PSD-së në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë pretendon se pozita e kryetarit të këtij komisioni i takon atyre.

“Me formulën, me të cilën zgjidhen kryesimet e komisioneve, i takon grupit tonë që të udhëheq me komisionin e AKI-së. Në nëntor të vitit të kaluar, është vendosur si pikë e rendit të ditës kërkesa jonë për caktimin e kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të PSD-së.

Tutje, PSD sqaron se me Vetëvendosjen kanë arritur të merren vesh për përfaqësim proporcional në të gjitha komisionet tjera, mirëpo jo edhe për AKI-në.

“Kemi mbetë që kjo çështje të trajtohet në Kryesinë e Kuvendit sipas Rregullores së Kuvendit”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, sekretaria e Kuvendit nuk e sheh si shkelje të rregullores së Kuvendit, faktin që mbledhjet po drejtohen prej një deputeteje të partisë në pushtet.

Sipas sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, rregullorja i’a lejon që nënkryetari t’i drejtoj mbledhjet në mungesë të kryetarit.

“Rregullorja e Kuvendit, neni 64: Mbledhjet e komisioneve thirren nga kryetarët e komisioneve, në mungesë të kryetarit të komisionit mbledhjen e thërret zëvendëskryetari i parë, përkatësisht  zëvendëskryetari i dytë”, tha për Gazetën JnK, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Në anën tjetër, Vetëvendosje pretendon se kjo pozitë u takon atyre. Deputeti i kësaj partie, Arbër Rexhaj, që është edhe anëtar i këtij komisioni, në një prononcim për Gazetën në mes tjerash ka deklaruar se kjo pozitë është më mirë të mos plotësohet në kushtet e tanishme.

“Ne kemi insistuar që të respektohet rregullorja, por deri sot pushteti thjesht nuk ka lëshuar pe në përpjekjet për ta kontrolluar këtë pozitë shumë të rëndësishme për llogaridhënien në fushën e sigurisë. Ne mendojmë se më mirë është të mos plotësohet kjo pozitë sesa të bie në duar të pushtetit apo të deputetëve që po bashkërendojnë veprimet e votimet e tyre me pushtet”, ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Sipas tij, situata aktuale e ka vështirësuar punën në komision. Ai përmendur disa raste që kanë ndodhur në kohën kur ky komision ka qenë pa kryetar.

“Madje situata rreth këtij institucioni, sidomos në rastin e arrestimit të gjashtë  ’Gylenistëve’ si dhe të aferës së djalit të shefit të AKI-së, ka treguar se është shumë e nevojshme që të imponohet një llogaridhënie mbi këtë institucion. Fatkeqësisht të njëjtën ndjeshmëri për sundimin e ligjit nuk e kanë të gjithë akterët parlamentar”, tha tutje Rexha për Gazetën JnK.

Po në muajin mars, kur ky komision mbeti pa kryetar, AKI-së së bashku me zyrtarë të Policisë kishin deportuar 6 shtetas turq.

Ndërsa disa muaj më herët, në media kishte qarkulluar se Policia e Kosovës e ka kapur djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, me drogë dhe armë.

Me 5 shkurt të këtij viti, Agjencinë Kosovar të Inteligjencës i ka bërë 10 vjet që nga themelimit. Në këto 10 vite në këtë institucion nuk kanë munguar skandalet.

Drejtor i AKI-së para disa muajsh është emëruar ish drejtori i përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, ndërsa presidenti dhe Kryeministri ende nuk e kanë emëruar zëvendës drejtorin e këtij institucioni, ani pse afatet ligjore kanë përfunduar që një kohë.

https://kallxo.com/ne-10-vjet-te-aki-se-drejtoret-e-inteligjences-nuk-e-perfunduan-mandatin/?fbclid=IwAR1E-cKShvR5rw2IdZgZbjH37FbGKDJrlUHEjwE9OxnrXhBr2Do6gM6xpls